Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu gjatë një interviste për gazetën “SOT” ka analizuar ngjarjet politike dhe juridike që po zhvillohen në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi marrëdhëniet komplekse mes liderëve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Sipas tij, Sali Berisha dhe Edi Rama po bashkëpunojnë për të eliminuar politikisht Erion Veliajn, një nga figurat më të fuqishme dhe të mundshme për të pasuar Edi Ramën në krye të Partisë Socialiste. Spahiu shpjegon se ky eliminim është i lidhur me strategjitë e partive dhe marrëveshjet e fshehta për listat e mbyllura dhe amnistinë penale, që kanë sjellë një ndryshim të orientimit të protestave nga ana e PD-së. Gjithashtu juristi Spahiu thekson gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, se, ndonëse protestat e organizuara nga PD kanë pasur vendndodhje të ndryshme, është pikërisht Bashkia e Tiranës, ajo që sipas tij, është bërë epiqendër e këtyre aksioneve. Ai sugjeron se kjo është një lëvizje e përqendruar për të minuar imazhin dhe autoritetin e Veliajt, i cili ka pasur një ndikim të madh dhe mbështetje të fortë në Partinë Socialiste. Në këtë kontekst, analisti Spahiu thekson se protestat e organizuara nga PD nuk janë një rastësi dhe se qëllimi është të dëmtohet figura e Veliajt, ndërsa Edi Rama mbetet i paprekur nga sulmet publike.
-Zoti Spahiu, si e shikoni vendimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për lirimin nga “arresti shtëpiak” të Sali Berishës? A mendoni se ky vendim reflekton realitetin e hetimeve ndaj tij?
Është herët për të kuptuar nese gjykata është frikësuar nga Berisha apo jo. Ndryshimi masës arrestit nuk është pafajësi. Gjykimi do të vazhdoj 2-3 vjet dhe mbetet për t’u parë se çfarë do vendos gjykata mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.
-Pas këtij vendimi, ka pasur një rritje të entuziazmit tek Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. A mendoni se kjo është një shenjë e fitores për Berishën, apo një hap i mëtejshëm në një proces të gjatë të hetimeve?
Po ka një efekt zinxhir. Një drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar. Nëse procesi do të zgjasë kam dyshime që nuk do të ketë gjyqtar që të guxoj ta burgose Berishën pas lirimit nga ‘arresti shtëpiak’. Ndërkohë ky ndryshim mase sigurimi po përdoret për ta manipuluar opinion publik sikur Donald Trump nuk po e zë gjumi deri sa të zgjidh hallet e Berishës.
-Pak ditë më parë u përkujtua 8 dhjetori i 1990 kur dhe nis lëvizja studentore për rrëzimin e sistemit komunist. Çfarë ndodhi më 8 dhjetor dhe a është e vërtetë se ajo lëvizje ishte e orkestruar nga Partia e Punës dhe Ramiz Alia?
Jo nuk mendoj të kundërtën:
- Lëvizja studentore u organizua nga shërbimet sekrete europiane dhe amerikane.
- Krijimi Partisë Demokratike u organizua nga Ramiz Alia dhe Partia e Punës,
- Me pak fjalë protestat studentore u devijuan dhe u shfrynë nga komunistet, duke vendosur në krye të partisë anti-komuniste një krye-komunist.
-Çfarë mendimi keni për liderët e lëvizjes së dhjetorit, sidomos për Azem Hajdarin dhe Sali Berishën?
Azem Hajdari dhe Sali Berisha vetëm origjinën kishim të përbashkët sepse ata ishin rival brenda llojit. Unë mendoj që nëse Azemi do ishte gjallë nuk do të kishte lejuar kthimin e Berishës në krye të Partisë Demokratike dhe do kishte fituar përballë Lulzim Bashës apo Sokol Olldashit.
-Ish-presidenti Ilir Meta vijon sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe ndërkohë mbështetësit e tij kanë protestuar para godinës së SPAK. Çfarë mendoni për këto veprime dhe mesazhin që ata kërkojnë të dërgojnë për sistemin e drejtësisë në vend?
Ilir Meta ka dalë nga politika për gjithmone dhe nuk është më askushi. Meta është kapitull i mbyllur. Edhe nese lirohet një ditë nga burgu, askush nuk do e afroj dhe nuk do e marrë seriozisht.
