Kapiten i rangut të parë Artur Meçollari tregon “bombën” që do të shpërthejë shumë shpejt nga SPAK për aferat e pronave në ushtri, të rrezikuar mbi 30 persona nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA, Forca Detare, Presidenca, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave, ja emrat e politikanëve të implikuar, prokurorët kanë sekuestruar 20 celularë
Kapiten i rangut të parë, Artur Meçollari, njëherësh ish-zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare ka dhënë detaje për hetimet e SPAK, kundër disa prej zyrtarëve më të lartë të Ushtrisë Shqiptare, përfshirë këtu politikanë dhe presidentin Bajram Begaj. Mes personave të kallëzuar është dhe Presidenti aktual i Republikës, i cili në kohën kur ka ndodhur abuzimi me pronat e ushtrisë sipas kallëzimit, ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Meçollari thotë se asnjë nuk shpëton nga hetimet e SPAK, madje edhe Begaj, i cili mund të mendojë se e shpëton imuniteti si President. Madje, gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, ish-numri dy i Forcës Detare tregon “bombën” që do të shpërthejë shumë shpejt nga SPAK për aferat e pronave në ushtri, të rrezikuar mbi 30 persona nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA, Forca Detare, Presidenca, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave, ja emrat e politikanëve të implikuar, prokurorët kanë sekuestruar 20 celularë.
-Kapiten Meçollari, çfarë po ndodh me denoncimet tuaja sa i takon tjetërsimit të pronave në ushtri?
Në vitin 2020, në shkelje të ligjit, në kundërshtim me pozicionin e Forcës Detare (FD) dhe pa miratimin e presidentit të Republikës, Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm lejuan nxjerrjen e dy VKM dhe lidhjen e kontratave për një port turistik dhe një pronë prej 26,5 ha, që çuan në eliminimin e plote të Bazës Detare të Sarandës. Prej më shume se tre vitesh, mbas regjistrimit të dy kallëzimeve të mia penale, SPAK vijon të hetojë. Ato janë dy kallëzime, një për tjetërsimin e pronës, bazës Detare të Sarandës në interes të kompanisë “Marina Bay Saranda”, si një bashkim i kompanive Kastrati Group the Concorde Sha, si dhe një për Bazën Detare të Shëngjinit, ku brenda bazës është lejuar ndërtimin i një godine katërkatëshe. Pasi kallëzimet u regjistruan për hetim në SPAK, Komanda e Forcës Detare dhe Shtabi i Përgjithshëm, nën drejtimin e ish Shefit të Shtabit të përgjithshëm të FA gjeneralmajor Bajram Begaj, nëpërmjet një procedure dyvjeçare ka bërë dorëzimi i bazës Detare të Sarandës nëpërmjet një marrëveshje të Forcës Detare me kompaninë “Marina Bay Saranda” dhe një komisioni të ngritur në Forcat Detare. Sot në hetimet e SPAK për këtë dosje, përveç dy kontratave, janë përfshirë kryesisht edhe dorëzimi i bazës Detare të Sarandës nga Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe Komanda e FD, si dhe zaptimi forcërisht dhe ndërtimin pa leje nga Porti MBM në pronën Nr. 219 të FD në Porto Romano. Në kallëzimin e dytë, përveç ndërtimit të godinës, është përfshirë edhe kallëzimi për një procedure të jashtëligjshme të zhvilluar në Shtabin e Përgjithshëm të FA në vitin 2016 për nxjerrjen nga Plani i Vendosjes dhe Përhapjes (PVP) të 133 ha, nga 200 ha të katër bazave detare të Shëngjinit, Kepit të Palit, Pashalimanit dhe Porto Palermos. Për të dy kallëzimet në një periudhë kohore mbi 2-vjeçare jam thirrur në cilësinë e personit në dijeni të paktën gjashtë here në SPAK.
-Kush rrezikohet nga hetimi i thelluar?
