E hënë, 20 Janar, 2025

“Makbethët” gjumëprishur

Share

Nga Fatos Çoçoli

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja doli disa ditë më parë në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi dhe paralajmëroi se asnjë zyrtar i ish-hipotekave nuk duhet ta bëjë gjumin të qetë. Po cilët janë këta “makbethë” gjumëprishur? Përgjigjja është e thjeshtë. Ish zyrtarët dhe zyrtarët e sotëm të ish-hipotekave, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Ministria e Drejtësisë ka një drejtori anti-korrupsion. Po provon të jetë një bisturi kundër korrupsionit, pse në këtë drejtori ka sjellë njerëz të rinj, me integritet, të zotë dhe kurajozë. Në tre muaj e gjysëm, kanë kryer 24 kallëzime penale. Po pse “Makbethët” e pronave duhet ta kenë gjumin e prishur? Së pari, për vonesat absurde në administrimin e praktikave dhe trajtimin e kërkesave të qytetarëve në proces. Së dyti, për qindra e mijëra regjistrime në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive truall dhe atyre bujqësore. Këto veprime të bëra qëllimisht për përvetësim parash abuzive, kanë sjellë si pasojë jo vetëm lindjen e bashkëpronësive të paligjshme, por edhe pengesa serioze në regjistrimin e pasurive, nga pamundësia e lëshimit të certifikatave të pronësisë qytetarëve, me cenim flagrant të së drejtës së pronësisë. Ish-hipoteka, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës, në mënyrë të panevojshme i degdis qytetarët në gjykata, në vend të zgjidhjes në rrugë administrative. Së treti, regjistrime të pronave me mbivendosje. Ende Agjencia Shtetërore e Kadastrës nuk ka një evidencë të saktë të pasurive me mbivendosje. Mungon procesi i plotë dhe i mirëdokumentuar i identifikimit, raportimit, vendosjes në bazën e të dhënave(database), pasqyrimit në hartat përkatëse si dhe ndjekjes së procedurave ligjore të pasurive të rezultuara me mbivendosje. Mungon njoftimi i palëve të interesuara, duke i orientuar drejt zgjidhjes gjyqësore, shpeshherë duke stimuluar përparësinë jo reale, nëpërmjet kundërshtimit të paligjshëm dhe krijimit së vonesës së regjistrimit të parë, Të gjitha këto veprime janë kryer qëllimisht nga ish-punonjësit e hipotekave dhe punonjës të sotëm të agjencisë, duke sjellë si pasojë përfitime të dyfishta titujsh të paligjshëm pronësie nga mbivendosjet, trajtim të pabarabartë e favorizim të njërës palë. Dhe pikërisht palës që në ankandin e fshehtë monstruoz të abuzimit dhe korrupsionit ofron më tepër.

Qytetari që nuk paguante zuzarët e ish-hipotekave, sot Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ose ofronte më pak, nuk shërbehej dhe nuk e zgjidhte hallin e tij, edhe pse me ligjin dhe të drejtën. Ka qindra e mijëra qytetarë që janë sorollatur dhe tallur dyerve të ish-hipotekave, për shkakun e vetëm se kërkonin të drejtën e tyre, pa paguar zuzarët dhe sekserët e drejtorëve dhe ish-drejtorëve të hipotekave. Sot atmosfera nuk është se ka ndryshuar shumë. Përllogariten afërsisht mbi 85 mijë qytetarë që kanë humbur mbi 20 mijë vite jetë duke u sorollatur korridoreve të ish-hipotekave, pa gjetur të drejtën e tyre. Një humbje kohe e përbindshme dhe shpenzime për qytetarët, pa shkak ligjor. Vetëm për taksën e korrupsionit! Gjatë tre viteve të fundit, në Shqipëri janë regjistruar qindra çështje penale për tjetërsim të paligjshëm të pronës publike dhe private, por prokuroritë dhe gjykatat janë treguar të buta ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ish-Zyrave të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme. Duke thelluar më tej pandëshkueshmërinë dhe korrupsionin. Sot duket sikur gjërat po nisin të lëvizin dhe ka dritë në fund të tunelit, vetëm nga veprimi i Drejtorisë Anti-Korrupsion në Ministrinë e Drejtësisë. Ish-hipotekat kanë qenë foleja e grerëzave të korrupsionit. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ende nuk është pastruar nga grerëzat. Ka shumë segmente të fjetura e të pafjetura brenda saj, që do të duan dhe provojnë ta mbysin në djep beben “Anti-korrupsion” të Ministrisë së Drejtësisë që po kontrollon në themel abuzimet 30 vjeçare me pronat e shqiptarëve dhe të Shtetit. Grerëzat e mbijetuara(janë me dhjetra e qindra), po e provojnë mos fshihen dhe pengojnë me justifikime të paplotësisë së të dhënave. E kanë të gjithë interesin ta bëjnë këtë. Në mos ta mbysin fare, të paktën do provojnë fort të vonojnë rritjen e bebes. Me ofrimin mjeshtëror të qindra e mijërave justifikimeve. Ministria e Drejtësisë duhet realisht të bëjë shumë kujdes. Magjistricat dhe driadat e korrupsionit hipotekor janë aty. Të regjura në mashtrime dhe abuzime me pronat, të nivelit 1.2 miliardë euro(me mijëra ha tokë të trukuara dhe të kaluara abuzivisht në duar të privatit që paguan nën dorë, nëpërmjet dhjetra mijëra vërtetimeve hipotekare dhe akteve të marrjes së tokës në pronësi-AMTP). Ato dinë aq bukur të miklojnë dhe të të marrin mendjen. Kundër tyre, Drejtoria e Anti-Korrupsionit në Ministrinë e Drejtësisë ka vetëm një staf të vogël nëpunësish me integritet dhe nuk ka topografë. Topografët kësaj drejtorie qeveria duhet t’ia japë urgjentisht! Si dhe specialistë të teknologjisë së informacionit. Këta të fundit duhet të vigjilojnë me syrin e shqiponjës mbi tentativat për vonesa të procesit të regjistrimit elektronik të titujve të pronësisë dhe të gjithë informacionit shoqërues dhe zbardhës së titullit. Ministri i Drejtësisë deklaroi në konferencën e jashtëzakonshme për shtyp: “Në emër të qeverisë e them sot se çdo abuzues me pronën pavarësisht gradës që mban, çdo nëpunës që ofron një shërbim publik ndaj qytetarëve, do të përgjigjet dhe do të përballet me forcën e ligjit”. Le të jetë kjo Llamba e Diogjenit në kërkim të së drejtës së mohuar, nëpërkëmbur dhe dhunuar të pronësisë.

Te tjera

Lajme te tjera