E shtunë, 19 Prill, 2025

Kreu “i Dosjeve” zbardh se çfarë po ndodh me dosjen e Ilir Metajt dhe deklaron se disponojnë të gjitha provat e spiunëve të ish-Sigurimit të Shtetit, ato që fshehën komisionet “Bezhani” dhe “Mezini” ndodhen të paprekshme në arkiva

Share

Ka 32 vite në politikë dhe ka mbajtur çdo lloj posti, nga kryeministër, te president, ministër e deputet, por befas, sapo doli nga Presidenca, Autoriteti i Dosjeve plasi “bombën”. Sipas tyre, Ilir Metaj ka lidhje me Sigurimin e Shtetit, por ligji e ndalon verifikimin e tij dhe zbulimin e dosjes. Bëhet fjalë për pikën 4 të nenit 29, e cila përcakton që nuk ka verifikim për personat që i janë nënshtruar verifikimit nga komisionet “Bezhani” dhe “Mezini”. PS ka propozuar një ligj, që e heq këtë pikë dhe këtu pritet të vijë “fundi” politik i Ilir Metës. Autoriteti i Dosjeve ka thyer heshtjen mediatike së fundmi dhe ka zbuluar se disponojnë të gjithë provat që mund të çojnë në lidhjet e kreut të PL me ish-sigurimin e Shtetit dhe për të zbuluar të gjithë faktet e plota po punon një staf i specializuar.

Si do të hapet dosja e Ilir Metajt

Një prej mangësive serioze që ka hasur deri më tani Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, lidhet me pengesën ligjore për të verifikuar personat që janë pajisur në të shkuarën me çertifikatë pastërtie nga dy kominsionet Mezini dhe Bezhani. Këtu bën pjesë dhe rasti i ish-presidentit Meta. E vënë në lëvizje nga një indicie përmes, autoriteti pak kohë më parë i nisi një shkresë Kuvendit, ashtu si dhe për 5 raste të tjera më herët, se ishte vënë në dijeni për ekzistencën e një dokumenti që e lidhte ish-kryetarin e shtetit me ish-sigurimin e shtetit. Autoriteti sugjeronte heqjen e nenit nga ligji për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndalon verifikimin e personave të çertifikuar nga dy komisionet e mëparshme. Verfikimi i para 20 viteve me atë tani, sipas kryetares së autoritetit Gentiana Sula, është më i saktë për shkak të një arkive më të plotë, si dhe mundësisë së një hulmutimi më të thellë si pasojë e modernizimit të saj. Pra, drejtuesja e Autoritetit për Informimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Gentiana Sula konfirmoi rrugën që do të ndiqet për të hapur dosjen e plotë të Ilir Metës dhe se faktet pritet të shtohen pasi, ndryshe nga komisionet e mëparshme, ky autoritet ka në dorë arkivën e plotë që nuk është zbuluar asnjëherë më parë.  

Shtohen faktet për I.M

Një hetim i thelluar, ka shtuar faktet për Ilir Metajn. “Ne kemi patur dyshimet tona, administruam të gjithë arkivin e tyre. Praktikat që kanë sjellë në këto vendime ne i kemi marrë diku të paplota, diku pa firmë, pa vulë, pa relacione të hollësishme. Komisionet Mezini dhe Bezhani thjesht kanë bërë verifikimin përmes institucioneve të tjera, në atë kohë i ka bërë SHIK-u dhe Minstria e Brendshme verifikimet, ndërsa në rastin tonë arkiva është e gjitha këtu dhe kjo krijon një mjet të rëndësishëm për besimin, pasi jep instrumentin këtu në dorë. Ndërkohë deri dje thuhej “ka dosje individi” dhe përmendej fjala dosje me një emër e kujt është dosja, ndërsa sot objektivi ynë është që përmes dosjes të shkohet tek dokumentet që ka brenda në dosje dhe përtej saj të shkohet tek dhënat që prodhohen brenda në dokument. Pra pa e disponuar arkivën nuk e bën dot këtë analizë. Ne kemi dhe arkivën por dhe stafin e specializuar, gjë që i ka munguar dy komisioneve të mëparshme”, thotë Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Paralajmërimi i Taulant Ballës për Ilir Metaj

Dëshmitë, provat, deduksionet të bëra në media që pohojnë apo mohojnë emrin e ish-presidentit i ka vënë vulën ditën e djeshme kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Në mesazhin e tij të koduar në shtator pritet të dalin të tjera fakte që vërtetojnë se Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit. “Për të hedhur dritë mbi pastërtinë e figurave, nisur nga rasti i evidentuar tashmë për një politikan të nivelit të lartë që ka mbajtur pozicione shumë të rëndësishme në Shqipëri dhe që mbi këtë politikan kanë rezultuar dokumente të reja shtesë e ekzistojnë disa pengesa nga ligji aktual për vijimin e shqyrtimit”, u shpreh Balla. Pra mbi Ilir Metën kanë dalë dokumente të tjera shtesë që pritet të fundosin ish-presidentin, pasi nisma që dorëzoi pikërisht dje, Partia Socialiste largon përfundimisht nga politika të gjithë spiunët.

Ilir Meta hedh poshtë çdo mundësia

Ish-Presidenti Ilir Meta ka hedhur poshtë çdo mundësi të përfshirjes së tij me sigurimin e shtetit dhe ka njoftuar se do të padisë Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e Sigurimit të Shtetit, për shkelje të rënda dhe të qëllimshme të ligjit, siç thotë ai, në shërbim të shantazhit politik për llogari të kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër shumica e majtë ka dorëzuar në parlament dy nisma ligjore që përkojnë me propozimet e Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit. Praktikisht bëhet fjalë për një ndërhyje në Kodin Zgjedhor ( kërkon shumicë të cilësuar 84 vota, që shumica e vetme nuk i ka) që detyron partitë të verifikojnë kandidtët për deputetë, kryetar bashkie dhe të këshillave vendor dhe vetë kanditatët të plotësojnë një formular vedeklarimi, si dhe shfuqizimin e nenit në Ligjin për të Drejtën e Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, që ndalon verifikimin e personave që kanë marrë çertifikatë pastërtie nga dy komisionet e mëparshme qe ushtruan aktivitetin e tyre në vitet 90.

Te tjera

Lajme te tjera