E premte, 17 Prill, 2026

‘Ku ndodhen tani?’ Rama ‘thumbon’ opozitën: Luli në gjumë, ata të tjerët në kafe! Së shpejti, program i ri për familjet me ndihmë ekonomike

Share

Nga Asambleja e PS në njësinë 3 në Tiranë, ndërsa fliste për rienergjizimin e PS dhe momentin “historik” ku ndodhet Shqipëria me hapjen e negociatave me BE, kryeministri Edi Rama ironizoi ankesat e opozitës për fitoret e qeverisë.

Ata ku janë tani, në këtë orë që po flasim? S’janë duke fjetur gjumë se Luli po, po ata të tjerët ku janë? Janë nëpër kafe, janë nëpër shtëpi. Me siguri s’janë duke bërë takim se si do të organizohemi, por kjo s’është sot, është çdo ditë, çdo pasdite. Pastaj thonë ja patronazhistët, ju jeni patronazhistët, suksesin nuk na e fal njeri”, tha Rama pasi kishte evidentuar gjithashtu mbështetjen në rritje në 10 qarqe dhe në rënie në vetëm 2 prej tyre.

Kryeministri njoftoi edhe një program për familjet me ndihmë ekonomike që do të pajisen me një kartë për të marrë ushqimet. Karta do të mundësojë edhe paketat mbrojtëse nëse do të jetë e nevojshme.

Një program që besoj do ta fusim shpejt është një program që do të na sigurojë që duke filluar nga familjet me ndihmë ekonomike t’i pajisim me një kartë që ta përdorin për të marrë ushqimet në çdo vend që ka kasë dhe garantojmë që gjithë ç’paguan shteti për ndihmë ekonomike, shkon për ndihmë ekonomike. Ky është hapi dhe kategoria e parë sepse pastaj do të kemi mundësi që nëse duhet bërë një paketë mbrojtëse, mund t’ua japim te karta. Me këtë do të bëjmë mbështetjen për punonjësit e policisë, ushtarakët etj”, tha Rama.

Drejtuesja politike Ogerta Manastirliu, tha se në këtë “njësi kampione” për rezultatin, ‘armë’ e fortë është përfaqësimi nga gratë.

Ajo njoftoi edhe drejtueset e dy blloqeve, përkatësisht Iris Luarasi dhe Klotilda Ferhati.

Fokusi i kësaj faze rienergjizimi mbetet riorganizimi dhe fuqizimi i strukturave të Partisë Socialiste, me fokus të veçantë te përfshirja dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët.

Te tjera

Lajme te tjera