Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako po dëshmon në komisionin hetimor për Inceneratorët. Kryetarja e bashkisë, Sako tha se venddepozitimi i Porto Romanos ishte një gangrenë dhe sot është kthyer në një park. Sako tha se bashkia e Durrësit i ka kërkuar mbështetje qeverisë pasi ishte në kushtet e emergjencës mjedisore dhe më pas mbetjet u depozituan në landfillin e Sharrës.
‘Këshilli bashkiak ka bërë kërkesën në 2018 pas një analize për vlerësimin e të venddepozitimit të mbetjeve. Porto Romano ka qenë një gangrenë në Portin e Durrësit dhe qytetarët e Durrësit kanë shpëtuar nga ky problem në sajë të zgjidhjes që i është dhënë nga qeveria. Durrësi depoziton mbetje në landfillin e Sharrës duke i dhënë zgjidhje kështu situatës së mbetjeve.
Venddepozitimi i Porto Romanos u mbyll për t’u kthyer në park. Para se të merrej vendimi i Këshillit Bashkiak i jemi drejtuar të gjitha institucioneve. Jemi drejtuar me shkresë që të kemi një zgjidhje. Nuk kemi hartuar marrëveshje. Kam kërkuar mbështetje për të depozituar, pasi plehrat nuk mund të rrinin në mes të rrugëve të Durrësit. Kemi marrë mbështetje nga qeveria shqiptare. Sot jam krenare për këtë zgjidhje, nuk depoziton asnjë mbetje urbane në qytetin e vet.’- tha Sako.