Nga Bardhyl Bejko
Ditën e diel, Berisha ka zhvilluar fushatën e tij i ndarë nga kreu i koalicionit, Ilir Meta në Fushë-Arrëz. Thjesht si anonimat. Pikërisht në qytezën e vogël është surprizuar pasi një pensionist i ka dorëzuar teserën e partisë socialiste, duke u shprehur se ka nevojë për ndryshim.
E për këtë, Berisha i ka dedikuar një postim në rrjetin e tij social Facebook dhe e ka quajtur “Akt atdhetarie ” megjithëse i përket kastës së vjetër të politikës dhe tanimë një rutinë që ndodh shpesh sa herë ka zgjedhje. Në një reagim përmes një postimi në Facebook, Berisha e ka thelluar vlerësimin, duke shkruar se qytetari ka bërë një akt atdhetarie të vërtetë. Në realitet konvertimet nga socialistë në demokratë apo anasjelltas, janë një rutinë e zakonshme në vendin tonë, ashtu si në çdo demokraci në gjithë botën. Jo vetëm një anëtar i zakonshëm, po edhe personalitete të njohura, persona publikë, intelektualë të shquar, kanë bërë gjeste të tilla deri edhe deputetë të parlamentit. Lista e të cilëve është e pafund në se i referohemi tri dekadave demokraci. Është një proces krejtësisht normal edhe pse ka brenda luhatje, jo thjesht të karakterit individual apo pëlqyeshmërive që mund të jenë të çastit apo të improvizuara dhe të nxitura për të bërë shou, improvizime, por edhe si akte demonstrative për të mbajtur qëndrime refraktare dhe kundërshtuese ndaj politikave të ndryshme apo mungesave të përjetuara ndër vite, siç mund të jenë shërbimet jo korrekte apo padrejtësi të individëve të veçantë, zyrtarë të shtetit.
Dhe në këto veprime nuk ka vend për keqardhje nga ata që i largohet një individ e as entuziazëm të papërmbajtur nga ata që u shtohet një kundërshtar politik. Individi nuk përbën të tërën dhe nuk krijon ndonjë frymë që të shoqërohet nga masiviteti i lëvizjeve nga njëra, në tjetrën forcë politike. Në se do ishte kështu, PD zyrtare duhet të kishte ikur fare nga skena politike meqenëse shumë prej mbështetësve të saj, deri edhe deputetë e funksionarë të rëndësishëm të partisë i janë bashkuar “Rithemelimit” të Berishës edhe pse në 8 janarin e 2022, u vranë e u prenë, gjatë marshimit kundër selisë, ku kështjellarët e brendshëm, ata që ishin ngujuar brenda bedenave, u përplasën egër me ata që kërkonin ta pushtonin selinë, kala të partisë, për ta kthyer në seli të tyre, ashtu siç arritën ta realizojnë brenda një kohe të shkurtër edhe pse në shkelje të demokracisë dhe të ligjit. Po kështu, gjatë këtyre viteve, ka pasur lëvizje në bllok nga PD në LSI-në e djeshme apo në PS nga ajo që sot emërtohet PL. Nga PD u krijuan dhjetë parti. Nga PS tre. Nga të gjitha partitë ka ndodhur diarre. Vetëm në qytetin e Beratit, ditë më parë,dhjetëra të rinj të FRPD, iu bashkuan socialistëve jo thjesht për aksionin e mbjelljes së pemëve për gjelbërim, po edhe për të votuar alternativën që përfaqëson mazhoranca. E megjithë këto lëvizje dhe qindra të tjera, siç ishte edhe ajo e demokratit amerikano -shqiptar në Shkodër, i cili me pragmatizëm i kërkoi, Ramës të ndërtojë rrugën e Dukagjinit dhe të jepte certifikatat e pronësisë dhe votën do ta jepte për kandidatin, Benet Beci. Jo vetëm shqiptaro- amerikani, po edhe shumë të tjerë kanë ikur nga demokratët te socialistët dhe askush nga socialistët nuk e ngriti në piedestal këtë lëvizje apo prurje të re sikur u shkri “Rithemelimi “ dhe të gjithë shkuan tek socialistët. Asnjë nga drejtuesit e PS nuk vuri altoparlantët dhe nuk pushtoi ekranet e televizioneve si të kishte ngjarë një atak i jashtëzakonshëm atdhetarie. Ndodhën në Shkodër a Berat, në Sarandë apo në Vlorë, dikush iu bashkua socialistëve dhe dorëzoi apo grisi kartën e anëtarësisë të PD-së. Po pastaj? Në vitin 1990 në një fshat pranë Butrintit në Vrinë në një takim me anëtarët e Partisë së Punës, i deleguari nga Tirana, u sqaronte komunistëve si Partia e Punës në kongresin e saj vendosi transformimin nga PP në PS. Kuptohet të brumosur për një gjysëm shekulli me ideologjinë marksiste, jo pak anëtarë e kundërshtuan këtë lëvizje dhe nuk e quajtën reformim, po tradhti të bindjeve ideologjike të Enver Hoxhës dhe marksizëm- leninizmit në një kohë kur në tërë botën kjo ideologji kishte marrë fund dhe Shqipëria ishte e fundit që hodhi këtë hap.
