Kujdesi shëndetësor në tërësi ndaj grave dhe vajzave dhe në veçanti kujdesi për shëndetin riprodhues dhe mirëqenien seksuale, si një proces jetik për gratë dhe vajzat, burrat dhe për mbarë shoqërinë në kushtet që ne ndodhemi, përbën prej viteve, një prej direktivave të BE, e cila është jetësuar në hapa konkrete në shumë vende europiane, me përjashtimin e produkteve higjienike për gratë dhe vajzat, nga barrierat tatimore, apo edhe dhënien e tyre falas.
Një eksperiencë të tillë, që fare mirë mund të shërbejë si shembull edhe për Shqipërinë, e ndau Ambasadorja e Francës, Catherine Suard, e cila e shoqëruar nga Drejtoresha e Qendrës për Popullsi dhe Zhvillim (QShPZh), Elona Gjebrea, u takua në një market të një lagjeje në Tiranë me disa vajza studente në Universitetin e Tiranes.
Biseda u përqendrua tek produktet higjienike, peshën që kanë këto në buxhetet familjare, mundësinë e marrjes së tyre falas në ambientet publike, siç disa vende europiane kanë, si dhe nevojën e të rinjve për informacion në fushën e shëndetit riprodhues, etj.
Teksa vajzat kishin përzgjedhur disa produkte, shpeshherë jo lehtësisht të përballueshme për buxhetin e tyre, Ambasadorja solli eksperiencën e Francës, ku këto produkte tatohen me një vlere TVSh prej 5.5%, rreth 4 herë më e vogël se në vendin tonë.
Mbështetja me produktet higjienike për gratë e vajzat, e cila rrit mundësinë e aksesit të tyre ndaj mbajtjes së higjienës, me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin seksual e riprodhues është e një rëndësie të veçantë dhe në favor, jo vetëm të tyre, por edhe më gjerë.
Gratë dhe vajzat, si kontribuese të rëndësishme në shoqëri, me rolin e tyre të pazëvendësueshëm në familje dhe mirërritjen e fëmijëve, meritojnë më të mirën në trajtimin shëndetësor tërësor, me fokus të veçantë në shëndetin riprodhues.
