Presidenti i Republikës, Ilir Meta paralajmëroi se hapi i tij i parë pas përfundimit të mandatit presidencial në 24 korrik do të jetë krijimi i një lëvizje të re politike. Në një intervistë televizive për “Syri.TV”, kreu i shtetit shqiptar pranoi se përpjekjet e tij për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dështuan duke theksuar se sovraniteti i vendit tonë është baltosur. Ai premtoi se në plan të parë kur të rikthehet në politikë do të vendosë sovranitetin e Shqipërisë. “Unë sot nuk jam në 25 korrik. Është dëmtuar sovraniteti i vendit, qytetari duhet të jetë zoti i vërtetë. Kjo do të jetë një nga çështjet më madhore që do angazhohem. U angazhova për integrimin evropian. Mendova të toleronim pak nga sovraniteti për integrimin, sovraniteti u bë baltë, integrimi u vonua. Sovraniteti është tema kryesore në aspektin kombëtar, ekonomisë, dhe në shumë të tjera. Është një temë që do t’i takojë të ardhmes. Opozita ka qenë e kapur dhe e shitur. Më 25 Korrik 2022 opozita do ridimensionohet”, deklaroi kreu i shtetit.
Presidenti: Basha kec, kam qenë i tradhtuar në çdo drejtim
Meta iu kthye akuzave se mazhoranca dhe opozita minuan demokracinë nëpërmjet bashkëpunimit që prej vitit 2019 kur u dogjën mandatet parlamentare nga opozita dhe kjo e fundit bojkotoi zgjedhjet lokale. Meta sulmoi ish-kreun e opozitës Lulzim Basha duke e quajtur “kec” për sjelljet politike në 2019. Ai deklaroi se opozita shqiptare është shitur dhe e kapur nga kryeministri Edi Rama. “Me Bashën i kam pasur gjërat e qarta para 25 prillit. Ia kam thënë dhe Berishës dhe Kryemadhit. Kam qenë i tradhtuar dhe i provokuar nga të gjitha drejtimet. Opozita ka qenë e kapur dhe e shitur. Ndaj ndodhi ajo që ndodhi më 25 prill. Madje e kam paralajmëruar më herët djegien e mandateve që në 2018. Kam pasur më pak kompetenca. Djegia e mandateve ka qenë e koordinuar mes Ramës dhe Bashës. U duhej djegia e mandateve që të mos futeshin në zgjedhje. Kur më thanë që do digjnin mandatet, u thashë: ‘Po Rama pikërisht këtë do. Pse me këtë kecin (Bashën) ju do e përmbysni Ramën?!’ ”, foli për sulmet ndaj mazhorancës dhe opozitës presidenti Ilir Meta.
Meta premton referendume
Ndër të tjera, presidenti i republikës sulmoi format e kërkimit të opinioneve të qytetarëve nga qeveria për çështje të caktuara (Këshilli Kombëtar), si forma qesharake politike. Ai premtoi se do të mbështesë zhvillimin e referendumeve si forma më e mirë e komunikimit për vendimmarrje demokratike. “Dua që shqiptarët të flasin me referendume, jo me këto të këshillimit. Janë forma qesharake. Rama çoi për riedukim një gazetare se s’ka nerva që të dëgjojë. Paska vullnet të mirë të dëgjojë 500 mijë qytetarë për shumë çështje”, shtoi më tej Meta.
Kreu i shtetit: President konsensual një farsë
Lidhur me çështjen e negociatave për zgjedhjen e presidentit, Meta e konsideroi një proces farsë të Partisë Socialiste duke e krahasuar me atë të Këshillimit Kombëtar. Sipas tij, PS i ka numrat për të zgjedhur kreun e ri të shtetit dhe opozita nuk mund t’i imponohet shumicës socialiste për gjetjen e një drejtuesi shteti me konsensus. Meta e konsideroi opsionin e zgjedhjes së presidentit konsensual mes PS-PD si vazhdim i procesit të përçarjes së opozitës. Ai u shpreh zgjedhjes së një presidenti/je socialist/e me integritet të lartë. “Nuk shoh asnjë mundësi që opozita aktuale për shkak të përbërjes së saj t’i imponohet mazhorancës. Mazhoranca i imponohet opozitës për të mbajtur peng veprimin opozitar në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve çdo ditë. Ky proces është farsë, si reklama për këshillim e popullit. Jam kundër farsës. Opozita është bërë pjesë e farsës opozitarë. Shumica e shqiptarëve janë në opozitë. Lojërat e 25 prillit dhe ato të presidentit janë nuk do të kishte asnjë arsye për t’u futur në procese fiktive. Nëse është një socialist me integritet nuk e kam problem të jetë në krye të vendit. Nëse e duan të ruajnë disa balanca me opozitën se kanë kapur shtetin dhe duan t’ia delegojnë presidentin opozitës. Nëse gjejnë president të përbashkët, është një proces i përçarjes së opozitës që është një lojë që ka vazhduar për shumë kohë”, përfundoi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta./Rigels Seliman/