E premte, 17 Prill, 2026

Moti i keq/ 13 mijë ha e 1587 banesa nën ujë, Rama: Dëmshpërblim, hidrovorët të gjithë në punë! Malaj: Fondi për situatën 50 mln euro

Share

Reshjet intensive të shiut deri më tani kanë përmbytur 13 211 ha tokë bujqësore dhe 1587 banesa. Bilanci u bë me dije nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile, nga ku garantoi çdo person të prekur se do të marrë dëmshpërblim. Shefi i qeverisë tha se deri më tani janë evakuuar 339 persona nga 51 familje.

“Deri tani janë në rang vendi, numëruar 1587 banesa me praninë e ujit, janë evakuuar 339 persona dhe 51 familje, po ashtu prania e ujit është konstatuar në 13211 hektarë tokë bujqësore ku një pjesë janë përmbytur, sikundër edhe disa qendra shëndetësore apo arsimore”, tha kryeministri.

Përballë ministrave, kryeministri iu përgjigj edhe akuzave të opozitës duke thënë se të gjithë hidrovorët kanë qenë në punë dhe se para nisjes së sezonit me reshje është siguriar gatishmëria e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorëve dhe kanaleve të ujërave të larta. Akuzave zgjodhi t’iu përgjigjet edhe me shifra, duke thënë se vetëm vitin e kaluar janë investuar 25 mln euro në infrastukturën e kullimit dhe këtë vit vetëm nga bashkitë është parashikuar një investim prej 11 mln eurosh, 8% më shumë se vjet.

Rama tha që sasia e reshjeve këto ditë ka qenë e jashtëzakonshme, dhe në vetëm pak orë ka rënë më shumë shi se sasia mesatare e reshjeve që bie gjatë gjithë muajit, por sipas tij ishte puna e bërë deri më tani që parandaloi dëme edhe më katastrofike.

Aleatët politik të shiut që shohin tek çdo tërbim të natyrës forcën që do të kompensojë impotencën e tyre kundër qeverisë, kanë llomotitur shumë për gjendjen e hidrovoreve të cilët kanë qenë në funksion të plotë pa pushim duke evaduar sasira të konsiderueshme të ujit dhe duke parandaluar kështu pasoja shumë herë më të rënda nga reshjet e këtyre ditëve.

Para fillimit të sezonit me reshje, drejtoritë e ujësjellësit dhe kullimit, kanë siguruar gatishmërinë e kanaleve kryesore, të kullimit, hidrovorët, kanalet ujërave të larta dhe të flotës prej 29 ekskavatorësh në drejtorinë qendrore. Është bërë inspektimi i argjinaturave të lumenjve edhe digave të rezervuarëve. Dalja e ujit nga rrjedha natyrale dhe përmbytja për pika vulnerabël është e pashmangshme në cilindo vend të planetit”, tha Rama.

Duke sjellë në vëmendje edhe situatën nga moti i keq më të cilën po përballet jo vetëm rajoni i Ballkanit perëndimor, por edhe Europa, kryeministri tha se kjo gjendje nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, duke ironizuar opozitës se lumenjtë nuk mund të kthehen në shtrat me protesta.

Shiu nuk ndalet me shpifje, si ato që nuk punojnë hidrovoret, lumenjtë nuk kthehen në shtrat me protesta si ato që s’kanë lidhje fare me arsyen pse përmbyten shtëpitë e ndërtuara në territore shumë vulnerabël; retë nuk shpërndahen me slogane si ai slogani kronik i çdo gjendjeje atmosferike të rënduar të shpallet gjendja e jashtëzakonshme”, theksoi Rama. 

Ministri i Financave Petrit Malaj tha se vlera totale për situatën e përmbytjeve në vend është mbi 50 milionë euro. 

“Në programin  e Emergjencave Civile kemi parashikuiar rreth 30 milionë euro të cilat janë të ndara në shpenzime kapitale për programin e Emergjencave Civile dhe ka të bëjë me financimin e objekteve apo projekte të cilat lidhen me parandalimin e fatkeqësive natyrore. Vlera që kemi alokuar është rreth 15 mln euro. Kemi planifikuar edhe fondin e kushtëzuar që është rreth 10 milionë euro dhe është një transfertë e kushtëzuar që menaxhohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe do të shpërndahet për njësitë e vetëqeverisjes vendore sipas një metodologjie mbështetur në hartën e riskut që po kryen kjo ministri. Kemi edhe fondin rezervë të Këshillit të Ministrave në vlerën 25 milionë eurove që do të vihet në dispozicion në varësi edhe të vlerësimeve që do të bëhet nga strukturat përkatëse. Kemi fondin për degat dhe rezervuarët dhe lidhet me financimin e projekteve për sigurimin e digave e rezervuarëve. Ky fond është rreth 5 milionë euro. Vlera totale shkon mbi 50 milionë euro që janë të disponueshme për situatën e krijuar”, tha Malaj.

Në mbledhjen gati 45 minutëshe, ministrat raportuan për situatën sipas sektorëve përkatës dhe gatishmërinë në terren. Rreth 5500 efektivë policie e mbi 720 forca të zjarrfikësve janë të shpërndara në të gjithë vendin tha ministrja e Brendshme Koçiu, ndërsa Vëngu i Mbrojtjes deklaroi se 502 efektivë të Forcave të Armatosura ndodhen në terren, në gatishmëri, që prej 3 janarit kur vendi është përfshirë nga moti i keq. Ministri i Bujqësisë njoftoi se janë ngritur grupet për evidentimin e dëmeve në terren, ndërsa mësimi është pezulluar në 54 shkolla në gjithë vendin tha ministrja e Arsimit Kumbaro.

Përveç anëtarëve të qeverisë, në mbledhjen e Komitetit e Emergjencave, morën pjesë edhe prefektët e qarqeve të prekura, përfaqësues të pushtetit lokal dhe deputetë.

Te tjera

Lajme te tjera