Deputetja e PS e Elbasanit, Sara Mila, ka vizituar një bletari në Labinot Mal, ku është njohur nga afër me punën dhe përkushtimin e bletarit Arben Zaimi në mirëmbajtjen e bletëve dhe prodhimin e mjaltit.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Mila shprehet se gjatë vizitës, së bashku me Ardit Demirin, pa nga afër procesin e punës së Zaimit, ndërsa u njoh edhe me ecurinë e procedurave për përfitimin nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026.
Sipas deputetes, këtë vit mbështetja për bletarinë është dyfishuar, duke arritur në 2 mijë lekë për koshere.
“Këtë vit mbështetja për bletarinë është dyfishuar, duke arritur në 2,000 lekë për koshere, një ndihmë konkrete për njerëzit që punojnë çdo ditë dhe mbajnë gjallë ekonominë e zonave tona rurale”, shkruan Mila.
Ajo thekson se skemat e mbështetjes marrin vlerën e tyre kur përfitojnë drejtpërdrejt njerëzit që punojnë në sektorin rural, duke i ndihmuar të vijojnë aktivitetin dhe të krijojnë më shumë mundësi për zhvillimin e tij.
Vizita në Labinot Mal vjen në kuadër të promovimit të prodhimeve lokale dhe vlerësimit të punës së fermerëve dhe blegtorëve të zonës.
