Ndërtimi i laboratorëve të akredituar nga BE, finalizimi i regjistrit ndërkombëtar të fermave, parcelave, kafshëve, si dhe lançimi i platformës virtuale EuroAgro-Albania 2025-2030, janë një sërë prej mekanizmave që qeveria ka ndërmarrë me qëllim integrimin e fushës së bujqësisë dhe përshtatjes me kushtet evropiane.
Kryeminisri Edi Rama dhe ministri i Bujqësisë Andis Salla ishin sot të pranishëm në aktivitetin “Me fermerët në Shqipërinë në 2030” ku me qëllim prezantimin e mekanizmave që do të bëjn të mundur përmbushjen e reformave dhe standardeve evropiane si dhe përgatitjen e fermerëve shqiptarë për të qenë pjesë e tregut të BE-së.
Rama u shpreh se nga kontrata me BE-në, pjesa për bujqësinë është më e vështira dhe nëse dikush nuk është i gatshëm për të përballuar standardet e reja, kontrolleve rigorozë, cilësisë së lartë, etj, e ka të pamundur t’i mbijetojë sfidës.
“Ana e errët është ajo që pret këdo që nuk është i përgatitur për atë ditë, sepse negociatat me BE-në dhe marrëveshja e anëtarësimit nuk janë fjalë dhe as procese thjesht të lidhura me atë që ne shkruajmë në letër, por janë kontrata shtetërore komplekse, ku çdo faktor duhet t’i përgjigjet kontratës. Kontrata për bujqësinë është më e vështira, ashtu siç është edhe më e mirëpritura për ata që janë të përgatitur për t’u përballur me kushtet, standardet dhe kontrollet që burojnë nga cilësia e lartë dhe siguria e produkteve, kur vjen puna për të qenë lojtar në tregun e BE-së”, tha Rama.
Kryeministri foli dhe me shifra përsa i përket numrit në rritje të fermerëve që sot marrin mbështetje ekonomike duke numëruar 67.500 fermerë nga 5.600 që ishin vite më parë. Ndër të tjera, Rama thotë se është ulur deficiti tregtar dhe se numri i eksporteve është rritur.
“Numri i fermerëve që merrnin një mbështetje simbolike më parë nga shteti ishte 5 600, sot është 67 500. Eksportet ishin thjesht dhe vetëm një aktivitet i një grushti fermerësh që ia kishin dalë deri aty dhe deficiti tregtar ishte një katastrofë unike në rajon. Për çdo euro të eksportuar, ne importonim 9 euro ushqim. Ndërkohë sot produktet tona shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysmë miliard euro. Deficiti nga 1 me 9 është ulur në 1 me 3 dhe synimi ynë është të shkojmë në 1 me 2”, tha Rama.
Rama gjithashtu siguroi mbështetjen e duhur për çdo projekt që është i duhuri. Ai foli dhe për platformën EuroAgro Albania, i cilësuar si një instrument ndërveprimi mes fermerit dhe qeverisë që duhet të bëhet pjesë e punës së përditshme të fermerëve me qëllim rritjen e eporteve, prodhimeve apo fondeve.
“Çdo projekt që do të jetë i duhuri dhe që do të mbështetet me dije nga ana e çdo aplikanti, as nuk diskutohet që do të financohet në një mënyrë ose në një tjetër. Euro Agro Albania nuk është një faqe e re interneti, por një instrument të cilin të gjithë ju që janë në fermë dhe duan të rrisin eksportet, prodhimin, cilësinë, kapacitetet, fondet në dispozicion të projekteve të tyre duhet ta marrin, ta pasurojnë dhe ta kthejnë në një instrument të punës së përditshme”, tha Rama.
