E hënë, 19 Janar, 2026

Kuvendi i hap rrugën ‘Paqes Fiskale’ e fshirjes së 1 mld € borxhe! Rrëzohen amendimet e Braçes që bizneset përfituese të deklarojnë burimin e të ardhurave! Karton i kuq dhe për opozitën

Share

Kuvendi ka miratuar me 75 vota pro, 20 kundër dhe 0 abstenim projektligjin “Për Marrëveshjen Fiskale’. Edhe pse Komisioni i Ekonomisë i dha dritën jeshile propozimit të Erion Braçes që kompanitë që do të përfitojnë nga paqja fiskale duhet të deklarojnë burimin e parave dhe pronarin përfitues, me propozim të Taulant Ballës ky ndryshim u hoq në kuvend.

“Do të votojmë amendamentin e paraqitur nga deputeti Taulant Balla, ku propozohet që neni dy paragrafi përfitimi nga marrëveshja, bëhet me verifikimin e burimit të fondeve dhe pronarit përfitues sipas standarteve të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, i shtuar nga Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat të hiqet”, tha kryetari i Kuvendit Niko Peleshi.

Projektligji për ‘Marrëveshjen e Paqes Fiskale’ parashikon lidhjen e një marrëveshje mes bizneseve të mëdha dhe tatimeve për të negociuar fitimin. Konkretisht mbi fitimin e deklaruar të një biznesi këtë vit, do të shtohet një marzh 18% në 2026-ën, dhe çdo fitim që kalon pragun prej 18% do të tatohet me 5%.

Braçe ka kërkuar edhe në kuvend që të gjitha bizneset që do të rrisin deklarimet duhet që të vërtetojnë burimin e parave për të mos ligjëruar pastrimin e parave.

““Propozimet që kam bërë, thellojnë karakterin e ligjit. I jep mundësi të gjithë atyre që kanë mashtruar shtetin me fitimin, me të ardhurat, me bilancet financiare, i jepet mundësia për deklarim real për të përfituar nga paqja. Të gjtihë propozimet që kam bërë ndajnë thelbin e ligjit me mundësinë për të pastruar para. Secili propozim i bën mirë ligjit në këtë aspekt. Një subjekt që prë 20 vite ka deklaruar 3% normë fitimi, nuk mund të vijë e të deklarojë 19% fitim, dhe të përfitojë 5% për atë atë 1% mbi 18%. Po duhet ta thotë edhe burimin e të ardhurat. Edhe ato që u morën parasysh në komision dhe u rrëzuan tani heqin mundësinë për pastrim parash, dhe i japim ligjit karakter transparence”, thotë Braçe.

Edhe propozimi për të përjashtuar kompanitë që kanë marrë koncesione nga kjo paqe, u rrëzua.

“Kam kërkuar që kush merr koncesione dhe PPP nuk duhet të përfitojë nga kjo marrëveshje fiskale”, tha Braçe. U rrëzua me 73 vota kundër dhe vetëm 22 vota pro.

Kurse PD-ja kërkoi që nga Paqja Fiskale të jetë i përjashtuar sektori i ndërtimit, si dhe tatimi për ata që deklarojnë mbi 18% të fitimit të dakordësuar të jetë 10%. Por as këto nuk morën dritën jeshile në Kuvend.

Të gjithë ndërkombëtarët janë shprehur kundër këtij projektligji. Ky është projektligj si lavatriçe parash, duhet të ribëhet i gjithi”, tha Bozdo. Pas rrëzimit të këtyre amendimeve, Jorida Tabaku tha se ligji do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Sot në nisje të seancës, në emër të grupit parlamentar të Partisë Demokratike kërkova që ligji për marrëveshjen e paqes fiskale të tërhiqej nga rendi i ditës. Disa nga kolegët kanë bërë amendamente për t’u përpjekur për të kufizuar dëmet që ky ligj ka dhe që do të ketë në ekonomi. Por ne besojmë dhe gjykojmë që ligji është antikushtetues. Ligji cenon barazimin përpara ligjit. Ligji nga ana tjetër hap edhe një shteg për pastrimin e parave, jo se në ekonominë shqiptare nuk po ndodh pak ky fenomen. Ligji ka mungesë transparence, ligji cenon konkurrencën. Ligji është një nga ligjet më të lobuara që vijnë këtu në Parlamentin e Shqipërisë. Disa nga amendamentet e prezantuara nga kolegët socialistë për përjashtimin e kontratave koncesionare, partneriteti publik privat, kompanive që janë hetim, kompanive që janë subjekt i SPAK-ut, kompanive që kanë ortak që janë hetim, janë bërë njëkohësisht edhe nga deputetë e Partisë Demokratike, për t’u përpjekur për të kufizuar dëmet që ky ligj ka. Edhe në qoftë se presidenti e dekreton, grupi parlamentar i Partisë Demokratike të gjithë do ta shohin ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, tha Tabaku.

Gjithashtu kush hyn në marrëveshje ka të drejtë të korrigjojë pasqyrat financiare të 5 viteve të mëparshme, deri me 30%. Pra nëse në vitin 2022, një biznes ka deklaruar 200 mijë euro të ardhura, ai do të mund të ndryshojë pasqyrën financiare, dhe ti rrisë të ardhurat deri në 60 mijë euro, kjo pjesë do të tatohet me vetëm 5%.

Ndërkohë, me 73 vota pro dhe 14 kundër Kuvendi miratoi ligjin “Për fshirjen e detyrimeve”. Sipas këtij ligji, të gjitha detyrimet e krijuara deri në 31 dhjetor 2014 fshihen automatikisht, me përjashtim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Janë afro 2 miliardë euro që preken nga kjo nismë e miratuar, nga të cila 1 miliardë euro borxhe që falen automatikisht pasi janë me vjetërsi mbi 10 vite, pa përfshirë detyrimet për sigurimet shoqërore. Ndërsa borxhet e krijuara si doganore ashtu edhe tatimore nga 2015-2024 do të lehtësohen vetëm nëse paguhen detyrimet.

Te tjera

Lajme te tjera