Sipas një studimi 8% e bebeve në të gjithë botën kanë vështirësi në frymëmarrje në momentin e ardhjes së tyre në jetë, ndaj dhënia e ndihmës së parë në mënyrë profesionale dhe emergjente është jetike.
E përkthyer në shifra, afërsisht 1 në 10 foshnja duhet ndihmuar nga stafet mjekësore për të marrë frymë, ndryshe rastet e komplikuara mund të shkojnë deri në fatalitet. Sipas mjekëve vlerësimi i shpejtë në momentin e lindjes është rruga më e mirë për të kuptuar që duhet të ndërhyhet që bebja të fillojë frymëmarrjet e veta.
Që kjo ndihmë të jepet në kohë dhe në mënyrë profesionale, mjekët e rinj, infermierët, mamitë duhet të trajnohen në mënyrë periodike në mënyrë të tillë që reagimi i tyre të ndihmojë bebet për të jetuar.

Si pjesë e programeve të edukimit të vazhdueshëm në sistemin shëndetësor dhe Certifikuar nga Akademia Amerikane e Pediatrisë, Qendra Shqiptare për Zhvillimin dhe Popullsinë, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, UNFPA në Shqipëri dhe LDSC sollën në vendin tonë mjekë të huaj dhe neonatolog shqiptarë të trajnojnë stafet mjekësore, kryesisht ata që punojnë në maternitetet e vendit për t’u dhënë bebeve ndihmën e parë.
Elona Gjebrea, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Shqiptare për Zhvillimin e Popullsisë tha se minutat e para të bebeve janë jetike ndaj ky trajnim synon se si të përgatiten stafet mjekësore nga profesionistë vendas dhe të huaj për të çuar në zero numrin e fataliteteve.
“Cikli i parë i trajnimeve është për mjekët që janë në procesin e lindjes dhe më pas trajnimi do të jetë për anestezistë dhe infermierë, jo detyrimisht në lidhje të ngushtë me sallën e lindjes, por rrethanat mund të jenë të tilla që mund të çojnë në një veprim të tillë për të shpëtuar jetën e foshnjeve. Trajnuesit amerikanë vijnë nga një përvojë e gjatë në sistemin shëndetësor dhe në anën tjetër jemi optimist që ka patur një numër të lartë të stafit mjekësor që kanë treguar interes për të ndjekur këtë trajnim intensiv”, tha Gjebrea.
Trajnimi dhe ky takim i shkëmbimit të përvojave nuk është i pari i realizuar në vendin tonë.about:blank
Drejtuesja e UNFPA në Shqipëri Manuela Bello u shpreh me rëndësinë e këtij trajnimit dhe kujdesi për shëndetin riprodhues.
“Shëndeti riprodhues duke përfshire këtu shëndetin amtar dhe foshnjor konsiderohet prioritet për UNFPA. Për të përmbushur objektivat kyçe në këtë fushë, me fokus të veçantë forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor, ne do të vijojmë të punojmë ngushtësisht me MShMS dhe ACPD”, tha Bello.about:blank
Më herët është zhvilluar një trajnim i ngjashëm për sëmundjen e Pre-eklampsia që shfaqet vetëm në shtatzani. Ajo mund të prekë bebin, nënën ose të dy bashkë në më të shumtën e rasteve. Mund të shfaqet në çdo moment pas javës së 20-të të shtatzanisë. Edhe në këtë rast nevoja e rritjes së ndërgjegjësimit dhe trajnimit është e rëndësishme, pasi kjo sëmundje prek deri në 10% të shtatzanive, duke qenë kështu komplikacioni më i shpeshtë i shtatzanisë para lindjes.

“Nga trajnimi për sëmundjen e Pre-eklampsia patëm një feedback shumë të mirë sepse aftësimi i bluzave të bardha dhe njohja me risitë edhe në këtë drejtim shpëton jetën e nënës dhe të bebes. Pre-eklampsia është sëmundje që shfaq hemorragji kur gruaja është shtatëzane, një gjakderdhje e madhe që mund të rrezikojë jetën dhe sipas mjekëve amerikanë përsëri dhe këtu nëse menaxhohet mirë situata rastet e fataliteve janë të reduktuara”, – shpjegoi Gjebrea.
Trajnerët e huaj dhe ata shqiptarë sjellin eksperiencën dhe teknikat më të mira të ndërhyrjes dhe për këtë arsye ekspertët gjykojnë se ky trajnim që konsiderohet si një pikë takimi mes profesionistëve të shëndetit është nevojë për vendin tonë.
“Trajnime të tilla janë të vështira sepse nuk ofrohet gjithmonë mundësia e trajnimit me profesionistë të huaj. Ndaj, ky moment është i rëndësishëm për bluzat e bardha, aq më tëpër për mjekët e rinj”, u shpreh ndër të tjera Gjebrea.
Si një ndihmë e mëtejshme për mjekët dhe nënat janë përgatitur dhe shpërndarë udhëzues për të ndihmuar të sapolindurit të tejkalojnë problematikat me frymëmarrjen dhe të jenë të shëndetshëm në këtë moment të rëndësishëm të trinomit; bebe, nëna dhe mjek.
