Gjatë një lufte, ku Shtëpia e Bardhë vazhdon të shpërndajë pamje bombardimesh të vërteta, të ndërthurura me skena filmash hollivudianë, personazhe vizatimorë dhe animacione të videolojës “Call of Duty”, prania në Pentagon e Dan Caine, Kryetarit të Shefave të Shtabit të Bashkuar, përbën një lloj sigurie dhe qetësie.
Pete Hegseth, ish-prezantues i Fox News i kthyer në Sekretar Lufte, është figura që rrëmben vëmendjen në konferencat për Iranin me arsenal batutash të shpejta. Në kontrast me të, Caine ofron zërin e nevojshëm të maturisë, autoritetit dhe qetësisë.
Ky dallim u pa qartë që në deklaratat e para të Pentagonit: Hegseth shpalli me krenari “Operacionin Epic Fury”, duke thënë se “Amerika po fiton vendosmërisht, duke e shkatërruar pa mëshirë Iranin”.
Në krah të tij, gjenerali Dan “Raizin” Caine ishte shumë më solemn në reagimin e tij: “Së pari, me trishtim të thellë dhe mirënjohje, po ndaj me ju emrat e 4 nga 6 heronjve tanë të rënë në luftë…”.
Ndërsa konflikti zgjerohet në Lindjen e Mesme dhe Trump bëhet gjithnjë e më impulsiv në operacionet ushtarake, shpresohet që Caine të jetë “i rrituri në dhomë”. Në historinë e gjeneralëve amerikanë, nofkat e bujshme shpesh fshehin personalitete të përmbajtura.
Norman Schwarzkopf, heroi i Luftës së Parë të Gjirit, i njohur me nofkën “Stormin’ ishte anëtar i Mensa dhe njihte kulturën e Lindjes së Mesme. James Mattis ose “Mad Dog”, Sekretari i parë i Mbrojtjes nën Trump, njihej si “Murgu Luftëtar” për bibliotekën e tij me mbi 10.000 libra.
Ndërkohë, Caine, ish-pilot i avionëve F-16, ka një diplomë master në luftën ajrore dhe flet rrjedhshëm gjuhën teknokratike të menaxhimit modern, që nuk do të dukej e huaj në zyrat e McKinsey.
Trump e ka përshkruar Caine-in si një figurë “të përzgjedhur nga kast kinematografik”, por ai nuk i përshtatet karikaturës së gjeneralit që pi puro dhe qëllon me armë në çdo drejtim.
Si pilot, ai njihej për dërgimin e avionëve në skajet e kapaciteteve të tyre, por gjithashtu edhe për menaxhimin e moderuar në misione teknikisht të komplikuara. Gjatë viteve 2021–2024, ai shërbeu si përfaqësues i Pentagonit në CIA, një post që zakonisht nuk u besohet zyrtarëve gjaknxehtë dhe llafazanë.
Trump e takoi për herë të parë gjatë një vizite në Irak, ku Caine, si shef i operacioneve speciale, ishte një figurë kyçe në fushatën kundër ISIS-it. Caine i tha Trumpit se operacioni mund të përfundonte “brenda një jave” nëse ushtria do të përdorte të gjitha kapacitetet e saj.
Trump pretendoi gjithashtu se Caine i kishte shprehur “dashurinë”, se “do të vriste për të” dhe se mbante në kokë një kapele të kuqe MAGA. Zyrtarët ushtarakë e kundërshtojnë këtë version, duke thënë se ai kurrë nuk ka zotëruar apo mbajtur një kapele të tillë.
Në fillim të mandatit të dytë të Trump-it, Caine u emërua Kryetar i Shefave të Shtabit të Bashkuar në rrethana kontradiktore. Paraardhësi i tij, Charles Q. Brown, u shkarkua për lidhjet me programet e diversitetit “Woke”, të cilat Hegseth ishte i vendosur t’i asgjësonte.
Emërimi i Caine-it shkelte rregullin që kryetari duhet të promovohet nga radhët e personelit aktiv, pasi ai ishte i dorëhequr dhe me gradë më të ulët. Edhe pse u portretizua si mbështetës i Trump-it, kolegët e tij dëshmojnë se gjatë gjithë karrierës ka qëndruar me kujdes jashtë politikës.
Trashëgimia e tij ushtarake është e padiskutueshme. I biri i një aviatori, Caine ka regjistruar mbi 2.800 orë fluturimi, ekuivalente me gati tre muaj në ajër. Më 11 shtator 2001, ai ngriti avionin e tij nga baza ajrore Andrews për të patrulluar qiejt e Washington-it, i gatshëm të rrëzonte çdo avion tregtar të rrëmbyer që kërcënonte Shtëpinë e Bardhë apo Kapitolin.
Po ashtu, ai mban byzylykë përkujtimorë, një prej të cilëve nderon mbi 60 ushtarë që humbën jetën duke luftuar me të ose nën komandën e tij. Caine e merr jashtëzakonisht seriozisht koston njerëzore të luftës, gjë që bie në kontrast me triumfalizmin e Hegseth-it dhe komentet e Trump-it për “argëtimin” nga mbytja e një anijeje iraniane me 180 persona në bord.
Në një administratë të mbushur me ndihmës që sillen si adoleshentë, Kryetari i Shefave të Shtabit, është vërtet një i rritur në dhomë. Por se sa ndikim do të ketë ai mbi Trump-in mbetet e paqartë.
Mattis dështoi në mandatin e parë dhe dha dorëheqjen pas mosmarrëveshjeve për tërheqjen nga Siria. A do të ketë Caine më shumë peshë nëse aventurizmi ushtarak i Trump-it shtohet, pas sulmeve në Venezuelë e Iran, kërcënimeve ndaj Kubës dhe dëshirës për të marrë kontrollin e Grenlandës?
Kjo mbetet e panjohur. Por mos u gënjeni nga nofka e tij “Raizin”. Gjërat mund të ishin edhe më keq. Babai i tij, Steve “Cobber” Caine, dikur ishte quajtur nga një komandant “Dumb F**k” (Palloshi), lloj nofke që Trump mund t’ia vendoste pa hezitim dikujt që e pakënaq.
Caine duhet të shpresojë që ky person të mos jetë ai./ “The Intelligent Paper”
