E diel, 22 Nëntor, 2026

Liga e Kombeve/ Italia i jep “leksion” Francës, gjithçka vendoset në sfidat e fundit; Anglia dhe Spanja bëjnë detyrën

Share

Italia ka dhuruar spektakël në “San Siro”, duke mposhtur 3-1 Francën në përballjen e parafundit të grupit në Ligën A të Ligës së Kombeve. “Axurrët” përmbysën disavantazhin fillestar dhe morën një fitore me shumë peshë, duke u barazuar me pikëme “gjelat”.

Takimi nisi me një surprizë të pakëndshme për vendasit. Në minutën e 10-të, një gafë e portierit Gigio Donnarumma u shfrytëzua në maksimum nga Michael Olise, i cili dërgoi topin në rrjetë dhe kaloi Francën në avantazh.

Reagimi italian nuk vonoi. Në minutën e 26-të, Francesco Pio Esposito riktheu baraspeshën, duke finalizuar saktë pas asistit të Nicolo Cambiaghit. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 1-1.

Italia pati mundësinë të përmbyste gjithçka që në minutën e 60-të, por Sebastian Esposito shpërdoroi një penallti, duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Megjithatë, vetëm tre minuta më vonë, Davide Frattesi përfitoi nga një asist fantastik i Federico Dimarcos dhe realizoi golin e avantazhit.

Në minutën e 75-të, Pio Esposito vulosi suksesin italian me golin e tretë, pas një faulli të Upamecanos brenda zonës.

Me këtë fitore 3-1, Italia shkon në kuotën e 10 pikëve, po aq sa Franca. Belgjika ndjek me 9 pikë, ndërsa Turqia mbetet në kuotën zero. Në ndeshjen e fundit, italianët do të përballen në transfertë me Belgjikën, ndërsa Franca do të presë Turqinë.

Anglia ka marrë një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Kroacisë në mitikun “Wembley”, në një përballje ku triumfi u vendos nga një gol i Harry Kane nga pika e bardhë e penalltisë.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 24-t. Pas një aksioni të bukur dhe kombinimit mes Harry Kane e Jude Bellingham, Morgan Rogers dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Anglisë.

Kroacia reagoi në minutën e 59-të, kur Petar Sucic përfitoi nga një krosim pas goditjes së dënimit dhe mungesa e vëmendjes së mbrojtjes angleze për të barazuar shifrat.

Por gëzimi i miqve zgjati vetëm pesë minuta. Në minutën e 64-t, Harry Kane u tregua i saktë nga pika e bardhë, pas një faulli ndaj Jarell Quansah brenda zonës, duke vulosur fitoren 2-1 për anglezët.

Spanja vazhdon marshimin triumfues në Ligën e Kombeve. Kampionët në fuqi të Europës fituan 2-0 në transfertë ndaj Republikës Çeke, duke regjistruar suksesin e pestë radhazi dhe duke ruajtur vendin e parë me pikë të plota.

Në Pragë, iberikët zhbllokuan rezultatin në minutën e 39-të. Alex Baena u tregua i saktë nga pika e bardhë, pas një prekjeje të topit me dorë nga një prej lojtarëve vendas brenda zonës.

Spanja administroi avantazhin, ndërsa në minutën e 72-të çekët mbetën me një lojtar më pak, pasi Ladislav Krejci u ndëshkua me karton të kuq për faullin ndaj Roberto Fernandez, i cili ishte drejt portës si lojtari i fundit.

Në minutat shtesë, Marc Pubill shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur fitoren 0-2.

Pas pesë ndeshjeve, Spanja kryeson grupin me 15 pikë të plota, ndërsa Anglia renditet e dyta me 12 pikë.

Te tjera

Lajme te tjera