E diel, 2 Gusht, 2026

Karuseli i Sali Berishës, riciklimi që serviret si Rilindje

Share

Nga Rigels Seliman

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha vazhdon të ëndërrojë rikthimin në pushtet, por armata që ka zgjedhur për këtë “rilindje” politike ngjan më shumë me një muze lëvizës sesa me një ekip të së ardhmes. Jozefina Topalli, Edi Paloka, Flamur Noka, Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi shfaqen si ushtarët e vijës së parë, ndërsa populli mezi i kujton se çfarë kanë bërë ndryshe, përveçse kanë mbajtur një mikrofon në dorë dhe një premtim bosh në xhep. Kjo nuk është një strategji politike, por një riprodhim qesharak i së shkuarës, një rikthim në kohën kur Shqipëria jetonte me hijet e tranzicionit. Berisha nuk po ofron ide të reja, por po riciklon fytyra të konsumuara, duke i servirur si “shpresë për nesër” – një farsë e mbështjellë me fjalë të mëdha dhe energji të lodhur.

Në këtë “karusel” të stërkthyer, ku rrotullohen të njëjtët njerëz që dështuan dje, nuk ka vend për besim apo ndryshim. Është thjesht një teatër ku aktorët janë të njëjtë, skenari po ashtu, vetëm që sot publiku nuk është më i njëjti – është më i vetëdijshëm, më kritik dhe më i lodhur. Berisha po tenton të kapë trenin e historisë nga vagoni i fundit, duke harruar se ai tren ka ikur prej kohësh. Koha e politikës së fjalëve të mëdha dhe e “komandantëve të përjetshëm” ka perënduar.

E ndërsa ai shpreson të fitojë terren duke bërtitur nga ballkonët e nostalgjisë, Shqipëria po kërkon një vizion të ri, jo një “remake” të zymtë të një epoke të dështuar. Në vend që të udhëheqë të ardhmen, Berisha po mban peng të shkuarën. Dhe kjo është jo vetëm qesharake, por edhe tragjike për një vend që meriton më shumë sesa riciklime të lodhura politike.

Te tjera

Lajme te tjera