Hetimet për këto dy dosje kanë qenë tepër të thelluara, por dhe shume të zgjeruara. Ato përfshinë shume raste, duke nisur nga Saranda, Shëngjini dhe Durrësi. Gjatë hetimeve në dijeninë time janë thirrur mbi 30 persona nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA, Forca Detare, Presidenca, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave. Janë pyetur deri tani ministra dhe ish ministra, katër ish Shefa të Shtabit të Përgjithshëm, duke përfshirë dy here dhe Presidentin në detyrë Bajram Begaj, 6-7 gjeneralë aktivë dhe në rezervë, si dhe shume ushtarakë dhe civilë. Në interes të këtij hetimi janë sekuestruar nga SPAK dhe BKH mbi 20 celularë, duke përfshirë tre drejtorë në Shtabin e Përgjithshëm dhe një në Ministrinë e Mbrojtjes. Është evidente tashmë nuk kemi të bëjmë më thjesht me “shpërdorim të detyrës”.
-Presidenti Bajram Begaj a rrezikon të ndiqet penalisht?
Ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Bajram Begaj është i përfshirë në dorëzimin e bazës Detare të Sarandës, me shkresa zyrtare, nga gushti i vitit 2020, 18 ditë nga marrja e detyrës deri në maj 2022, një muaj nga zgjedhja si president. Ai ka kërkuar me disa shkresa zyrtare dorëzimin e bazës, edhe pse ishte në dijeni të nisjes së hetimit dhe pa miratimin e Presidentit të Republikës, ka miratuar komisionet e dorëzimit, si dhe ka urdhëruar Komandën Logjistike të ndihmojë Forcën Detare në boshatisjen e Bazës. Sot në cilësinë e Presidentit dhe Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si person nën hetim, ai nuk mund të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, edhe pse Gjykata e Lartë thotë se me lidhjen e dy kontratave dhe dorëzimin e Bazës Detare të Sarandës është cënuar siguria kombëtare. Bajram Begaj, edhe pse ka nxjerrë dy akte për moslejimin e ndërtimit të godinës në Bazën Detare të Shëngjinit, lejoi ndërtimin e saj. Në vend që të ndiqte penalisht ata që nuk i zbatonin urdhrin, Komandantin e Forcës Detare dhe Policisë Ushtarake, i promovoi si kur ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm edhe tani President. Bajram Begaj në dhjetor 2020 shkarkoi nga detyra Komandantin e Bazës së Shëngjinit sepse donte të zbatonte urdhrin e tij për bllokimin e punimeve. Punimet në godinë u bllokuan nga Ministri Peleshi në mars 2021, kur godina kishte mbërritur në katin e katërt. Po ashtu Bajram Begaj dhe Shefi aktual i Shtabit të Përgjithshëm gjeneralmajor Arben Kingji, me mosveprimimet e tyre kanë lejuar zaptimin e pronës Nr. 219 të FD prej 5,2 hektar të Forcës Detare nga tetori i vitit 2021. Porti MBM jo vetëm ka zaptuar pronën, por ka bërë ndërtime pa leje në tokë publike, ka shkatërruar plotësisht një monument të Luftës së Dytë Botërore dhe pjesërisht Murin Antik. Ligji për Policinë Ushtarake, autorizon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA lirimin forcërisht të pronave të zaptuara të FA, lirim që edhe sot mbas tre vitesh nuk ka ndodhur. Pavarësisht veprave penale të kryera, vetëm mungesa e qirasë, sipas VKM nr. 54, shkon në 2 milion Euro.
-Po Olta Xhaçka, Bardhyl Kollçaku dhe Belinda Ballukun, a kanë rol ne këto afera?
