E shtunë, 26 Shtator, 2026

Kush e ndezi vërtet zjarrin e Lëvizjes së Dhjetorit ’90, Muharrem Xhafa zbardh planin sekret të Ramiz Alisë, si u përdor Sali Berisha si “kalë troje” dhe pse u fut mes studentëve, ja misioni i padëgjuar i CIA-s dhe tradhtia e madhe që rrëzoi socializmin

Share

Teksa dje u mbushen plot 35 vite nga Lëvizja e Dhjetorit 1990, debati për origjinën, organizatorët dhe prapaskenat e atyre ditëve vendimtare është më i ndezur se kurrë. Për shumëkënd, studentët ishin forca e parë që sfidoi regjimin; për të tjerë, lëvizja ishte e manipuluar dhe e kapur nga struktura të errëta të brendshme dhe të huaja. Në këtë atmosferë polemikash, Muharrem Xhafa, ish-shef i sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror (KQ) të Partisë së Punës së Shqipërisë (PPSH) rikthehet me rrëfime të panjohura dhe deklarata që tronditin narrativën e tranzicionit shqiptar. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, ai hedh dritë mbi rolin e Ramiz Alisë, të cilin e quan pa hezitim “kryetradhëtarin” e socializmit dhe njeriun që, sipas tij, projektoi me kujdes kalimin e Shqipërisë në kapitalizëm. Po ashtu, z. Xhafa zbulon lidhjen e ngushtë mes Alisë dhe Sali Berishës, të cilin e përshkruan si “delfinin politik” të ish-presidentit. Mes dëshmive të tij, ai sjell episode të padëgjuara nga qyteti “Studenti”, përfshirjen e spiunëve, rolin e ambasadave dhe mekanizmat e presionit të huaj. Madje kjo intervistë e z. Muharrem Xhafa që po e sjellim ekskluzive për lexuesin e gazetës “SOT”, nuk kursen askënd dhe sfidon versionet zyrtare të historisë së tranzicionit shqiptar. Për disa do të duket alarmante, ndërsa për të tjerë ndoshta zbulon pjesën e padukshme të fillimit të pluralizmit dhe asaj çka ndodhi 35 vite më parë.

-Zoti Xhafa, sot mbushen plot 35 vjet nga nisja e lëvizjes studentore që çoi në rrëzimin e sistemit komunist. Ju, në atë kohë, si drejtues i sektorit të Edukimit në KQ të PPSH-së, i ndoqët nga afër ato zhvillime. Çfarë ndodhi konkretisht më 8 dhjetor 1990? Dhe a qëndron pretendimi se Partia e Punës, me Ramiz Alinë, e organizoi apo e ndikoi atë lëvizje?

Duke qenë se kam mbajtur funksion në aparatin e KQ të PPSH-së, natyrisht kam qenë i informuar për lëvizjen studentore të dhjetorit ’90. Kam shënuar edhe ngjarjet e asaj kohe, përfshirë rolin e protagonistëve dhe të deleguarve të Ramiz Alisë që u angazhuan në atë proces. Në librin tim “Kur tradhtohej socializmi”, botuar në vitin 2010, kam paraqitur qëndrimin tim mbi këto zhvillime. Për lëvizjen është folur e shkruar shumë—në media, në ekrane, me deklarata të sakta e të pasakta, me të vërteta e me trillime. Janë përfshirë njerëz që kanë pasur përgjegjësi dhe informacion real, por edhe të tjerë që, pa hezitim, mund t’i quash gënjeshtarë.

-Faleminderit, ndërkohë që po e shtrojmë drejt e qartë pyetjen: A ishte lëvizja studentore e dhjetorit 1990 e planifikuar apo e drejtuar nga PPSH-ja dhe Ramiz Alia?

