E diel, 14 Dhjetor, 2025

Le ta shpallim Edi Ramën Mbret, të mbarojmë punë një herë e mirë

Share

-Propozim zyrtar dhe ironik-

Nga Rron S. Shkamborri

Meqë Partia Socialiste po marshon e qetë drejt mandatit të katërt, me një opozitë që ekziston vetëm në letrat e KQZ-së dhe një popull që ikën me valixhe ndërsa voton sikur jeton në Zvicër, është koha për sinqeritet: pse të lodhemi më me zgjedhje, kur mund ta shpallim Edi Ramën Mbret? Po, Mbret! Jo më Kryeministër, as lider partie. Mbret i Shqiptarëve, Mbrojtës i Fjalës së Bukur, Rregullues i Listave të Mbyllura, Sundimtar i Mandateve të Pafundme! Sepse le të jemi të ndershëm: ai s’ka më nevojë të garojë. Ai fiton përpara se të votohet. Ai vendos listat, emrat, datat, sloganet, ngjyrat, këngët. Të vetmet surpriza në këto zgjedhje janë orët kur dalin rezultatet – sepse rezultati është i njëjti gjithmonë. Fiton Rama. Humbin të gjithë të tjerët. Në këtë realitet kaq të stisur, zgjedhjet janë thjesht një proces që i ngjan një festivali folklorik: këndojmë për demokracinë, bëjmë valle me fletët e votimit, dhe në fund japim çmimin “Mbreti i Mandatit”. Pra pse mos e institucionalizojmë? Të mbajmë një ceremoni zyrtare në Sheshin Skënderbej. Të ftojmë ambasadorët. Të veshim toga.

Të kurorëzojmë Madhërinë e Tij Edi I Pafundmi! Ai do ketë pallatin e tij (Surreli), oborrtarët (ministrat që nuk guxojnë të flasin pa aprovim), kalorësit e lajmeve, dhe ndoshta edhe një “Gjykatë Mbretërore për Kritikët”, që të mbarojmë njëherë me këta që bezdisin në rrjete sociale. Me këtë sistem që po ndërtojmë, një monarki do ishte më e ndershme se kjo “demokraci me regji”. Sepse të paktën, kur ke një Mbret, nuk pretendon se ke zgjedhje. Ndërsa ne pretendojmë se kemi zgjedhje – por gjithmonë fitojnë ata që i kanë organizuar. Epilogu? Le ta themi troç: në këtë film ku Edi Rama është regjisor, aktor dhe spektator i vetvetes, nuk ka më vend për iluzione demokratike. Prandaj, në vend që të luajmë teatër çdo katër vjet, më mirë të ngrejmë një fron. E, siç thotë populli: më mirë një mbret i vërtetë, se sa një sundimtar që vishet si demokrat. Rroftë Madhëria e Tij! Edi i Katërti. I Përjetshmi. I Pandryshueshmi.

Te tjera

Lajme te tjera