E hënë, 3 Gusht, 2026

Komplot kundër drejtësisë, a po orkestrohet largimi i Holta Zaçajt për Kapjen e Gjykatës Kushtetuese? Flet juristi Kreshnik Spahiu

Share

Nga Kreshnik Spahiu

Holta Zaçe konsiderohet një nga investimet e diplomacisë amerikane në përzgjedhjen si kreu Gjykatës Kushtetuese. Ajo ka një background 20-vjeçarë si partnerë lokale e projekteve amerikane në Shqipëri si dhe la Amerikën për tu bërë pjesë e planeve të Washingtonit për drejtësinë e re në Shqipëri. Holta është një grua e shkolluar në perëndim dhe e pakonsumuar nga politika si dhe e pa përfolur për asnjë aferë korruptive, sot ndodhet në mes stuhisë anti-kushtetuese. Një debat i fortë ka plasur për kapjen e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht jashtë vëmendjes së mediave dhe ndërkombëtarëve. Gjykata Kushtetuese e cila gjatë këtij viti ka dhënë disa vendime historike duke përballuar presionin politik po përballet me “operacion fshesa” e cila mund sjellë pasoja shtetërore. A po sulmohet juridikisht apo politikisht kryetarja e Gjykatës Kushtetuese? Gjykata e Lartë sapo ka krijuar një preçdent me pasoja për pavarësinë e institucioneve Kushtetuese. Dje Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçe është detyruar ti drejtohet Komisionit Venecias për të interpretuar Vendimin e Gjykatës Lartë për zëvendësimin e saj para afatit të përcaktuar në Kushtetutë. Gjyqtarja Holta Zaçaj ka filluar të ushtrojë detyrën si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në datën 25 Janar 2023 dhe ka pasuar në detyrë gjyqtaren Vitore Tusha, e cila e kishte përfunduar detyrën si gjyqtare kushtetuese në datën 10 Mars 2017. Në bazë të Neni 129 të Kushtetutës Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.

Qartazi Holta Zaçe e ka filluar ushtrimin e mandatit të saj në ditën e betimit dhe jo para saj. Ndërkohë përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet me një të tretën e saj, sipas procedurës së përcaktuar me ligj. Neni 179/3. i Kushtetutës me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin, të cilit i mbaron mandati në vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025. Përfshirja në mandat e vitit 2025 është sa rregulluese por edhe shteruese në interpretim ligjor sepse nënkupton ushtrimin e mandatit nga Holta Zaçe gjatë gjithë vitit 2025 dhe jo ndërprerjen në dy muajt e parë. Mandati i gjyqtares Holta Zaçaj rregullohet nga neni 179, pika 3,i Kushtetutës, i cili parashikon se, me qëllim përtëritjen e rregullt të përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, gjyqtari që do të zëvendësojë gjyqtarin të cilit i mbaron mandati në vitin vitin 2017, do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2025. Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025. Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues. Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues. Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese. Holta Zaçe nuk ka marrë gjysëm mandati të paplotësuar nga Vitore Tusha pasi kjo e fundit e mbarojë mandatin e plotë.

Qëllimi i “pushtuesve” të Gjykatës Kushtetuese nuk është vetëm largimi Holtës, por edhe i dy gjyqtarëve të tjerë Ilir Toska dhe Sandër Beci duke ua shkurtuar mandatin me të njëjtën praktikë. Gjykata e Lartë nuk ka asnjë referencë ligjore se kur i mbaron mandati tre gjyqtareve, Zaçe, Toska dhe Beci. Në këto kushte zbatohen parimet e përgjithshme që kur nuk ka një datë, afati përfundon në 31 dhjetor të vitit të parashikuar nga Kushtetuta. Holta Zaçe duhet ta ushtrojë mandatin e saj gjatë gjithë vitit pavarësisht se opozita dhe qeveria nuk e duan. Çështja është a do heshti SHBA, për puçin që po ndodh në majën e drejtësisë dhe pikërisht në tentativën për të larguar njeriun më pro amerikan të mbështetur aq shumë prej tyre?

Te tjera

Lajme te tjera