Lëvizja e dhjetorit ’90 nuk lindi papritur; ajo u parapri nga një sërë ngjarjesh që nisën pas rënies së Murit të Berlinit në fund të vitit 1989. Shumë intelektualë edhe sot kujtojnë artikujt e botuar në “Zërin e Popullit”, intervistat në “Zërin e Amerikës” dhe debatet që u hapën nga idetë e reja të atyre viteve. Sigurisht që udhëheqja e Partisë dhe Ramiz Alia i njihnin mirë këto zhvillime, të cilat ishin në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të socializmit. Ramizi i toleronte, madje i nxitonte me kujdes, duke vepruar në mënyrë të tërthortë. Ato që ndodhën më pas – futja e familjes Popa në ambasadën italiane, ngjarjet e ambasadave të 2 korrikut 1990, eksodi masiv drejt Perëndimit – e bënë të qartë se tensionet do të shpërthenin edhe më fort në dhjetor dhe përtej. Kështu ndodhi, kur më 8 dhjetor filluan protestat e studentëve në “Qytet Studenti”. Me këtë logjikë, lëvizja e dhjetorit ishte vazhdimësi e një procesi më të gjatë dhe, sipas vlerësimit tim, ishte e frymëzuar dhe e drejtuar në heshtje nga agjentura të huaja, me dijeninë e Ramiz Alisë dhe një grupi të vogël njerëzish rreth tij. Unë nuk dua të hyj në thashethemet se Ramiz Alia paskësh qenë agjent që prej kohës së Enver Hoxhës. Por jam i bindur se nga Kongresi i 9-të deri në të 10-in, ai punoi në mënyrë të qëndrueshme për çmontimin e vijës së Enver Hoxhës dhe për hapjen e rrugës drejt kapitalizmit, nën ndikimin e faktorëve perëndimorë. Pas vdekjes së Enverit, Partia e Punës nuk ishte më ajo që kishte qenë gjatë luftës dhe ndërtimit të socializmit. Nuk kam qenë pjesë e Byrosë Politike që merrte vendimet më të mbyllura, por si drejtues sektori dhe anëtar i Partisë në të njëjtën organizatë-bazë me Ramizin, nuk kam dëgjuar kurrë që ai të artikulonte hapur ndonjë kritikë ndaj Enverit apo ndonjë plan për ta kthyer Shqipërinë drejt kapitalizmit. Përkundrazi. Kjo është arsyeja që them se lëvizja studentore dhe ngjarjet e tjera të asaj periudhe nuk janë ideuar apo kontrolluar nga Partia e Punës. Komunistëve në bazë nuk u paraqit asnjëherë detyra për të pranuar pluralizmin apo për të zhbërë socializmin. Në fund, koha tregoi se Ramiz Alia, me disa bashkështetarë të afërt, kishte dijeni dhe ishte dakord me rrugën që po merrej. Prandaj them se jo Partia e Punës e orkestroi lëvizjen dhe as kthimin në kapitalizëm, por Ramiz Alia me rrethin e tij – një tradhti e bërë nën rrogoz. Pas 9 dhjetorit, pasi u pranua pluralizmi dhe u krijuan partitë e para opozitare, ai e tha hapur se Shqipëria po ecte drejt një sistemi tjetër. Ky fakt nuk do të thotë se PPSH-ja ishte nxitësja e lëvizjes studentore apo e zhvillimeve kapitaliste; ajo u kap e papërgatitur dhe u tradhtua nga drejtuesit më të lartë. Për çështjet e përgjegjësive të Partisë ka shumë për të diskutuar, por ato i kalojnë kufijtë e kësaj interviste.

-Pra, ju mendoni se Ramiz Alia e tradhtoi Partinë e Punës?

Po, këtë e kam besuar gjithmonë. Ajo që po them sot, ia kam thënë Ramiz Alisë edhe sa ishte gjallë. Madje ia kam dorëzuar vetë librin tim “Kur tradhtohej socializmi”, ku e kam cilësuar si personin kryesor përgjegjës për tradhtinë. Pas vdekjes së tij nuk kam pse t’i shtoj apo sajoj gjëra. Duhet bërë një dallim i qartë mes Ramiz Alisë dhe shumicës së anëtarëve të ndershëm të PPSH-së. Sipas meje, procesi i kalimit të Shqipërisë drejt kapitalizmit është kryer me dijeninë dhe veprimtarinë e vetë Ramiz Alisë, në mënyrë të fshehtë dhe të ndërlikuar, duke u orientuar nga struktura dhe shtete të huaja. Jo rastësisht, Rajersoni i SHBA-ve ishte i pranishëm pothuajse në çdo zhvillim politik të asaj kohe dhe mbante marrëdhënie të ngushta me Ramizin dhe disa njerëz përreth tij.

