Të martën Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të mbajnë konferencën e parë ndërqeveritare, kjo pasi Kuvendi i Maqedonisë se Veriut miratoi sot propozimin francez, duke zgjidhur kështu ngërçin me Bullgarinë. Në një seancë të jashtëzakonshme tre ditore, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi propozimin francez me 68 vota pro të maxhorancës.
Opozita u largua nga salla e Kuvendit para se të niste votimi. Propozimi hasi shumë kundërshti nga opozita, e cila ka zhvilluar debate të forta dhe sot u largua nga salla pak para se të niste votimi. Kundër këtij propozimi kanë qenë edhe qindra qytetarë të cilët kanë protestuar me ditë me radhë dhe nuk munguan as sot jashtë Kuvendit. Sipas tyre, ky propozim cenon identitetin kombëtar. I menjehershëm ishte reagimi i Mickoskit i cili tha LSDM-ja si pasardhëse e komunisteve, shndërrohet në shërbetorë të Bullgarisë.
“Dua që të them që nuk është kryer asgjë, ne do te vazhdojmë me luftën tonë, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për futjen e bullgarëve në kushtetutë. Kjo gjë nuk do të kaloj në parlament. Nuk do të pranojmë ndryshime kushtetuese”, tha ai.
Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi duke përshëndetur vendimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut thotë se të martën do të mbahet konferenca e parë Ndërqeveritare.
‘Mezi presim hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut të martën, ku do të takohemi në Bruksel. Maqedonia i përket BE-së.’- shkruan Varhelyi.
Ky vendim është përshëndetur edhe nga politika shqiptare dhe zyrtarët e lartë të Bashkimit Europian dhe të SHBA-së.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen e pranishme në Kuvedin maqedonas dy ditë më parë e bëri të qartë që me miratimin e propozimit francez javën tjetër do të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare. Von der Leyen i siguroi maqedonasit se gjuha e tyre do ruhet me ‘fanatizëm’, por kjo deklaratë solli reagimin e opozitës e cila e quajti presidenten e KE-së tradhtare.
“Nëse ju pranoni propozimin francez, konferenca e p[arë ndërqeveritare do të nisë që javën e ardhshme”, tha ajo.
Rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut dhe i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian tashmë është i lirë, pas zgjidhjes së ngërçit që ishte krijuar nga vetoja bullgare. Bullagaria dhe Maqedonia e Veriut prej kohësh, kishin mospajtime për çështjen e gjuhës, të identitetit dhe të së kaluarës historike, që bllokuan integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian si dhe të Shqipërisë.
Franca doli me një propozim prej shtatë pikash, që kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët. Qeveria maqedonase e ka mbështetur propozimin, por opozita i doli kundër duke zhvilluar në më shumë se dy jave protesta.
Cili është ‘Propozimi francez’?
Drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së “gjuhës maqedonase”. Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.
Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi “merr parasysh” synimet e të dyja palëve për të lëshuar “deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase”, me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018.