E mërkurë, 5 Gusht, 2026

Miliona eurot për të baltosur Lulzim Bashën, po bëhen baltë për baltën!

Share

Nga Gentian Gaba

Miliona euro janë harxhuar ndër vite për të goditur Bashën, veçanërisht në dy vitet e fundit, sepse pas 9 shtatorit, me të mirat e të këqijat e tij, mori përsipër një betejë të pabarabartë kundër njerëzve më të pushtetshëm të tranzicionit.

Balta e hedhur ndaj tij kishte vetëm një qëllim, mbajtjen e status quo-së, duke penguar, vetëm përkohësisht, një vullnet të administratës Amerikane për të luftuar korrupsionin dhe përmes sanksioneve, për të mundësuar atë që qytetarët dhe sistemi i drejtësisë nuk ka arritur dot gjithë këto vite: Një ndryshim të kastës së vjetër politike, atyre që kanë konsumuar dhe konsumojnë sot e kësaj dite më shumë pushtet politik dhe ekonomik se kushdo tjetër në Ballkan.

Një ndryshim që mund të fillonte vetëm nëpërmjet reformimit të PD-së.
Kur ky reformim i vonuar nisi për vullnet të Bashës, mori jetë edhe kundër-reforma, me emrin foltore, por sigurisht ishte më transversale në përbërje. U hapën thasët e korrupsionit të vjetër e të ri dhe çdo ditë e çdo natë, ekraneve e portaleve, derdhej vrerë i financiuar për të denigruar Bashën dhe për të sabotuar procesin e nisur nga ky i fundit.

Momentalisht ia arritën, Basha dha dorëheqjen, por asgjë nuk ndryshoi, përkundrazi, gjërat u bën më keq, revolucioni mbeti rrugëve dhe në vend që të rriteshin kërkesat për ndryshim, u inflacionuan pazaret për mbijetesë nga ata që pas zjarrit të parë të përballjes, u vithisën nga frika e humbjes së karrigeve të tyre.
E ja ku jemi sot, ndërsa një pjesë e deputetëve janë fshehur në pasigurinë e tyre dhe një pjesë tjetër ka nisur të riciklojë akuza të dala boje për të kamufluar piruetat e paparmita, Basha vijon me durim punën e tij, që sot merr një jehonë ndërkombëtare të shuguruar nga unanimiteti në votën e Këshillit të Europës. Një mbështetje dhe promovim i qartë për kreun e PD-së, që davarit tymin e zi të sponsorizuar për të zbehur lidershipin e tij.

E megjithatë, e sotmja nuk është një fitore për Lulzim Bashën, ai ka ditur të mbajë goditjet e njëpasnjëshme dhe ka vazhduar në rrugën e tij, pasi barra e vërtetë e lidershipit është të marrësh vendime që momentalisht mund të perceptohen si jo popullore, duke sakrifikuar nga vetja e tij, siç edhe bëri në 21 mars të 2022-shit.

Mbi të gjitha dita e sotme shënon disfatën e të gjithë atyre që për dy vite u bënë pjesë e makinerisë së baltës, e që këtë mbrëmje, nga Tirana, shohin Bashën në Këshillin e Europës, ku me siguri, teksa përfundon ditën e tij, këndon refrenin e këngës së Vasco Rossit, Eh già: “IO SONO ANCORA QUA!”

Te tjera

Lajme te tjera