E diel, 27 Shtator, 2026

Kreshnik Spahiu rrëfen për herë të parë të pathënat nga shitja e detit nga Sali Berisha te grekët: Ja si amerikanët e prishën vendimin dhe morën me urgjencë në Uashington gjyqtarët që ishin pjesë e çështjes

Share

Juristi i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek çështja “Beleri” dhe ndërkohë është kthyer pas në kohë teksa ka rrëfyer për herë të parë të pathënat nga shitja e detit nga Sali Berisha te grekët në vitin 2009. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, juristi i njohur zbulon se si amerikanët e prishën vendimin dhe morën me urgjencë në Uashington (SHBA) gjyqtarët që ishin pjesë e çështjes së ndarjes së detit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më tej teksa ndalet tek kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, i cili ndodhet në burg për shkak se është përfshirë në korrupsion zgjedhore, zoti Saphiu theksoi se nëse qeveria shqiptare do të lejonte që të betohet Beleri, sipas tij, atëherë ajo, do të duhet që të kthente në detyrë të gjithë kryetarët e bashkive të shkarkuar, nga Shukri Xhelili, Safet Gjici dhe deri tek Valdrin Pjetri, sepse do konsideroheshin shkelje kushtetuese të të drejtave.

-Zoti Spahiu, sa hapësirë ligjore ka Gjykata e Posaçme që të marr një vendim për ta lejuar Fredi Belerin që të betohet?

Në fakt për herë të parë një gjykatë penale përballet me një precedentë të tillë dhe ku nuk ka pasur një praktikë gjyqësore mendoj se ka vend për interpretimin. Deri më sot nuk ka pasur një praktikë të mundshme para një gjykate, ku një kandidatë të kapet duke vjedhur vota, të fitoj si kryetar i asaj bashkie dhe më pas të hetohet. I duhet gjykatës që të shprehet dhe ajo që mendoj se një Gjykatë e Apelit është ende e papërgatitur për të dhënë një vendim të tillë. Unë them se kjo  çështje do të shkoj deri në Gjykatën e Lartë. Mendoj se ka edhe vakum ligjor, por janë kapërcyer përmes veprimeve administrative. Për sa kohë nuk ka vendime të formës së prerë ka hapësira  procedurale dhe administrative për të vendosur gjykata. Nëse marrin Berishën është proceduar penalisht dhe është marr një masë sigurimi, por ai e gëzon mandatin e deputeti aktualisht, sepse prezumohet i pafajshëm, ajo që e pengon gjykatën është masa e arrestit me burg, sepse ai s’mund ta ushtrojë detyrën nëse është në burg.

-Po në të gjitha fazat që mbrojtja ka ushtruar është kërkuar edhe ndryshimi i masës së sigurisë dhe nuk është dhënë nga gjykata?

Nëse do më pyesin se ku është e drejta dhe jo e drejta e Belerit, do thosha që gjykata nuk po gabon që nuk po i jep të drejtën e betimit Fredi Belerit, sepse nuk mund të ushtrojë detyrën dikush që është në arrest me burg. Nëse qeveria shqiptare do të lejonte që të betohet Beleri do të duhet që të kthente në detyrë të gjithë kryetarët e bashkive të shkarkuar, nga Shukri Xhelili, Safet Gjici dhe deri tek Valdrin Pjetri, sepse do konsideroheshin shkelje kushtetuese të të drejtave. Unë do ushtroj disa pyetje. A është Fredi Beleri me akuzën me 50 mijë lekë me akuzën më të rëndë se Gërdeci ku të gjithë subjektet hetohen në gjendje të lirë? A është çështja e ‘CEZ-DIA’ një vepër penale më e butë se çështja e Belerit, ndërkohë që Meta hetohet i lirë, unë them se jo? Gjykata nuk ka mbajtur një standard.     

-Si mendon se do të zgjidhet kjo?

Athina kërkon atë të cilën nuk mund ta realizoj qeveria Rama. Unë e kuptoj pse hesht Athina sepse mund të thoshte se ajo që i kërkojmë gjykatave në Shqipëri është se ky është personalitet politik dhe masa është shumë me e lartë ndryshe nga tjerët, sepse keni mbajtur standard të dyfishtë. Greqia bënë zgjedhjen e gabuar në luftën politike për një arsye sepse nuk mund të godasim për këtë standard Sali Berishën sepse Berisha është pjesë e gjithë kësaj zallamahie diplomatike, nëse Berisha nuk do ta kishte zgjedhur Belerin, sepse ai ka fituar me votat e Berishës dhe Ilir  Metës, sepse votat e minoritetin nuk e zgjidhnin dot fitues. Dhe Athina i është falënderues Berishës që e zgjodhi dhe nuk mund të thotë pse Berishën e hetoni të lirë dhe Belerin e keni futur në burg.

-Mendon se Greqia do të verë veto?

Unë e ndoqa pak debatin paraprak. Greqia i ka shkuar në fund diplomatikisht procesit të bllokimit me veto për disa shtete që ka konflikte etnike. Athina ka vendosur veto në vitet ‘96 në Shqipëri. Hera e dytë që Athina e ka përdorur veton ka qenë pengimi i futjes në NATO të Maqedonisë deri sa kjo e fundit ndryshoi emrin edhe e bëri Maqedonia e Veriut. Por, nëse në vitin ‘97 Greqia kishte partner Uashingtonin dhe Brukselin për këtë çështje sot, pra për Belerin Uashingtoni dhe Brukseli janë shfaqur hapur se janë në krahun e Shqipërisë. Ajo mund ta vendos këtë veto, por do ketë pasoja diplomatike dhe fatura nuk do ti bjerë Shqipërisë. Athina se ka problemin me Ramën dhe Tiranën zyrtare, por është Uashingtoni dhe BE sepse kanë lëshuar deklarata që kanë thënë se drejtësia shqiptare duhet të vijoj në mënyrë të pavarur lidhur me çështjen Bleri duke treguar se nuk janë në krah të Athinës. Në debatin kushtueses për shfuqizimin e marrëveshjes së detit që u bë kur ishte Berisha në pushtet, mbështetja e të gjithë aktorëve që gjykuan çështjen kishin pas Uashingtonin. 48 orë pasi gjykata kushtetuese ka dhënë vendimin për të prishur marrëveshjen e Berishës me Greqinë të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese 48 orë pas vendimit të gjykatës janë nisur në Uashington për t’i siguruar një mbrojtje. Një muaj ata kanë qëndruar atje me idenë se kishin shkuar për takim, por kjo u bë që ata të ishin jashtë presionit politik. SHBA bëri mbështetjen maksimale që ata ta shfuqizonin atë marrëveshje. Sikur Rama të ketë ndonjë dëshirë që Beleri të betohet, SHBA dhe Brukseli kërkojnë që t’i shkojnë deri në fund kësaj çështje. Uashingtoni dhe BE mezi po zgjidhin çështjen e Kosovës me komunat dhe tani t’i hapet një avaz tjetër me asosacion të bashkive greke në jug të Shqipërisë që nuk dihet se kur mund të mbarojë. Loja nuk është Bleri, por nëse do e komandojë Athina Bashkinë e Himarës apo Shqipëria, sepse nëse e komandon Athina atëherë mund të ketë një ngjashmëri me atë që po bënë Serbia në Kosovë.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera