E martë, 4 Gusht, 2026

Lufta Partizane ka qenë e pastër, krenari për të gjithë Shqipërinë

Share

Nga Bajram Gjuzi, pasardhës partizanësh e veteranësh

Duke qenë se jemi në një vit jubilar, pasi jemi në vigjilje të 80-vjetorit të çlirimit të vendit nga okupatori nazi-fashist, por edhe teksa shohim që po hidhet baltë ndaj Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, unë si bir e nip partizanësh e veteranësh, e ndjej dhe madje e kam detyrim të vlerësojë LANÇ. Lufta Partizane është e kristaltë, ka qenë luftë idealesh të pastra dhe është krenari për të gjithë Shqipërinë. Duhet theksuar se në Luftën e Dytë Botërore, ne shqiptarët, ashtu si edhe popujt e tjerë të Europës dhe më gjerë, me luftën heroike partizane u angazhuam në një përpjekje të madhe, luftarake dhe të përgjakshme, si aleatë në krah të koalicionit të madh antifashist. Nuk duhet harruar se Shqipëria jonë e vogël pagoi një çmim të jashtëzakonshëm gjaku dhe sakrificash të panumërta njerëzore. Nderimi i këtyre sakrificave është nderi i çdo gjenerate shqiptarësh. Prandaj nderimi i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i dëshmorëve dhe heronjve të lavdishëm të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, nderimi i çdo faqeje të kësaj lufte dhe i vetë datës së çlirimit të vendit tonë, në 29 nëntor 1944, është nderi i çdo shqiptari. Ka patur gjithmonë përpjekje në këto 28 vite për të hedhur baltë ndaj Luftës Antifashiste, ndaj dëshmorëve. Sakrifica e mijëra djemve dhe vajzave të Shqipërisë që ranë me një idealizëm të pashoq në luftën për çlirim as nuk mund të mohohet, e padyshim meriton më tepër. Meriton shumë më tepër sesa fjalët, edhe sesa përveç fjalëve është mundur të bëhet e tregohet gjithë këto vite. Nuk duhet dhe nuk mund të ngatërrohet epopeja e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare me atë që pasojë pas 1945. Prandaj, çdo nderim që i bëhet çdo dëshmori që dha jetën për Çlirimin e Atdheut, çdo nderim që bëhet në familjet e dëshmorëve është një vlerë që shoqëria jonë duhet ta përçojë.

Te tjera

Lajme te tjera