-A mendoni se këto kërcënime dhe veprime kanë një ndikim real në funksionimin e SPAK? Cilat mund të jenë synimet e Ilir Metës me këto reagime?
Ilir Meta po përdoret nga Sali Berisha edhe në burg. Meta është si i mbyturi që kafshon çdo kënd. Ndoshta është koha për një psikolog sepse në këto rrethana çdo politikan do të kalonte në depresion.
-Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar telefonin e Ajola Xoxës, bashkëshortes së kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe pati kontroll në një studio. Çfarë mund të tregojë ky veprim për hetimet që po zhvillohen për pasurinë e Erion Veliajt dhe familjarëve të tij?
Fatkeqësisht drejtësia shqiptare po joshet nga etja popullore për pranga dhe sekuestro duke mbajtur dy standarde të pabarabarta në hetimet për korrupsion:
- sekuestrohen telefonat e politikanëve për korrupsion pasiv por jo të biznesmenëve që kanë kryer korrupsion aktiv
- sekuestrohen telefonat jo mbi parimin ndiq paranë por mbi parimin ndiq politikanët
- sekuestrohen telefona jo në flagrancë por pas pilafit.
- sekuestrimi i telefonit Ajola Xoxës pas një viti ishte totalisht farsë mediatike sepse njoftimi për sekuestro kishte disa muaj kishte dalë dhe ajo po të donte kishte boll kohë ta ndrronte telefonin ose hidhte në Lumin e Lanës.
- Sekuestro u bë nga i njëjti prokuror që Sali Berisha i bëri presion anti-ligjor për çështjen “Çurbja”.
- Sekuestro e gruas Erion Veliajt u vonua 1 vit dhe u krye 1 ditë pasi Berisha akuzoi prokurorin për një çështje që u përgënjeshtrua nga SPAK. A ishte rastësi?
- Sekuestro e telefonit nga drejtësia deri më sot është bërë selektive sepse për të njëjtat akuza por për subjekte ndryshme, prokuroria ka mbajt qëndrime të ndryshme.
- Për dosjet e Berishës nuk janë sekuestruar telefonat, ndërsa për çështjet e Monikës janë sekuestruar.
- Për dosjet e Beqes dhe biznesit të gruas nuk u sekuestruan telefonat, për gruan e Erion Veliajt u sekuestruan.
- Për Liri Berishën nuk u sekuestruan telefonat për fondacionin, ndërsa telefoni vjehrrës Metës u sekuestrua çuditërisht edhe për lekët e xhenazes burrit.
-Si e shikoni ndikimin e këtyre hetimeve në imazhin politik të Erion Veliajt, duke qenë se ky i fundit shihet se mund të jetë pasardhësi i Edi Ramës?
Edi Rama dhe Berisha po te tentojnë elemimin e Erion Velijat. Pas marrëveshjes PS-PD për listat e mbyllura dhe amnistinë penale, Berisha ka hequr dorë nga protestat para Kryeministrisë dhe proteston vetëm para Bashkisë së Tiranës. Jo rastësisht prej 7 muajsh organizohen nga PD protesta vetëm para zyrës Erion Veliajt dhe asnjë protestë para zyrës Edi Ramës. Erion Veliaj është njeriu më i votuar në Partinë Socialiste.
-Si mendoni se po funksionon sistemi i drejtësisë në Shqipëri në këtë periudhë të ndërlikuar, veçanërisht kur bëhet fjalë për politikanët e lartë si Berisha dhe Meta?
SHBA shpalli kampion te anti-korrupsionit Altin Dumanin, si nje përgjigje ndaj atyre që shohin ëndrra me Donald Trump. Dekorata amerikane për Dumanin është shuplakë ndaj atyre që e akuzojnë si organizate kriminale. Troç, dekorata e Dumanit, ishte shuplakë për Berishën dhe Metën.
-A është Shqipëria gati të ketë një drejtësi të pavarur dhe të fuqishme që të mund të hetojë politikanët që deri më dje e konsideronin veten të paprekshëm?
Jo mendoj duhen 2-3 dekada. Jo rastësisht filluan procedurat për largimin e kryetares së Gjykatës Kushtetues, Holta Zaçe. Rama dhe Berisha janë bashkë në koalicionin anti-SPAK dhe për të mos lejuar një drejtësi të pavarur.
Intervistoi: Rigels Seliman
