E martë, 21 Prill, 2026

Korrupsion me fondet e BE, arrestohet Federica Mogherini!

Share

Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe aktualisht rektore e Kolegjit të Europës, është arrestuar në Bruksel në kuadër të një hetimi të gjerë për mashtrim në procedurat e prokurimit publik. Lajmi është konfirmuar nga mediat belge, të cilat raportojnë se ndalimi i saj lidhet me një dyshim korrupsioni që përfshin Kolegjin e Europës dhe Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (SEAE).

Hetuesit kryen sot kontrolle në zyrat e shërbimit diplomatik të BE-së në Bruksel, si dhe në disa ndërtesa të Kolegjin e Europës në qytetin belg të Bruges. Në total janë ndaluar tre persona, mes tyre edhe Mogherini.

Akuzat e mundshme lidhen me periudhën 2021–2022 dhe përfshijnë dyshime për mashtrim në dhënien e tenderëve publikë, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Hetimi po fokusohet në mënyrën se si Kolegji i Europës fitoi një tender për zhvillimin e “Akademisë Diplomatike të Bashkimit Europian”, një program trajnimi 9-mujor për diplomatët e rinj të BE-së.

Prokurorët po përpiqen të zbulojnë nëse përfaqësues të Kolegjit të Europës kanë pasur informacion paraprak mbi kriteret e përzgjedhjes gjatë procesit të tenderimit, çka do t’u jepte atyre avantazh të padrejtë dhe mund të verë në dukje një rast të mundshëm favorizimi apo konkurrence të pandershme.

Bastisje në Bruksel dhe Bruges: Policia hyn në selinë e EEAS

Në orët e para të mëngjesit, policia federale belge bastisi selinë e EEAS në Bruksel, disa ndërtesa të Kolegjit të Europës në Bruges dhe banesa private të personave të lidhur me çështjen.

Sipas dëshmitarëve, rreth 10 oficerë të veshur civilë hynë në zyrat e EEAS rreth orës 07:30, duke sekuestruar dokumente e materiale që lidhen me procesin e tenderimit. Bastisjet u konfirmuan edhe nga një zyrtar i brendshëm i shërbimit diplomatik të BE-së.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim me OLAF-in, zyra kundër mashtrimit të BE-së, dhe nën drejtimin e Prokurorisë Publike Evropiane (EPPO).

Dyshime për paracaktim tenderësh

Hetimi fokusohet kryesisht te krijimi i Akademisë së Re Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program trajnimi vjetor për diplomatët e rinj europianë, i financuar nga EEAS dhe i administruar nga Kolegji i Europës. Akuza qendrore lidhet me dyshimet se Kolegji i Europës mund të ketë pasur informacion të brendshëm mbi kriteret dhe specifikimet e tenderit, çka do të përbënte konkurrencë të pandershme, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.

Hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu blerjen prej 3.2 milionë euro të një ndërtese në Bruges nga Kolegji i Europës, objekt që më pas u përdor për akomodimin e pjesëmarrësve të akademisë. Blerja u krye në vitin 2022, në një periudhë kur institucioni kalonte vështirësi financiare, dhe vetëm disa muaj para se të shpallej tenderi ku më pas Kolegji fitoi 654,000 euro nga EEAS.

Kjo përputhje e dyshimtë kohore ka ngritur pikëpyetje serioze rreth mënyrës se si u formulua dhe u administrua procesi i tenderimit.

Skandali godet thelbin e institucioneve të BE-së

Kjo çështje përbën goditjen më të fundit ndaj institucioneve të BE-së pas një serie skandalesh që kanë ekspozuar dobësitë e sistemit të kontrollit dhe integritetit brenda strukturave të Brukselit.

Mogherini ndodhet nën presion të madh, pasi ajo aktualisht drejton si Kolegjin e Europës, ashtu edhe Akademinë Diplomatike të BE-së, institucione që janë objekt i drejtpërdrejtë i hetimit. Ndërkohë, gjatë periudhës 2021–2022, EEAS drejtohej nga Josep Borrell, i cili për momentin nuk ka dhënë asnjë koment.

OLAF dhe EPPO kanë refuzuar të japin detaje mbi hetimin, ndërsa ende nuk ka asnjë të akuzuar zyrtarisht. Megjithatë, ndalimet dhe bastisjet e djeshme sinjalizojnë se hetimi ka hyrë në fazë të avancuar dhe pritet të zgjerohet. 

Te tjera

Lajme te tjera