Ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, Muharrem Xhafa ka lëshuar kritika të ashpra në adresë të kreut të Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi. Ky i fundit, veçanërisht sot, ka reaguar ashpër ndaj komunistëve dhe partizanëve, të cilët i akuzon se kanë bërë krime gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Por në mbrojte të tyre dhe vlerave të LANÇ, është rreshtuar hapur ish-funksionari i Lartë i Partisë Komuniste Muharrem Xhafa, i cili gjatë një interviste për gazetën “SOT”, e cilëson zotin Alimadhi “krimb” dhe “kalbësirë” neofashiste që nuk e bën dot pis luftën partizane. Sipas tij, kushdo që hedh baltë mbi luftën partizan dhe vë në dyshime se nuk ranë 28 mijë dëshmorë është tradhtar. Madje zoti Hoxha ka treguar edhe pse Balli Kombëtar është “jashqitja e kombit”, referuara tradhtive që ballistët bën, duke u rreshtuar krah okupatorëve nazifashistë.
-Zoti Xhafa, keni një koment për deklaratat e zotit Hoxha?
Lexova me vëmendje shkrimin e zotit Alimadhi. Ndoshta çdo ditë jo, por shpesh herë lexoj nga një gjoja drejtuesi i Ballit Kombëtar, të shpifë, të hedhë baltë dhe gurë mbi Luftën Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar, mbi partizanët trima, mbi veteranët, mbi dëshmorët e heronjtë e LANÇ-it, bijë të popullit! Aq shumë e shpesh boton, shkruan e shpif ky ballist e këlysh ballistësh, sa nuk i shterin as mllefi, as inati e as vreri helm, para së vërtetës së pranuar botërisht, para lavdisë së kombit shqiptar – LANÇ-it! A thua “harron” Alimadhi, që ky ballist, para LANÇ-it është një krimb krimbash, i cili, sa herë që shkruan e boton kundër saj, bëhet edhe më i krimbur, edhe më i kalbur?! A thua “harron” Aliu i madh se të tjerë para tij, edhe pse kanë qenë të mbështetur nga shteti e pushteti në fuqi, kanë shkuar për lesh, sepse kanë “guxuar” të kapen me lavdinë e kombit, me LANÇ-in!
-Keni fakte për këto që thoni…
Që Balli Kombëtar dhe krerët e tij kanë qenë ose jo kundër LANÇ-it dhe bashkëpunëtorë ose jo të pushtuesve italianë dhe gjermanë, ju ballistët duhet të pyesni pushtuesit e huaj – humbës të LANÇ-it dhe të lexoni arkivat gjermane e italiane të luftës në Shqipëri, në Itali dhe në Gjermani. Se sa ballistët kanë luftuar me armë në dore për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj nazifashistë, ju, ballistët e sotëm, modernë, duhet të pyesni jo krerët e arratisur të Ballit e ballistët e thekur, por popullin shqiptar, që i vuajti në kurriz “bëmat” e Ballit. Po kështu, sa ballistët i kanë shërbyer progresit të vendit tonë, sërish ju duhet të pyesni popullin shqiptar dhe organet e drejtësisë. Ballistët dhe neoballistët e sotëm e dinë mirë se si sistem shoqëror dhe ekonomik shtetëror në fuqi socializmi u përmbys me tradhti e kundërrevolucion borgjez dhe që ata i kanë shërbyer kësaj përmbysjeje kundërrevolucionare dhe shkatërrimtare. Po, për këtë krim ballistët e neoballistët kanë meritën e tyre dhe, sado vonë, do të japin llogari popullit. Alimadh dhe Çelo, pushteti borgjez ju mbështet juve, por duhet të dini se nuk keni çfarë t’u bëni ish-partizanëve, 28 mijë dëshmorëve të atdheut, veteranëve, komunistëve. Se qenë komunistët ata që drejtuan LANÇ-in kundër pushtuesve të huaj nazifashistë dhe çuan vendin e popullin në fitore. Alimadh-Hoxha, populli shqiptar nuk ju do ju ballistëve! Vendi ynë i dashur, Shqipëria, nuk bën përpara me injorancën që ju karakterizon! Nga bataku ku është zhytur, Shqipërinë e nxjerr socializmi. Kështu që mos e vir në diskutim që ballistët kanë qenë tradhtar dhe Balli Kombëtar është jashqitja e kombit!
-Dakord, por flitet se LANÇ-i nuk ka 28 mijë dëshmorë. Ju ç’mendim keni?