Në këtë pështjellim të krijuar, njeri prej anëtarëve të partisë, u ngrit ngadalë dhe iu drejtua shokëve të një ideali: O shokët e mi që kemi milituar për shumë vite në të njëjtën organizatë, cila është e keqja e këtij ndryshimi? E ç’u bë që nga PP u bëmë PS, një shkronjë ndryshoi! Asgjë tjetër. Po komunisti i vjetër, jo se kishte kuptuar përmbysjen e madhe, po gjithçka ia atribuoi sintaksës dhe morfologjisë, se ishte thjesht një shkronjë ndryshimi në një kohë kur ishin ndryshuar themelet. Mirë apo keq, i bindur apo nga cektësia, komunisti i dha një rrjedhë tjetër mbledhjes dhe në radhë të gjithë u shprehën dakord për ndryshimin e madh edhe pse u arsyetua me një germë të alfabetit. Tani të vijmë tek entuziazmi i Berishës për dorëzimin e teserës së socialistit pensionist në Fushë – Arrëz. Ky veprim nuk pasuron as “Rithemelimin” e as varfëron Partinë Socialiste. Nuk jemi në kohën e PP kur dorëzimi i teserës së partisë ishte baraz me tradhti të lartë ndaj atdheut. Këtu e gjithë filozofia qëndron në etiketimin që i bëri, Sali Berisha si ish – komunist këtij akti në një nga qytezat në veri, duke e cilësuar si një akt madhor, triumf, atdhetari, si një shuplakë kundër Edi Ramës, si një diarre që për zhbërje të PS dhe i jep shansin Berishës për një fitore madhështore në 14 maj ose siç e cilësoi pensionisti, Shqipëria ka nevojë për ndryshim.
Të vinte ndryshimi nga një dorëzim tesere, ne shqiptarët do ishim sot në majën me të lartë të botës, në Himalajë, pasi kaq shumë tesera dhe mandate kanë ndryshuar kahje sa zor ta llogariste edhe kompjuteri më i sofistikuar në botë. Trajtimi i një dorëzimi teserë partie në cilindo forcë politike që të ndodhë, si një akt i paparë atdhetarie, sikur të ishin heronj të kohës tonë apo njësh me heronjtë e mëdhenj të kombit shqiptar, është vërtetë për të qeshur e për të qarë. Në se entuziazmin e doktor Berishës e ngre një teserë partie e dorëzuar nga një pensionist do doja që përditë një socialist t’i dorëzonte demostrativisht liderit të “Rithemelimit” teserën e partisë, mjafton që t’i dalin llogaritë se socialistët më në fund u shkrinë. Po edhe kjo llogari nuk ka asnjë vlerë se një ikën dhe mijëra të tjerë vijnë dhe kjo nuk ndodh vetëm me një parti, po me të gjitha partitë në Shqipëri. Dhe kjo lëvizje e ka emrin demokraci. Kurrësesi nuk është baraz me heroizëm dhe atdhetari.
