Ashtu siç gazeta “SOT”, e ka paralajmëruar, pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha i shpallur “non grata” nga Britania e Madhe duket se do të lëkunden, për shkak se politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar duhet të japin llogari para ligjit dhe të përballen me pasoja. Ky është qëndrimi i ambasadorit britanik në Tiranë, Alaistair King-Smith duke komentuar listën e zezë që po aplikon qeveria britanike për politikanët e korruptuar shqiptare përfshirë dhe Sali Berishën. Në një intervistë dhënë dje për Report Tv, ambasadori King-Smith shtoi se krahas ndalimit për të hyrë ne Britani ata nuk do të lejohej që të ruajnë paratë e tyre. Po ashtu, ambasadori britanik në vendin tonë paralajmëroi se të tjetër do të tjetër politikanë të korruptuar do të shpallen “non grata” nga vendi i tij dhe se sipas tij, ky mekanizëm do të kthehet tashmë në një proces rutinë nga Londra zyrtare. Madje, ai u shpreh i vendosur për të çmontuar korrupsion në Shqipëri, duke ofruar asistencë britanikë për organet tona ligjzbatuese.
-Ambasador populli shqiptar ka realisht nevojë për ndihmën tuaj për ndihmën e SHBA, dhe kur ju publikuat se ka një listë të zezë për politikanët e korruptuar në Shqipëri përfshirë këtu dhe z. Berisha, menjëherë pati entuziazëm nga qytetarët nga media se përveç Amerikës dhe një shtet tjetër shumë i rëndësishëm po e ndihmon Shqipërinë në këtë drejtim ? Pse keni nisur ta aplikoni këtë lloj metode?
Pra, është vërtet e rëndësishme që secili nga ne, në botën mbarë, të bëjë gjithçka mundet. Dhënia fund pandëshkueshmërisë dhe forcimi i llogaridhënies nuk janë nevoja ekskluzive të Shqipërisë. Kjo mund të arrihet vetëm duke punuar së bashku dhe duke mbështetur njëri-tjetrin me vepra. Pra, gjëja e parë është që në Shqipëri duhet të jepet llogari. Është shumë e rëndësishme që ligji të sundojë. Institucionet që luftojnë krimin dhe korrupsionin janë të rëndësishme dhe duhet të jenë efektive. Ne duhet t’i mbështesim ato. Por ne ndërmarrim veprime edhe nga ana jonë në mënyrë që dikush që është i përfshirë në krim dhe korrupsion dhe që dënohet këtu, në mënyrë të veçantë në raste të tilla, ata nuk do të jenë të mirëpritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe as të ruajnë paratë në Mbretërinë e Bashkuar. Në raste të tilla do të ndërmarrim veprime të pavarura. Tani siç e dini, Sër Stuart Peach, i dërguari i posaçëm i kryeministrit tonë për Ballkanin Perëndimor, shpalli valën e parë të veprimeve që kemi ndërmarrë. Do të vazhdojmë kështu sepse është vërtet e rëndësishme. Kjo është diçka që duhet të kthehet në rutinë, në mënyrë që njerëzit që kryejnë veprime të paligjshme dhe që nxisin krimin dhe korrupsionin të përballen me pasoja.
-Ambasador kur ju thoni që këta persona duhet të ndëshkohen, këta persona pavarësisht kush janë , nuk do të jenë të përshtatshëm nesër në rast se vinë në pushtet për të bashkëpunuar me ju, pra nuk do ti pranoni si homologë?
Është e vështirë, apo jo? Sepse, ju e dini, se neve nuk na pëlqen të ndërpresim kontaktet me askënd, por ka një kufi. Nëse dikush ngulmon dhe përsërit veprimet e tij që nxisin krimin dhe korrupsionin, atëherë kemi të bëjmë me një problem të vërtetë, sepse kjo futet në sistem, duke vështirësuar ndërveprimin e mëtejshëm. Ne ndjekim një qasje të ekuilibruar. Nuk shënjestrojmë asnjë individ, asnjë parti politike. Gjithmonë do të kemi një qasje të ekuilibruar. Kjo bazohet në interesat e popullit britanik dhe ne shpresojmë edhe në interesat e popullit shqiptar. Kështu që do të bëjmë çmos për ta ruajtur këtë qasje ndaj problemeve, çka është realisht në interes të popullit të Shqipërisë dhe të Mbretërisë së Bashkuar. Do desha të them edhe një gjë tjetër në lidhje me zgjedhjet që po afrojnë. Vitin tjetër kemi zgjedhjet lokale dhe më vonë zgjedhjet e përgjithshme. Njerëzit mund të bëjnë një gjë vërtet të rëndësishme. Politikanët mund të bëjnë të njëjtën gjë të rëndësishme. Njerëzit duhet të kërkojnë që t’i jepet fund krimit dhe korrupsionit. Duhet të kërkojnë që kandidatët e paraqitur në zgjedhje të mos kenë të bëjnë me krimin dhe korrupsionin. Ndërsa partitë politike, sigurisht duhet të marrin masa, dhe kjo është edhe thirrja që ne u drejtojmë atyre, që kur të përzgjedhin kandidatët, të mos kandidojnë ata që janë të përshirë në krim dhe korrupsion, por t’i paraqesin elektoratit individë të pastër.
-Edhe për pak humor meqë jemi në javën kulturore, nuk e di nëse e dini apo jo por, ju pas ambasadores Juri Kim jeni ambasadori më i rëndësishëm në Shqipëri në sytë e publikut shqiptar pas listës së zezë, është e gjatë kjo listë?
