Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar ashpër ndaj presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç, për të cilin thotë se gjuha e përdorur ndaj Albin Kurtit është e papranueshme. Sipas Bashës, kjo tregon se lidershipi serb është akoma i pandarë nga e shkuara. Basha thekson se është koha tashmë që serbët të shohin drejt së ardhmes dhe të mos pranojnë keqpërdorimin e tyre për llogaritë politike të së shkuarës fatkeqe.
‘Gjuha e urrejtjes ndaj kryeministrit të Kosovës nga presidenti i Serbisë është e papranueshme. Ajo dëshmon se lidershipi serb nuk është ndarë nga e shkuara. Kosova është shtet i pavarur dhe askush nuk mund ti imponohet me gjuhën e dhunës. Është koha që serbët e Kosovës të shohin drejt së ardhmes dhe mirëqenies, e të mos pranojnë keqpërdorimin e tyre për llogaritë politike të së shkuarës fatkeqe.’- shkruan Basha.
Presidenti serb sulmoi një ditë më parë ndërkombëtarët dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurtit dhe vendosi që të bojkotojë samitin që do të mbahet në Tiranë më 6 dhjetor. Si pretekst për gjuhën e ashpër, Vuçiç ka përdorur emërimi i kryetarit të Partisë Demokratike Progresive, Nenad Rashiç si Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Ky vendim i Albin Kurtit ka nxitur ditën e djeshme reagimin e presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Vuçiç theksoi se kjo është në përputhje me interesat e një fuqie evropiane, të cilën dikush duhet ta zbatojë kundër serbëve.
“Zgjodhën llumrat më të këqij serb, nga fundi i kovës, Rashiçin dhe Radu Trajkoviçin, nuk ka më keq, që nuk e kanë besimin e askujt në Serbi, por kanë besimin e Albin Kurtit dhe agjencive perëndimore. Ata mendojnë se do të na trembin. Nuk ka problem. Ju mund të shkatërroni presidentin e Serbisë, të organizoni protesta në Serbi, të më vrisni mua. Por për mua Kosova dhe Metohia janë shenjtërorja më e madhe serbe, për mua Serbia është një vend i shenjtë. Është më mirë të shkoj, se sa t’jua dorëzoj dhe nuk do t’jua dorëzoj. Dhe prandaj askush nga Serbia nuk do të jetë në Tiranë dhe ju vini bukur, udhëtoni me avion, flisni marrëzi, të gjithë nga Evropa dhe Ballkani Perëndimor”, tha ai.
Presidenti Vuçiç u shpreh se është një “qëndrim i mjerueshëm anti-serb i treguar nga BE-ja” dhe se ajo që ‘bëri koka terroriste Albin Kurti meriton dënim’.
“Unë kam heshtur për muaj e vite, duke vuajtur marrëzi nga të gjithë në rajon dhe në botë. Llumi terorist duhet të kishte marrë dënimin e merituar të Bashkimit Evropian. Sigurisht që nuk e kuptoi. Ai mori diçka që ndoshta askush nuk mund ta kuptojë. Dhe kështu sillen vazhdimisht, jo vetëm që kanë shkelur normat e Marrëveshjes së Brukselit, të drejtën publike ndërkombëtare, por dhe të gjitha normat demokratike”, tha presidenti.