E hënë, 23 Nëntor, 2026

Mbyllet Maratona e Tiranës, lista e fituesve për meshkuj dhe femra! Dominojnë sportistët nga Kenia

Share

Kryeqyteti shqiptar ka ulur siparin e edicionit të 9-të të Maratonës së Tiranës 2025. 5100 garues nga 58 shtete të ndryshme morën pjesë në katër aktivitet që e ktheu Tiranën në kryeqytetin e atletikës. Moshat në këtë event ishin të ndryshme, teksa 92-vjeçari gjerman Heinz Kirch ishte pjesëmarrësi më i vjetër, por një 84-vjeçar ishte garuesi më i vjetër në disiplinën e 10 kilometrave. Pjesëmarrës ishin edhe emra të njohur nga politika apo figura publike.

Me energji dhe garim, Maratona e Tiranës u nda në katër kategori. Maratona e plotë (42 km), Gjysmë-maratona (21 km), 10 km dhe “Fun Run & We Too”, e dedikuar për familjarë, amatorë dhe persona me aftësi ndryshe.

Sportistët nga Kenia ishin ata që dominuan në Maratonën e 42 kilometrave, si për meshkuj edhe për femra. Keniani Benard Kiprotich Too u shpallk fitues i Maratonës për meshkuj me kohën 2 orë 21 minuta e 35 sekonda, i ndjekur nga bashkatdhetarët Derrick Chege Njoroge dhe Shedrack Kiptoo Kimaiyo. Paraqitje shumë të mirë bënë edhe atletët shqiptarë Ilir Kellezi dhe Altin Vorpsi, që mbyllën garën respektivisht në vendin e 8-të dhe të 9-të.

Edhe për femra në disiplinën e 42 kilometrave dominuan sportistet nga Kenia. Chelangat Sang u shpall fituese me kohën 2 orë 39 minuta dhe 21 sekonda, e ndjekur nga Rose Jepchumba dhe Lina Jepkemoi. Blerina Bregu u rendit e 4-ta.

Në gjysmë maratonën e 21 kilometrave ishin sportistët nga Kenia që triumfuan

Për femra, Valentine Jebet e mbylli e para me kohën 1 orë 17 minuta dhe 44 sekonda, ndjekur nga bashkëkombaset Kavindu Jacinta dhe Japkemoi Lina. Shqiptarja Kristina Pura u rendit në vendin e pestë dhe Julinda Peshku e dhjeta.

Për meshkuj, Maiyo Kiptum Hillary doli i pari me kohën 1 orë 4 minuta e 17 sekonda, ndjekur nga bashkëkombasit e tjerë, Raphael Gacheru dhe Kennedy Kipkemoi.

Në kategorinë 10 kilometra ishte Redia Dauti që u shpall fituese, ndjekur nga Sebahat Demir dhe Natalie Wangler. Për meshkuj ishte Adam Lomb që mori vendin e parë, ndërsa u ndoq nga Albion Ymeri dhe polaku Krystof Symanowski.

Garuesit më të mirë shqiptarë

10 km – FEMRA-SHQIPTARE
Vendi 1 – Elisabeta Marku
10 km – MESHKUJ-SHQIPTAR
Vendi 1 – Thomas Greco
21 km – FEMRA-SHQIPTARE
Vendi 1- Julinda Peshku
21 km – MESHKUJ-SHQIPTAR
Vendi 1 – Gent Muca
42 km – FEMRA-SHQIPTARE
Vendi 1 – Blerina Bregu
42 km – MESHKUJ-SHQIPTAR
Vendi 1- Ilir Kellezi

Çmimet

Për fituesit u ndanë edhe çmimet respektive. Vendi i parë mori 5 mijë euro, i dyti 3 mijë euro dhe i treti 2 mijë euro.

Itinerari

Itinerari i maratonës përfshinte sheshin “Nënë Tereza”, bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshin “Papa Gjon Pali II”, segmentin pranë RTSH-së, urën e Rrugës së Elbasanit, godinën e Parlamentit, sheshin “Skënderbej”, bulevardin “Zogu i Parë” dhe “Zogu i Ri”, si dhe rrugët “Durrësit”, “Kavajës”, “Myslym Shyri”, bulevardin “Zhan D’Ark” dhe rrugët “Ibrahim Rugova” e “Lek Dukagjini”.

Te tjera

Lajme te tjera