Spektakël, gola dhe emocione pa fund! Përballja mes Anglisë dhe Spanjës dhuroi një ndeshje të jashtëzakonshme, me pesë gola dhe një përmbysje spektakolare. Në fund, ishin Kampionët e Botës në fuqi ata që festuan, duke mposhtur “Tre Luanët” me rezultatin 2-3.
Spanja e nisi ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme dhe kaloi në avantazh që në minutën e dytë. Një gafë e rëndë e Marc Guehi i dha mundësinë Lamine Yamal të përfitonte dhe ylli spanjoll nuk gaboi përballë portierit James Trafford.
Në minutën e 9-të, Spanja gjeti sërish rrjetën me Ferran Torres, pas një krosimi të Fabian Ruiz nga goditja e dënimit, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Anglia reagoi në minutën e 36-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë dhe një asistimi fantastik të Jude Bellingham, Anthony Gordon dërgoi topin në rrjetë duke rikthyer baraspeshën.
Vetëm katër minuta më vonë, anglezët përmbysën gjithçka. Nico O’Reilly krosoi në zonë, Harry Kane goditi me kokë dhe Marc Cucurella, në tentativë për të larguar topin, e dërgoi atë në portën e tij.
Anglia shkoi në pushim me avantazhin 2-1, ndërsa pjesa e parë kishte dhuruar spektakël të vërtetë.
Edhe fraksioni i dytë nisi me ritëm të lartë. Jude Bellingham u rrëzua në zonë dhe arbitri fillimisht lejoi vazhdimin e lojës. Pas ndërhyrjes së VAR-it, vendimi ndryshoi: penallti për Anglinë.
Harry Kane mori përsipër ekzekutimin, por goditja e tij u përplas në traversë. Një mundësi e artë e humbur për të thelluar avantazhin.
Spanja nuk fali dhe në minutën e 60-të barazoi shifrat në 2-2. Alex Baena, i sapofutur në fushë, realizoi me një goditje të bukur nga jashtë zone pas asistimit të Dani Olmos.
Por “La Roja” nuk u ndal. Në minutën e 74-të, një tjetër zëvendësim rezultoi vendimtar. Mikel Oyarzabal shënoi golin e tretë pas një asistimi të Alex Baenas, duke përmbysur plotësisht ndeshjen.
Anglia 2-3 Spanja, një përballje spektakolare që u vendos në minutat e fundit dhe i dha fitoren kampionëve të botës.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Kroacia triumfoi 1-2 në transfertë ndaj Republikës Çeke, duke marrë tri pikë të rëndësishme.
Në Ligën B, Zvicra mposhti 0-3 Maqedoninë e Veriut, ndërsa në një tjetër përballje, Sllovakia fitoi 2-0 ndaj Moldavisë.