Shikoni, kthehet në sfidë nëse e shikojmë si konkurrencë se kush është ambasadori më i rëndësishëm. Unë nuk besoj në konkurrencën midis qeverive, besoj në bashkëpunimin e tyre. Kështu, do të përqendrohemi në farkëtimin e një bashkëpunimi vërtet pozitiv. Vendet mund të zgjedhin mënyra të ndryshme për t’u marrë me këto çështje, por është e rëndësishme të kemi të njëjtin këndvështrim lidhur me rëndësinë e forcimit të sundimit të ligjit, forcimit të llogaridhënies dhe dhënien fund pandëshkueshmërisë. Mendoj se nëse secili prej nesh bën gjithçka mundet, atëherë Shqipëria do të ketë një të ardhme të ndritur, sepse unë tashmë e shoh Shqipërinë duke bërë përpara. Përmendëm turizmin, ekonomia po zhvillohet, por ritmet e zhvillimit do të ishin shumë më larta nëse zgjidheshin këto çështje të vështira dhe momenti është tani. Shqipëria, tashmë, ka shansin për të hyrë në Bashkimin Evropian. Ne do të mbështesim aspiratat e shqiptarëve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Edhe pse britanikët janë jashtë, ne vazhdojmë të mbështesim shqiptarët që duan të shohin një trajektore euro-atlantike. Prandaj, nëse do të mundemi që së bashku të zgjidhim çështjet e vështira, atëherë realisht do të kemi një zhvillim pozitiv eksponenciale sepse Shqipëria ka kaq shumë potencial, kaq shumë për të ofruar sa unë mendoj se mund të arrijmë zhvillime vërtet pozitive.
-Ju nuk e bëni publike listën e të korruptuarve, por ne do ta kuptojmë tek kandidatët nesër në zgjedhje?
Kjo është shumë e rëndësishme. I takon popullit shqiptar që të zgjedhë njerëzit që dëshiron ta udhëheqin. Ky duhet të jetë një vend demokratik, i lirë dhe i pavarur dhe lipset që edhe zgjedhjet të jenë të tilla. Pra, ne do të bëjmë gjithçka mundemi për të forcuar demokracinë, sundimin e ligjit e kështu me radhë dhe do të përdorim gjithë mbështetjen tonë për ta bërë këtë. Jemi vërtet në pikën ku, mendoj unë, shqiptarët shpesh kanë shpresuar për ndryshimin që u nevojitet. Por shumë njerëz po largohen sepse janë shumë të zhgënjyer, nuk po shohin ndryshime në politikë, nuk po shohin ndryshime në gjendjen ekonomike. Prandaj nëse arrihet përparim në këto drejtime, do të kemi një moment vërtet të rëndësishëm për të ardhmen.
-Ndërkohë që ne folëm për Ukrainën dhe agresionin rus në Ukrainë, më lejoni t’ju kujtoj se ka ndodhur diçka para disa ditësh në Shqipëri , dy shtetas rus u kapën duke përgjuar pranë një ndërmarrje ushtarake në Gramsh , ata po hetohen për spiunazh, çfarë mendoni po ndodh në botë, kemi nje rend të ri , kemi nje rikthim të luftës së ftohtë dhe si e shikoni aleancën e Shqipërisë dhe Britanisë në këtë kuadër?
Kemi të bëjmë me një grup pyetjesh të ndërlikuara. Nuk do të komentoj për incidentin konkret. Sepse është nën hetim dhe shpresojmë se do të trajtohet në mënyrën e duhur. Por situata e Rusisë dhe Ukrainës, në një aspekt më të gjerë, do të sjellë ndryshime të mëdha në mënyrën se si bota do të punojë për të ardhmen. Sigurisht, shpresojmë që nuk do të përfundojmë duke pasur një luftë të tretë botërore, apo edhe një luftë në shkallë të gjerë në të gjithë Evropën, por kjo nuk është vetëm një çështje rajonale evropiane. Ky është një grup çështjesh globale, të cilat kanë nxjerrë në pah nevojën që ne të bashkëpunojmë shumë më fort midis nesh. Shqipëria është një nga partnerët tanë më të fortë për të promovuar atë që duhet të ndodhë në Ukrainë dhe për të përballuar agresionin e Rusisë, si nëpërmjet NATO-s ashtu edhe ushtarakisht. Më tej, edhe nëpërmjet rolit udhëheqës që i është dhënë Shqipërisë në rrafshin ndërkombëtar, përfshirë presidencën e saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe pjesëmarrjen e saj të vazhdueshme ndërkombëtare, që ne e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë. Por ky rol shoqërohet edhe me rreziqe për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Fatkeqësisht, Rusia do na shohë si armiq dhe duhet të përgatitemi për incidente shumë të vështira. Por, së bashku, ne mund t’i përballojmë ato, ne mund të mbështesim njëri-tjetrin dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Kështu që unë mendoj se, për fat të keq, ne duhet, siç diskutuam me kryeministrat, të mendojmë të pamendueshme, duke garantuar mbështetjen për njëri-tjetrin në zgjidhjen e problemeve.
-Zoti ambasador dhe një pyetje të fundit, ambasadorja amerikane në 100 vjetorin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA u shpreh se do të jemi bashkë edhe 100 vite të tjera, po mesazhi juaj për shqiptarët?
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një histori shumë më të gjatë se kaq së bashku. Ndërsa festojmë 100 vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe, duhet të hedhim sytë mbrapa. Janë më shumë se 100 vjet, sepse ne jemi të lidhur në mënyrë të qenësishme, popujt tanë kanë qenë të lidhur. Përmes kulturës, apo edhe javës britanike që festojmë këtë javë, qoftë edhe përmes politikës, apo përmes ekonomisë dhe biznesit, ne do të jemi partnerë të fortë së bashku për të ardhmen.