UEFA Champions League vijoi mbrëmë me dy ndeshjet e radhës në kuadër të 1/8 e finales, ku Lacio priti Bajernin e Mynihut, ndërsa Paris San Zhermen u përball me Real Sociedad. Natyrisht, përplasje ku gjermanët dhe francezët, me grupet që disponojnë, në letër ishin dukshëm favoritë respektivisht ndaj italianëve dhe spanjollëve. Ishte një moment emocional për të katër skuadrat që zbritën në fushë, pasi në kampionatet e tyre nuk i kanë punët në terezi dhe në tërësi, edhe pse PSG e Bajern ishin favoritë, kjo i mobilizoi kundërshtarët të bënin më të mirën e tyre. Dominimi bavarez në kontrollin e topit përballë Lacios nuk rezultoi vendimtar në pjesën e parë, pavarësisht numrit të madh të aksioneve sulmuese dhe tentimit për goditje në kuadrat. Kjo pasi Lacio u mbrojt mjaft mirë dhe madje synoi të bënte surprizën me anë të kundërsulmit. Gjithsesi, pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura 0-0. Në pjesën e dytë për gjermanët ndeshja shkoi si mos më keq. Në minutën e 67-të Upamecani doli me karton të kuq, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Isaksen, duke e lënë Bajernin me 10 vetë. Akordohet penallti, të cilën e shndërron në gol Imobile në të 69’. Në kushtet e epërsisë numerike, Lacio e menaxhoi si duhet epërsinë dhe rrit entuziazmin e një kualifikimi të mundshëm për në çerekfinale. Ishte një fitore e bukur e skuadrës italiane, edhe pse fatet e kualifikimit mbeten të hapura, pasi ndeshja e kthimit do të luhet në “Bayern Arena” në Bavari. Paris San Zhermen, skuadër “yjesh”, hasi në vështirësi në pjesën e parë ndaj Sociedadit. Madje spanjollët në shumë tregues ishin më lart se vendasit, duke i shtangur sidomos në kundërsulm dhe në mënyrën e konceptit të lojës në të dy fazat e saj. Kjo bëri që PSG të kishte vështirësi për të zhbllokuar rezultatin, pasi repartet ishin mjaft të shkëputur nga njëri-tjetri. Pjea e parë mbyllet 0-0, por në të dytën parizienët e zgjidhën si duhet ndeshjen, duke nxjerrë mësimet e duhura. Kështu, i përhershmi Kilian Mbape shënoi në minutën e 58-të pas asistimit nga Markinjo, kurse në minutën e 71-të, Barkola dyfishoi rezultatin. Goli i dytë i dha qetësinë e munguar PSG-së, që me këtë fitore hedh një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit. Ndeshja e kthimit do të luhet në Spanjë pas dy javësh. Me fitoren prej dy golash që korri mbrëmë, natyrisht që PSG është tani me një këmbë në turin tjetër. Madje, PSG konsiderohet skuadër favorite për trofeun.
Share
Te tjera