Pyetjes suaj do t’i përgjigjem, po, më parë, dua t’u kujtoj lexuesve se LANÇ-i i popullit shqiptar është lufta më të madhe dhe më e lavdishme në historinë e tij për çlirim kombëtar e shoqëror; është lufta antifashiste, demokratike e çlirimtare, që u shndërrua dora-dorës në revolucion popullor nëpërmjet kryengritjes së armatosur; është pjesë përbërëse e Luftës së Dytë Botërore, e organizuar dhe e udhëhequr nga PKSH-së, që fillon më 7 prill 1939, me qëndresën e popullit tonë kundër agresionit fashist italian dhe mbaron me çlirimin e plotë të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj fashistë e nazistë dhe vendosjen e pushtetit popullor, më 29 nëntor 1944. Gjithkush duhet të dijë se gjatë LANÇ-it populli ynë heroik dhe partizanët tanë trima, të organizuar në repartet ushtarake të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, luftuan dhe fituan kundër dy pushtuesve të mëdhenj : Italisë fashiste dhe Gjermanisë naziste, që njeri pas tjetrit pushtuan vendin tonë, si dhe kundër qeverive kuislinge e reaksionit të brendshëm dhe forcave të tyre të armatosura. Në Europë, Shqipëria është i vetmi vend që çlirimin e plotë të saj e realizoi me forcat e veta. Për arritjen e kësaj fitoreje historike, krijoi kushte të favorshme dhe lufta e Koalicionit të Madh Antifashist Botëror. LANÇ-i u shkaktoi armiqve pushtues italianë e gjermanë humbje të mëdha në njerëz e në teknikën luftarake. Në territorin shqiptar u vranë, u plagosën dhe u zunë robër mbi 70 mijë ushtarë e oficerë armiq. Po edhe vendi ynë pësoi humbje të mëdha. Bazuar në madhësinë e vendit (28 mijë km katrorë) dhe në numrin e vogël të banorëve (një milion banorë) gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria zë një ndër vendet e para për humbjet në njerëz dhe në të mira materiale. Truallin shqiptar e shkelën mbi 700 mijë ushtarë fashistë e nazistë, të cilët bënë rrënime dhe dëme të jashtëzakonshme: u vra dhe u gjymtua 7. 3 përqind e popullsisë; pati 28 MIJË TË RËNË; gati çdo familje shqiptare pësoi dëme në njerëz e në materiale; 21 përqind e shtëpive në fshatra e qytete ose u dogjën ose u rrënuan; urat, punishtet, fabrikat, minierat, portet, mjetet e ndërlidhjes etj. etj. ose u shkatërruan krejt ose u dëmtuan rëndë; u asgjësua një e treta e gjësë së gjallë etj. Në vlera monetare dëmet qenë kolosale! Së dyti, vijmë te pyetja juaj e fillimit. Rigels, çfarë nuk është thënë kundër LANÇ-it : janë mohuar jo vetëm të rënët, dëshmorët e saj, po edhe vetë LANÇ-i. Që LANÇ-i ynë ka pasur 28 MIJË TË RËNË dëshmorë, sa di unë, për herë të parë e ka deklaruar botërisht Enver Hoxha fill pas çlirimit në Konferencën e Paqes në Paris, e cila u mbajt nga data 27 korrik deri më 15 tetor të 1946-ës. Zoti Rigels, dëshmor i Atdheut nuk mund të quhet çdo njeri, po ai njeri që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore, që jep (fal) jetën e tij për të mirën e popullit e të Atdheut. Ata që janë kundër LANÇ-it e të rënëve dëshmorëve të saj, ata janë që “çirren” dhe thonë se LANÇ-i nuk ka 28 mijë të rënë dëshmorë. I nderuar, të rënët për çlirimin e Atdheut nuk kanë nevojë as për dosje me dokumente, as për vendime të marra të organeve shtetërore, siç “bërtasin” ata që gjatë LANÇ-it bashkëpunuan me pushtuesit kundër saj. Cilido qoftë ai që dyshon ose që thotë se LANÇ-i s’ka 28 mijë të rënë, dëshmorë, duke sjellur “argumente” falso, të rremë, më e pakta bëhet qesharak. Në gjuhën frënge, MARTYR (martir) do të thotë dëshmor, i rënë në luftë me armë në dorë kundër armiqve pushtues. Në fjalën e mbajtur në seancën plenare të Konferencës së Paqes në Paris (1946), Enver Hoxha, që e dinte mirë frëngjishten, deklaroi para 21 delegacioneve të shteteve pjesëmarrëse në Konferencë, se Shqipëria e vogël ka 28 mijë martirë, të rënë në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, dhe askush nuk kundërshtoi, as Caldarisi grek, në atë kohë, kryeministër i Greqisë dhe armik i egër i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Sa qe gjallë, Enver Hoxhën nuk guxoi ta kundërshtonte asnjë njeri. Sot që nuk jeton, njerëz të shitur tek të huajt dhe për interesa karrieriste e pasurimi shpifin lloj-lloj gjërash kundër tij, kundër LANÇ-it, kundër martirëve, të rënëve dëshmorë.
Intervistoi: Rigels Seliman
