Eksperti i sigurisë, Ervin Karamuço ka treguar se cili është skenari nëse një raketë e Iranit lëshohet në drejtim të Ballkanit.
Karamuço ka deklaruar se në momentin që raketa lëshohet, është qendra e NATO-s në Rumani që e detekton dhe më pas lajmëron qendrat e tjera. Sipas ekspertit, më pas është Gjermania që vendos se si do të neutralizojë raketën.
Ai theksoi në fjalën e tij, se NATO ka një mbrojtje të jashtëzakonshme.
“Nëse ngrihet një raketë nga Irani drejt Ballkanit pa një destinacion të qartë, qendra kryesore për interceptimin e saj në Ballkanin Perëndimor jugperëndimor është Rumania. Sa raketa ngrihet, Rumania jep sinjalin. Gjermania është koordinatore për vendosjen e sulmit, ndërsa Spanja monitoron situatën për Mesdheun. Aktivizohen bateritë kundra-balistike. Gjermania vendos se cila do të nisë raketat për të neutralizuar balistikën që po vjen dhe për të prishur skenarin e sulmit. Kjo është e gjitha. Ekziston një mbrojtje e jashtëzakonshme dhe të gjitha sistemet përditësohen vazhdimisht,” – tha Karamuço.
Kujtojmë që jo më larg se dita e djeshme, një raketë balistike e lëshuar nga Irani u rrëzua nga NATO në Turqi.
