E hënë, 27 Prill, 2026

Kush del në pension pas 1 korrikut 2024 merr më shumë para, miratohet indeksimi i pensioneve në masën 13.5%, ja si do të bëhet llogaritja me hyrjen në fuqi të koeficentëve të rinj

Share

Të gjithë ata qytetarë që po dalin në pension pas 1 korrikut i këtij viti, do të përfitojnë më shumë pension mujor, kjo për shkak se qeveria miratoi koeficentët e ri për rivlerësimin e pagave referencë të para vitit 1994. Koeficenti i ri mbi të cilin do të llogaritet paga për ata që kanë vite pune para vitit 1994 bëhet 12.257 dhe jo më 10.799 sa ishte deri tani.  Pra nëse për një punonjës të thjeshtë para viteve 94’, paga referencë për efekt pensioni ishte 2.740 lekë, ajo automatikisht rritet me 12.2 herë dhe shkon në 33,584 lekë. Ndërsa me koeficientin e vjetër paga rivlerësohej nga 2.740 lekë në 29,589 lekë. Rivlerësimi i pagës, mbi bazë të së cilës janë paguar kontributet, sjell automatikisht më shumë para për pensionistët, për shkak se sa më e lartë të jetë vlera e pagës së deklaruar aq më i lartë është edhe pensioni. Ky koeficient do të ndikojë në rritjen e bazës së vlerësuar për persona që do të aplikojnë për pensione të reja  duke bërë të mundur që pensionet e tyre të jenë të harmonizuara me kontributet e derdhura në kohë”, thotë Ministria e Ekonomisë, teksa sqaron këtë vendim. Në vendimin e qeverisë thuhet se pas aplikimit të këtyre koeficienteve paga e rivlerësuar për efekt pensioni, nuk mund të jetë më e lartë se: trefishi i pagës minimale në shkallë vendi dhe as më e lartë se paga maksimale. Kurse pas vitit 94’, koeficentët për pagat referuese janë të ndryshëm dhe nisin nga 9.8 herë për vitin 1995, dhe mbarojnë me 1.1 herë në vitin 2022. Nga ky vendim nuk përfitojnë ata që kanë dalë në pension para 1 korrikut, të cilët do të marrin rritje pensioni, nga indeksimi që pritet të bëhet në tetor të këtij viti.

Ja vendimi i plotë

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 59, të  ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave vendosi: 1. Miratimin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2022, me indeksin 13.5%, të llogaritur sipas kritereve të përcaktuara në nenin 59, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. 2.Indeksi i përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, aplikohet për rivlerësimin e bazës së vlerësuar të arritur nëpërmjet kontributeve të derdhura dhe rivlerësimeve të tyre, të kryera deri në vitin 2022, dhe zbatohet për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohet me datë fillimi nga data 1 korrik 2024 e në vazhdim. 3. Indekset akumulative të bazës së vlerësuar, të arritur nëpërmjet pagave të periudhës 1994-2022, referuar kontributeve të derdhura sipas muajve në këtë periudhë dhe pagave referuese sipas punëve dhe profesioneve, e përcaktuar me vendimin nr.561, datë 12.8.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e pagave referuese për llogaritjen e pensioneve”, të ndryshuar, sipas viteve, janë sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. 4.Pas aplikimit të indeksit të vitit 2022, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve, që do të caktohen me datë fillimi nga data 1 korrik 2024, nuk mund të jetë më e lartë se:
4.a) trefishi i pagës minimale në shkallë vendi, e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001; 4.b) paga maksimale në shkallë vendi, e përcaktuar sipas kritereve të nenit 10, të ligjit nr.7703, datë 1.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim. 5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, lidhen me zbatimin e formulës së caktimit të pensioneve, aplikohen vetëm për pensionet që caktohen me datë fillimi nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi e në vazhdim dhe përballohen brenda buxhetit vjetor, të miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2024”, thuhet në vendim.

Te tjera

Lajme te tjera