-Cili është vlerësimi juaj për figurat kryesore të dhjetorit, veçanërisht për Sali Berishën dhe Azem Hajdarin?

Më duket se fjala “lider” është keqpërdorur shumë. Lider nuk bëhesh brenda pak ditësh. Sigurisht që ka pasur studentë që u dalluan më shumë se të tjerët—disa për meritat e tyre, disa sepse dikush i shtyu përpara—por kjo është temë më vete. Shumë prej studentëve më idealistë u larguan nga vendi, ndërsa të tjerë që u ngritën shpejt në pushtet, sipas meje, përfituan nga situata dhe më vonë madje u përfshinë në konflikte me vetë njerëzit që i mbështetën. Për lider nuk mund të quhen ata që, siç them unë, u futën në lëvizje nga strukturat e Sigurimit apo nga njerëz të afërt me Ramiz Alinë, me qëllime që shkonin përtej kërkesave studentore. Nëse dosjet e plota do të hapeshin ndonjëherë, do të shihej qartë kush ka qenë realisht pjesë e lëvizjes së dhjetorit dhe kush jo, si edhe cilët janë sot vërtet përfaqësues të popullit.

-A ka qenë Sali Berisha njeri i besuar për Ramiz Alinë?

Sipas meje, pa ndërhyrjen dhe mbështetjen e Ramiz Alisë, nuk do të ishte krijuar PD-ja as Partia Republikane. Ramizi e ftonte Berishën, Godon dhe të tjerë në shtëpinë dhe zyrën e tij, u jepte detyra konkrete për ecurinë e protestave studentore. Mendoj se kjo nuk kishte lidhje me vijën e PPSH-së, por ishte një veprimtari e fshehtë e Ramizit kundër Partisë. Pa mbështetjen e tij dhe pa ndikimin e personave të tjerë ndërkombëtarë, Berisha nuk do të ishte shfaqur në skenën politike. Kam thënë edhe më parë se lidhja e tyre u duk që më 8 dhjetor 1990 dhe u forcua në ngjarjet e 20 shkurtit 1991 e të 22 marsit 1992.

-A ka qenë Sali Berisha anëtar i PPSH-së? Si e shpjegoni foton e tij me Enver Hoxhën?

Sipas meje, Sali Berisha s’ka qenë kurrë komunist i mirëfilltë. Ai vetëm është fshehur pas etiketës së komunistit dhe është paraqitur si mik i familjes së Enver Hoxhës. Në thelb, mendoj se ai ka pasur neveri ndaj sistemit që e shkollim dhe i dha profesionin e mjekut. Për ta përshkruar më qartë figurën e tij, po kujtoj një thënie të Vaclav Havelit: “Njerëzit më të poshtër janë ata ‘komunistë’ që bëhen më pas antikomunistë.”

-Dhe një herë: A ishte e rastësishme që Berisha e lëvdoi Ramiz Alinë në mitingun e 8 dhjetorit 1990?

Për mua, është naive të mendohet se ajo deklaratë ishte spontane. Ajo ishte e menduar dhe e përgatitur mirë. Berisha, sipas meje, kishte shkuar me mision të thoshte pikërisht atë gjë për Ramizin para studentëve.

-Çfarë mendimi keni sot për Sali Berishën?

Unë jam kundër sistemit borgjez në të gjitha format e tij, ndaj jam njësoj kundër Berishës, Bashës dhe Ramës—sepse të tre përfaqësojnë kapitalizmin dhe jo socializmin. Për Berishën mund të flisja gjatë, por po e përmbledh me një shprehje popullore që dëgjohet shpesh në veri: njeriu i vjetër ka ende kohë të gabojë, por nuk ka më kohë të ndreqë gabimet.

-Ju theksoni se lëvizja e dhjetorit ’90 ishte e frymëzuar nga agjentura të huaja dhe jo spontane. Ku e mbështesni këtë pikëpamje?

Nga ato që kam parë dhe përjetuar, jam i bindur se lëvizja e dhjetorit s’ka qenë aspak spontane. Kam qenë në “Qytet Studenti” nga 8 deri më 10 dhjetor dhe jam takuar me disa prej atyre që sot dalin nëpër media me rrëfime të ndryshme. Ideja se gjithçka filloi vetëm për kushte jetese dhe se më pas u kthye natyrshëm në kërkesa politike, sipas meje, u shitet vetëm atyre që janë naivë.

