E enjte, 15 Tetor, 2026

Minutë pas minute/ Studentët ndezin sërish flakë Tiranën, gurë, ujë, gaz lotsjellës dhe përplasje me policinë

Share

Qendra e Tiranës është mbuluar nga tymi, ndërsa protesta studentore vijon mes zjarreve dhe tensioneve të forta. Protestuesit u kanë vënë flakën stolave të marrë nga hapësirat publike pranë Sheshit Skënderbej, duke krijuar një tjetër vatër zjarri në një prej kryqëzimeve kryesore të kryeqytetit.

Stolat janë zhvendosur në dalje të Rrugës së Durrësit, ku janë grumbulluar në mes të rrugës dhe më pas janë djegur. Flakët kanë shkaktuar shtëllunga të dendura tymi, të cilat janë përhapur në qendër të Tiranës.


Ndërkohë, demonstruesit janë ndarë në dy grupe. Një pjesë e tyre vijojnë të qëndrojnë pranë Ministrisë së Arsimit, ku është raportuar se është ndezur sërish zjarr brenda ambienteve të institucionit.


Grupi tjetër është përqendruar në dalje të Rrugës së Durrësit, pranë stolave të përfshirë nga flakët.

Situata mbetet e tensionuar në ditën e dytë të protestës studentore, e cila është shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe policisë, hedhje gurësh dhe ndërhyrje të forcave të rendit me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Djegia e stolave dhe zjarri i raportuar në Ministrinë e Arsimit shënojnë një tjetër episod të dëmtimit të pronës publike gjatë protestës, ndërsa tymi i dendur vijon të mbulojë qendrën e kryeqytetit.

Protesta e studentëve, shkon në 20 numri i personave të shoqëruar nga policia

Tensione dhe përplasje mes studentëve protestues dhe forcave të policisë janë regjistruar gjatë tubimit para Ministrisë së Arsimit, ku të rinjtë kanë kundërshtuar ndërhyrjen e efektivëve duke hedhur gurë në drejtim të tyre.

Situata është përshkallëzuar, ndërsa policia ka përdorur ujëhedhëse dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Megjithatë, studentët nuk janë tërhequr, duke vijuar qëndresën në sheshin përpara ministrisë.

Ndërkohë, policia ka ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll, duke shoqëruar deri më tani 20 të rinj në lidhje me incidentet e ndodhura gjatë protestës.

Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, situata mbetet e tensionuar, ndërsa protestuesit vijojnë të qëndrojnë në zonën përpara Ministrisë së Arsimit.

Protestuesit kanë ngritur gjithashtu barrikada në mes të Rrugës së Durrësit, duke bllokuar qarkullimin dhe duke refuzuar të largohen nga zona.

Më herët, gjatë protestës, janë regjistruar edhe incidente me zjarrvënie në godinën e Ministrisë së Arsimit dhe në një objekt në pronësi të një biznesi privat.

Te tjera

Lajme te tjera