Në një seancë që nuk zgjati më shumë se 7 minuta, me 74 vota pro të mazhorancës, Kuvendi miratoi ndryshimet në Ligjin për Zonat Mbrojtura. Ndryshime do të përfshijnë që në disa prej territoreve të klasifikuara si zona të Mbrojtura, do të mund të ndërtohen struktura akomoduese me qëllim zhvillimin e turizmit apo agroturizmit, por me kushtin që të mbahet një ekuilibër mes natyrës dhe aktiviteteve të zhvilluara.
Miratimi i ligjit u kundërshtua nga deputetët e opozitës dhe nga disa protestues të shoqërisë civile, të cilët thanë se është një ligj me porosi dhe që u shërben interesave të oligarkëve. Deputetja Ina Zhupa tha se me ndryshimet e reja të bëra nga mazhoranca, do t’i hapet rrugë investimeve strategjike në Zonat e Mbrojtura.
‘Një ligj klientelist i bërë për oligarkë të caktuar pranë Ramës. Heq mbrojtjen e Zonave të Mbrojtura i bën ata sheshe ndërtimi ku mund të kryhen investime strategjike sipas kontratave që do të firmosin.’- tha Zhupa.
Deputetja Tabaku tha se ligji është në shkelje të direktivave të BE-së dhe se në këto kushte deputetët e PS-së kanë shkelur angazhimin e konventave për mbrojtjen e mjedisit.
“I morën i përdorën 12 deputetë të PS, ligj që ishte në shkelje të direktivave të BE, me ligjin e miratuar në zonat e mbrojtura do jepen investime strategjike, hotele me 5 yje.’- u shpreh Tabaku.
Për deputeten e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ligji i shërben interesave të babëzisë kriminale të një grushti oligarkësh.
Por ministrja Mirela Kumbaro, tha se propozimet e qeverisë janë në përputhje me direktivat e BE-së.
‘Propozimet e ministrisë dhe qeverisë janë në përputhje me direktivat europiane. Duke përcaktuar qartë zonat ku mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi, agroturizmi, në zona që përveç ndërhyrjes miqësore me mjedisin mund të ofrohen struktura që garantojnë cilësinë më të lartë të mikpritjes.’- tha Kumbaro.
Pas votimit një reagim e kishte edhe delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili teksa kujtoi detyrimin që ligje të kësaj natyre kërkojnë konsultim publik para miratimit, garantoi se do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura.
Menjëherë pas deklaratës së tyre, erdhi edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
“100% në një mendje me Bashkimin Europian! Ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura.” ka shkruar kryeministri në rrjetin social “X”
Ndryshimet në ligj parashikojnë përcaktimin e kritereve për cilësimin qartë se në cilat hapësira të zonave të mbrojtura mund të ndërhyhet me nevojën për zhvillim të komuniteteve, orientuar nga turizmi dhe agroturizmi. Brenda 18 muajve nga hyrja ne fuqi, Këshilli i Ministrave dhe ministria përgjegjëse për zonat e mbrojtura miraton aktet e nevojshme për shpalljen e zonave të mbrojtura sipas ndryshimeve të bëra së fundi.
‘Turp që votove ligjin!’ Erjon Braçe i kthehet keq protestuesve para Kuvendit: Paskeni marrë dhe hajdutin e Saliut
Me 74 vota pro u miratuan këtë të enjte në Kuvend ndryshimet në ligjin për “Zonat e mbrojtura” që sipas mazhorancës i hap rrugë ndërtimeve ekologjike në këto territore për t’i vënë në shërbim të ekonomisë së komuniteteve. Jashtë parlamentit protestuan aktivistë të shoqërisë civile.
Në momentin kur dolën deputetët protestuesit vijuan të thërrisnin “Turp!” “Turp”
Nga protesta u dëgjua zëri: Erion, turp që votove ligjin!.
Nga ana e tij Erjon Braçe iu kthye: “Paskeni marrë edhe hajdutin e kohës së Saliut me vete?”
“Paskeni marrë edhe hajdutin e kohës së Saliut me vete? E keni marrë edhe atë aty? Se ai hajduti i Saliut e ka mbrojt Divjakën! Ai hajduti i Saliut e keni aty” tha Braçe.
Miratimi i ligjit për zonat e Mbrojtura, Rama: 100% në një mendje me BE-në
Kryeministri Edi Rama thotë se ndryshimet e miratuara sot për ligjin për Zonat e Mbrojtura janë 100% me një mendje me Bashkimin Europian. Kreu i qeverisë ka publikuar reagimin e BE-së dhe thekson se në këto 10 vitet e fundit është bërë një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit.
‘100% në një mendje me Bashkimin Europian! Me vizionin e Shqipëria 2030 dhe vullnetin e palëkundur për ta bërë këtë vend një destinacion turistik të nivelit më të lartë mesdhetar, ne kemi bërë në 10 vitet e fundit një përparim shembullor në mbrojtje të biodiversitetit dhe sot jemi të parët në rajon për sasinë e zonave të mbrojtura. Ndryshimet e sotme e forcojnë bazën e rrugës sonë ambicioze për zhvillim të qëndrueshëm në harmoni me bukurinë mahnitëse të Shqipërisë.’- shkruan Rama.
Ligji për zonat e mbrojtura, BE: Ndjekim me vëmendje zbatimin sipas kuadrit ligjor të Bashkimit Europian
Bashkimi Europian ka reaguar pasi Kuvendi miratoi ligjin e ri për zonat e mbrojtura. Delegacioni i BE në vendin tonë shkruan se do të ndjekin zbatimin e ligjit të ri sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë.
“Rruga e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian është e qartë. Ajo kërkon përpjekje të vazhdueshme nga qeveria dhe parlamenti për të siguruar që legjislacioni shqiptar të përafrohet me standardet evropiane.
Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent.
Delegacioni i BE-së do të ndjekë me shumë vëmendje zbatimin e dispozitave të reja ligjore për zonat e mbrojtura, sipas kuadrit ligjor të BE-së për mbrojtjen e mjedisit dhe angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë”, shkruan delegacioni i BE.
Miratimi i ligjit ‘Për zonat e Mbrojtura’, Kumbaro: Do ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin
Pas miratimit për Zonat e Mbrojtura ministrja e Mjedisit Mirela Kumbaro ka dhënë detaje në lidhje me amendimet që u bën në këtë ligj. Kumbaro tha se do të ketë ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin për turizmin, vetëm në zonat e parashikuara, të cilat do tu pëmbahen rregullave strikte. Amendimet që u miratuan sot japin rrugë për rregulla shumë të qarta.
‘Vjen në parlament si një nisëm deputetësh që marrin shkas nga një kërkesë e shumë kryetarësh bashkish. Kanë pasur të drejtat legjitime për të kërkuar një tjetër bashkëpunim. Në dijeninë e të gjithëve ka pasur shumë konsultime publike, kryesisht të organizatave mjedisore.
Qeveria është marrë gjatë me atë draftligj e kam shprehur edhe informalisht me takimet me shoqërinë civile që janë disa linja të kuqe që nuk mund të preken. Të mos preken direktivat e BE-së. Dua të kujtoj që në 2021 Shqipëria kishte 17% të territorit zonë e mbrojtur.
Nuk është kaq e lehtë që në një vend të vogël sa Shqipëria të kesh një 1/5 e territorit zona të Mbrojtura. Nuk do të preket sipërfaqja e territorit të zonave të Mbrojtura. Nuk do të ketë ndarje të territorit të zonave të mbrojtura me bashkitë do të vazhdojnë që të administrohen nga Agjencia e Zonave të Mbrojtura. Duhet të ketë rregulla të qarta. Në këto territore jetojnë njerëz prej shekujsh.
Amendimet që u miratuan sot japin rrugë për rregulla shumë të qarta. Pjesa tjetër e rëndësishme, vetëm në zonat e parashikuar për brenda kritereve shumë strikte do të jenë të mundura të zhvillohen me 3,4 filtra disa ndërtime ekologjike dhe miqësore me mjedisin. Ka disa vija të kuqe që nuk preken pasi prekin thelbin e ndryshimeve.
E rëndësishme është të ruajmë lidhjen e njeriut me territorin. Tu japim mundësinë shqiptarëve që të jetojnë aty. Atje ku kërkojmë të bëjmë truizmin natyror duhet ofruar edhe shërbime që janë miqësore me mjedisin. Dua të siguroj të gjithë se komunikimi me komunitetin me bashkitë, u japim një zgjidhje kompromisi. Nuk pikasim asgjë pasi asgjë nuk është parashkruar. Ne vendosim rregulla. Kriteret përcaktohen nga ekspertët e ministrisë.
Me delgacionin e BE-së dhe me gjithë partnerët kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm është i vetëm komunikim i njëjtësuar.’- tha Kumbaro.
