Nëse Giorgia Meloni është zemëruar me verdiktin e Gjykatës së Romës dhe ka mbledhur për nesër (e hënë, 21 tetor) Këshillin e Ministrave për një mbledhje urgjente, kjo ndodh sepse është e bindur se në lojë ka diçka shumë më të madhe se “modeli i Shqipërisë” për çështjen e emigrantëve.
Këtë herë kryeministrja italiane nuk deklaron në mënyrë eksplicite për një “konspiracion” ndaj qeverisë së saj, por sheh rrezikun që një pjesë e “politizuar” dhe e “paragjykuar ideologjikisht” e gjyqësorit mund të lëvizë në harmoni me opozitën me synimin për të kapërcyer vullnetin popullor dhe neutralizimin e reformës ndaj vendimit të qeverisë.
“E majta po përpiqet të minojë lidershipin tim në Europë, sepse jemi duke mësuar”, është thirrja e kryeministres.
E cila, megjithatë, sipas burimeve qeveritare, ka besim në efektin bumerang: “Italianët na kërkojnë siguri dhe nuk mendoj se kur votojnë në Liguria, do të shpërblejnë ata që duan të fshijnë kufijtë e kombit”.
Dekret ligjor “ad hoc”
Me këtë gjendje shpirtërore, të rënduar nga jehona e përplasjes së re dhe shumë të ashpër me gjyqësorin dhe nga opozita që paralajmëron kallëzime për shpërdorim të financave, kryeministrja i besoi nënsekretarit Alfredo Mantovano detyrën delikate për të zbërthyer rrëmujën legjislative dhe të koordinojë me Palazzo Chigi-n (selia e qeverisë) punën me ministritë.
Objektivi është strategjik: të dekretohet një ligj “ad hoc” gjatë fundjavës, i cili konfirmon linjën e ashpër dhe shmang dështimin e thellë të paktit Meloni-Rama për dëbimin jashtë shtetit të emigrantëve të parregullt, shkruan gazeta italiane “Corriere della Sera”.
Nuk ka kthim prapa, ky është diktati: nëse një anije italiane me emigrantë të tjerë në bord nuk zbarkon në Shëngjin deri të mërkurën ose të enjten, kjo do të jetë vetëm për shkak të kushteve të këqija atmosferike që nuk lejojnë “shpëtime” në det.
Përgatitja dhe depozitimi i rregullave të reja së bashku me teknikët e Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Drejtësisë do të vazhdojë deri në orën 6 të mbrëmjes së të hënës (21 tetor), kur kryeministrja do të mbledhë Këshillin e Ministrave dhe do të ilustrojë dispozitën, në mungesë të drejtuesit të Forza Italia-s dhe Ministrit të Jashtëm Antonio Tajani (me mision në Lindjen e Mesme).
Instrumenti ligjor i identifikuar, është dekret ligjor, i cili në synimet e Palazzo Chigi-t, shërben për të “mbyllur çështjen e vendeve të sigurta”.
Urgjenca e qeverisë italiane për këtë lëvizje është e dyfishtë: për të zbutur dështimin e modelit të Shqipërisë dhe për të parandaluar kolapsin e procedurës së përshpejtuar të riatdhesimeve në të gjithë territorin italian dhe të gjithë Paktit Evropian për Migracionin dhe Azilin.
“Tema shkon përtej interesit tonë kombëtar”, i ka përsëritur kryeministrja Meloni ministrave të saj, e mbështetir fort edhe nga vlerësimi i Ursula von der Leyen.
Kontaktet
Nga Palazzo Chigi, ku është e dukshme pakënaqësia dhe shqetësimi i Presidentit Mattarella për përplasjen me magjistratët e Romës, Mantovano po diskuton në nivelet më të larta me zyrat ligjore të Quirinale-s (Ministria e Brendshme) për të zgjidhur nyjën politike dhe rregullatore në mënyrën më pak të dhimbshme.
Teknikisht, pikënisja është dekreti ndërministror i 7 majit 2024 me listën e vendeve të origjinës së emigrantëve që qeveria italiane i konsideron të sigurta.
Në Farnesina (Ministria e Punëve të Jashtme), pranojnë se “disa praktika ligjore do të duhet të ndryshohen” gjatë punës.
Hapi vendimtar është ngritja e këtij drafti në një ligj parësor, i cili ndodh duke shkruar një dekret ligjor dhe që do të përmbajë – ndoshta në formën e një aneksi – listën e re të vendeve të sigurta, që synohet të përditësohet çdo gjashtë muaj.
“Nuk i takon gjyqësorit të vendosë nëse një shtet është i sigurt, – paralajmëroi ministri i Drejtësisë, Nordio. – Është çështje e politikës së lartë”.
Ekzekutivi kërkon të “neutralizojë” vendimin e 4 tetorit të Gjykatës së Drejtësisë së BE-së, sipas të cilit nuk ka vende pjesërisht të sigurta, vendim i cili shërbeu si bazë ligjore për mos mbajtjen e 12 emigrantëve nga Egjipti dhe Bangladeshi, të cilët u larguan nga qendra e pritjes në Gjadër.
Anashkalimi i vendimit të Gjykatës së Drejtësisë nuk është një gjë e lehtë, pranon edhe e djathta, por ekspertët besojnë se forcimi i listës së vendeve të sigurta me një ligj, e bën më të vështirë për gjoja “gjykatësit e ideologjizuar”, të cilët minojnë dispozitat e qeverisë.
Përcaktimi i listës së vendeve të sigurta me një ligj real, do të bënte të mundur tejkalimin e situatave kritike, duke penguar gjyqësorin të mos të zbatonte rregullat (siç ndodhi me aktin administrativ), të paktën duke i sfiduar ato para Gjykatës Kushtetuese.
Apelimet e qeverisë
Ministri i Brendshëm, Piantedosi, ka paralajmëruar apelime pas vendimit të Gjykatës së Romës. Mes hipotezave në studim, është edhe ideja që mosvleftësimi i paraburgimit të bëhet i apelueshëm.
Dhe mes rreshtave të dekretit mund të jetë edhe atribuimi i një rëndësie më të madhe juridike vendimit të Komisionit të Territorit, i cili përcakton pranimin ose jo të kërkesës për azil.
Ndalimii emigrantëve, i urdhëruar nga komisariati i policisë në Itali, nuk mund të ankimohet përveçse nga gjykatësi. /Gazeta “Si”/