Presionet duket se kanë detyruar deputeten e Partisë Demokratike, Grida Duma që të heqë dorë nga mandati i ligjvënëses. E indinjuar nga sjellja e asaj klase që i përkiti për më shumë se 9 vite, Grida Duma njoftoi dje largimin si deputete, mes lotëve të kolegëve të saj dhe mes kritikave të forta për lidershipet dhe forcës politike, të cilës i shërbeu dhe pas më shumë se 5 vitesh si përfaqësuese e shqiptarëve në Parlament. Por ky vendimi i zonjës Duma për të hequr dorë nga mandati i deputetes shton hijet e dyshimit dhe ngre disa pyetje që kërkojnë përgjigje. Një nga pyetjet që ngacmon të madh dhe të vogël në Shqipëri është se kush e shantazhoi Dumën? Dhe kjo nuk është e vetmja, pasi kushdo me të drejtë pyet se përse ka plasur hemorragjia e deputetëve të lëkundur të PD zyrtare. Në harkun kohor të dy ditëve deputetët Grida Duma dhe Alfred Rushaj u larguan, ndonëse u vu re një qasje e tyre me dy standarde, pasi kohët e fundit nuk ishin as me grupin e Alibeajt dhe as me të Berishës. Madje ky i fundit dje në mbledhjen e grupit të “Foltores” la të nënkuptohet se nuk e priti mirë largimin e Dumës, pasi synonte ta afronte atë pranë vetes, me qëllim që të forconte grupin e tij ilegal. Mirëpo këto dyshime nuk janë të vetmet që ngacmojnë arsyen e qytetarëve, të paktën atyre që njohin politikën shqiptare, sepse dhe vetë Duma indirekt dje tregoi se “flirtet” e saj me Berishës, janë pikasur nga amerikanët. Deputetja Duma mes rreshtave u kujdes të tregonte se ajo është kundër Berishës dhe se linja proamerikane është kryefjala dhe duhet të jetë për të, demokratët e thjeshtë, pse jo edhe për ata që mbështesin me fanatizëm Sali Berishën, i shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu që nisur nga këto indicie, dyshimet janë se Grida Duma është kërcënuar, sikundër e pohoi edhe vetë ajo ditën e djeshme. Megjithatë, mbetet të shihet dhe do jetë faktoi kohë, ajo që do të zbardhë të vërteën e kësaj dorëheqjeje.
Kërcënimet
Duke folur dje në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit të Shqipërisë, Duma zbuloi se pengu më i madh i saj nuk është lënia në mes i misionit të saj për të ideologjinë e së djathtës, ndërsa theksoi fakti se sulmet e politikës nuk u mjaftuan me të por edhe me të birin. Megjithatë, zonja Duma shtoi se po largohet nga politika me duar të pastra. “Nuk i jam larguar përgjegjësisë edhe kur më kanë goditur personalisht, mjerisht sepse nuk gjetën dot një aferë korrupsioni, një ndyerje duarsh. Jam sulmuar nga hiena që të më brejnë personalisht. Sot, do t’ju them që ka një gjë që nuk do ja fal kurrë politikës së llumit që ndoshta do jetë pengu, goditja që më bënin mua në brez, godiste pandërprerë tim bir, nuk e kam falur kurrë dhe as nuk do t’ia harroj politikës së llumit dhe shpresoj të ketë qenë një mësim për të. Herë pas herë dalin me fytyrën e ngrirë sikur po shpikin rrotën. Do t’i shfaqen edhe atij fytyra të atyre të korruptuarve të nginjur”, deklaroi Duma.
Duma flet për përçarjen e PD-së
Por teksa njoftoi lënien e mandatit, Grida Duma foli edhe për përçarjen e Partisë Demokratike. Duma theksoi se ka bërë gjithçka që PD-ja të ketë në krah aleatin e saj strategjik Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa shtoi se nuk e shmangi dot një 6 mars të dytë.“Para dhe pas 6 marsit, në situatën më të vështirë kam bërë sa munda që PD të kishte krah saj aleatin më të madh në gjenezën e vet, aleatin strategjik SHBA. Vijoj të mendoj se duhet ta ketë aty përkrah. Nëse nuk bëra dot që të mos ndodhë një 6 mars i dytë, do të thotë që duhet të di të bëj duke dhënë një model që ndoshta sot dhe në të ardhmen ndryshon për ujërat e ndenjura që durojmë të gjithë me kompromise”, nënvizoi Duma. /Rigels Seliman/