Nuk mohoj që kishte studentë e pedagogë të sinqertë me shqetësime reale, por drejtimi i protestës, frymëzimi, dinamika dhe disa nga figurat kryesore, sipas meje, u diencuan nga jashtë ose u infiltruan nga brenda. Në ndërkohë, shumë prej atyre që vepruan me sinqeritet u lanë mënjanë ose u larguan, ndërsa ata që kishin mbështetje dhe garanci të dukshme—brenda dhe jashtë vendit—mbetën këtu, u promovuan dhe sot janë në politikë, në institucione dhe në parti të ndryshme. Një episod po e tregoj, meqë lidhet me pyetjen tuaj: më 10 dhjetor, rreth orës 9 të mëngjesit, teksa zbresja nga “Qytet Studenti” me një koleg të KQ-së, takuam Ramiz Alinë para ndërtesës së udhëheqjes. Ai na pyeti për situatën. I thamë se protestën e kishin marrë në dorë të huajt dhe se ambasadat e huaja po futeshin pa pushim aty—një gjë tërësisht e papranueshme. Ramizi, krejt qetë, na tha të njoftonim Piro Kondin dhe t’i kërkonim të aktivizonte komunistët e Tiranës. Kur bëmë edhe një analizë të mëtejshme mes nesh, na u krijua bindja se vetë Ramizi ishte në dijeni dhe pjesë e asaj që po përgatitej.

-Shoku Xhafa, pas 35 vitesh, si e vlerësoni sot rolin e Ramiz Alisë? Mendoni se ai veproi si duhej në atë kohë, apo e tradhtoi vijën komuniste dhe trashëgiminë e Enver Hoxhës?

Për figurën e Ramiz Alisë dhe për rolin e tij në shembjen e socializmit e kalimin e Shqipërisë në kapitalizëm, qarkullojnë mendime krejt të ndryshme. E djathta, sidomos Partia Demokratike, nuk ia pranon meritat që ai pati, sipas meje, për interesat e borgjezisë—edhe pse ai i organizoi proceset kundërrevolucionare dhe u dorëzoi pushtetin kur iu kërkua. Ata e mohojnë këtë sepse do t’u cenoheshin vetë “lavditë”. Edhe e majta, me Partinë Socialiste në krye, nuk e vlerëson Ramizin; sepse nuk duan t’u ngjitet etiketimi si mbështetës të komunizmit dhe sepse pranojnë me vështirësi faktin se ai, si kryetar i PPSH-së, i solli në pushtet në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe pastaj i udhëhoqi edhe në Kongresin e 10-të, kur PPSH u shndërrua në PS. Por për ne që mbajmë bindje komuniste, Ramiz Alia ka qenë tradhtari kryesor. Ai punoi për borgjezinë, jo për popullin. Ai krijoi terrenin politik për Sali Berishën, i cili mbeti në qendër të skenës politike deri sot. Ramizi ia dorëzoi pushtetin kundërshtarit politik si një njeri pa qëndresë. Sigurisht, nuk mbaron me kaq çështja e Alisë. Kush dëshiron të futet më thellë, le t’i referohet analizës sime në librin “Kur tradhtohej socializmi”. Ta them shkurt: sipas nesh komunistëve, Ramiz Alia tradhtoi idealet e komunizmit dhe Enver Hoxhën. Disa sot thonë se ai ka meritën që tranzicioni drejt kapitalizmit ndodhi pa dhunë dhe pa tragjeditë që panë disa vende të tjera ish-socialiste. Po, kjo është e vërtetë, por tranzicioni u bë duke braktisur mbrojtjen e interesave të punëtorëve, të socializmit, të mësimeve të Enverit—për të cilat Ramizi kishte dhënë betimin më të lartë—dhe duke i hapur rrugë borgjezisë, që sot po e rrjep popullin dhe po e varfëron çdo ditë. Jam i bindur se ai e bëri këtë edhe për të siguruar mosndëshkimin e vet. Por borgjezia nuk njihet për besnikëri. Ramiz Alia, për sa duket, e harroi këtë mësim që e ka dhënë shumë qartë historia e revolucionit.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera