E mërkurë, 22 Janar, 2025

Lavrov nxjerr Edi Ramën si lojtar të rusëve në rajon, “Ballkani i Hapur” projekt i Moskës, zbardhet shkaku i prishjes me amerikanët

Share

Konfirmohet skandali i madh që gazeta “Sot” e paralajmëroi një ditë më parë, se Ballkani i Hapur, një skemë anti-Perëndimore, po përdoret si një portë shpëtimi nga Rusia lidhur me sanksionet e forta të SHBA-BE. Ajo çfarë është thënë vazhdimisht dhe është parë me dyshim se në fakt “Ballkani i Hapur” është një nismë që i shërben më shumë Rusisë dhe Serbisë, është konfirmuar hapur tashmë ditën e djeshme nga shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov. Pasi Evropa i prishi planet duke i anuluar takimin me Vuçiçin në Beograd, kryediplomati rus tha se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit. “Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov. Ai deklaroi se Brukseli nuk dëshiron të sigurojë një platformë për Rusinë në Beograd që Moska të paraqesë qëndrimin e saj për një sërë çështjesh rajonale. Kjo është një ndër deklaratat më të forta të bëra për herë të parë nga Rusia në lidhje me Ballkanin e Hapur ku Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë angazhuar seriozisht në implementimin e kësaj nisme. Të vetmit shtete që po rezistojnë fort janë Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja. Përveç Vuçiçit, një nga mbështetësit më të mëdhenj të kësaj nisme është kryeministri shqiptar Edi Rama. Në emër të Ballkanit të Hapur, Rama në jo pak raste i është kundërvënë Albin Kurtit pse kryeministri i Kosovës refuzon ta pranojë nismën. Dhe jo pa qëllim. Mesa duket Kurti i udhëzuar nga amerikanët e ka kuptuar qartë lojën anti-perëndimore që fsheh projekti ku bën pjesë dyshja Rama-Vuçiç, ku në të vërtetë fijet i lëviz Rusia.

Rama kundër interesave të Perëndimit

Situata ishte e nxehtë, pasi Rusia me të dërguarin e saj Lavrov kishte përgatitur çdo detaj përpara se t’i prishte planin Bashkimi Evropian duke e izoluar. Ditën e nesërme, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të bëhen bashkë për të arritur marrëveshje të reja me nismën e “Ballkanit të Hapur”, dhe deklarata nga kryediplomati rus zbuloi qartë planin e Vladimir Putin, i cili po përdor çdo mekanizëm për t’ju shpëtuar sanksioneve të Perëndimit dhe rasti ideal është “Ballkani i Hapur”, ku kryeministri Rama po i jep një dorë Moskës duke e shpëtuar nga kolapsi. Në mbarë Ballkanin, Moska po blen, ose po fiton kontrollin e aseteve strategjike në sektorët kyç si media, siguria, komunikimi dhe financat. Me një Serbi që bashkëpunon kaq hapur politikisht dhe ekonomikisht me agresorin rus, Ballkani i Hapur është kali i Trojës i Putinit në Ballkanin Perëndimor. Por cilat janë lëvizjet që Rama ka dalë kundër interesave të Perëndimit, duke e shpëtuar Putinin nga sanksionet e forta të amerikanëve dhe evropianëve?  Presidenti Ukrainës Volodymyr Zelensky i kërkoi kryeministrit Rama para pak javësh që të ndalojë turistët rusë, por qeveria shqiptare nuk e ka një plan të tillë. Një tjetër bashkëpunim i hapur i Ramës me Vuçiçin duke e shitur “Ballkanin e Hapur” si një sukses të madh ishte kur eksporti serb u bllokua në datën 10 mars me pretekstin se kishin kërkesa të mëdha dhe se do të vlerësonin rezervat. Në këtë moment hyri në lojë skema Rama-Vuçiç, ku kreu i qeverisë shqiptare tha se “Ballkani i Hapur” shpëtoi krizën e miellit. Edhe pse Evropa është kundër kësaj nisme, Rama dhe Vuçiç nuk po japin sinjale për tërheqjeje. Kryeministri po bashkëpunon hapur me një vend si Serbia, shteti i vetëm aspirante për në BE, që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë. Mbetet të shihet në vijim nëse ndërkombëtarët do të marrin masa.

Te tjera

Lajme te tjera