Ish Ministri I Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Bardhyl Kollçau kanë autorizuar Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës për lidhjen e dy kontratave me “Marina Bay Saranda” dhe “Marina Limion”. Ky autorizim është bërë edhe për Bazën Detare të Sarandës, një bazë në PVP, ku autoriteti vendimmarrës është Presidenti i Republikës. Duke u bazuar në VKM nr. 514, viti 2015 për dhënien me qera, kanë shmangur ligjin për Pushtetet dhe Autoritetet në FA dhe Presidentit të Republikës, kjo edhe në kundërshtim me një vendim të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Por, ndërkohë të dy propozimet, si të ish Ministrit të Mbrojtjes dhe të ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm bien në kundërshtim me qëndrimet e Forcës Detare për të dy kontratat, duke u shprehur në shkresat e tyre se FD është dakord. Tashmë është e qartë, nga Vendimi I Gjykatës së Lartë se këto veprime kanë cenuar sigurinë kombëtare, marrëdhëniet me NATO-n, si dhe misionin dhe gatishmërinë e Forcës Detare. Në nëntor 2019, kompania “Marina Limion”, si bashkim i Kastrati Group dhe Edil-Al-It Sh.p.k, i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës lidhjen e një kontrate koncesionare për një marine turistike në gjirin e Limionit. Ministrja Balluku ngre komisionin e vlerësimit pa bërë verifikimin e statusit të pronës, kërkesat operacionale të Bazës Detare dhe miratimin e Autoritetit Detar, i cili sipas Kodit Detar është i vetmi që miraton ndërtimin e strukturave në det. Mbasi komisioni miraton koncesionin Ministrja Balluku njofton kompaninë për miratimin dhe nis verifikimin e statusit të pronës. Në janar 2020 Ministria e Mbrojtjes i kthen përgjigje negative Ministrisë së Infrastrukturës, pas një shkrese të firmosur nga Forca Detare. Por në maj 2020 Balluku i kërkon Xhaçkës përsëri statusin e pronës. Tashmë, sipas Vendimit të Gjykatës së Lartë, Kollçaku dhe Xhaçka i kthejnë përgjigje pozitive Ballukut, pa pyetur më Forcën Detare. Kjo solli lidhjen e kontratës dhe nxjerrjen e VKM nr. 514 në vitin 2020.
Cfarë prisni nga SPAK?
Hetimi i Bazës Detare të Sarandës përfshinë lidhjen e kontratave me “Marina Bay Saranda” dhe “Maina Limion”, procedurën e dorëzimit të Bazës Detare të Sarandës dhe zaptimin e pronës prej 5,2 ha në Porto Romano nga Porti MBM. Hetimi i Bazës Detare të Shëngjinit përfshinë lejimin e ndërtimit të godinës brenda bazës dhe nxjerrja nga PVP I 133 ha të FA në vitin 2016. Sot me vendime të gjykatave, deri në Gjykatën e Lartë, në FD jane nën “sekuestro preventive 70,4 ha, nga të cilat 4 ha në Sarandë dhe 66,4 ha në Shëngjin. Disa prej hetimeve janë nisur kryesisht nga SPAK. Duket se SPAK ka presione politike, sidomos për çështjen e Bazës Detare të Sarandës. Ka qenë vetë KM Rama dy here që i ka bërë presion publikisht SPAK-ut për tejkalim kompetencash dhe ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit lidhur me “sekuestron preventive” të Bazës së Sarandës, por jo të Shëngjinit nga Gjykata e Lezhës. Kuptohet në Sarandë ka përfshirje të interesave të oligarkëve. Po ashtu duket se KM Rama nuk e shqetëson Vendimi i Gjykatës së Lartë që shprehet se është cënuar siguria kombëtare dhe marrëdhëniet me NATO-n. Rastet që po heton SPAK për tjetërsimin e pronave të FA, nuk janë vetëm ato të FD. Janë dhe tre prona të tjera, si ish Parku i Automjeteve të Mbikalimi “Shqiponja”, ish SHISH në Fresku dhe ish Policia Ushtarake në Sauk. Të tre këto institucione kanë lëvizur nga vendndodhjet e parashikuara nga PVP pa miratimin e Presidentit të Republikës. Duket qartë se numri i drejtuesve politikë, ushtarakëve madhorë, si dhe të larte dhe nënpunësve civilë në FA, Ministrinë e Mbrojtjes dhe disa ministri të tjera, deri në Presidencë, është i madh. SPAK mund të jete dhe në dilemën se ngritja e shume akuzave dhe përfshirja e shume drejtuesve ushtarak, mund të shpërbëjë linjën e komandimit në FA. Por, siç ka thënë KM Rama, “djepi më mire bosh, se me shejtanin brenda”. Për më tepër një ngurim i tillë mund të justifikojë mosekzekutimin e urdhër arresteve për hierarkinë komanduese të Gardës së Republikës në ngjarjet e 21 janarit 2011. Unë jam në dijeni se SPAK i ka mbyllur të dyja hetimet, në tërësinë e të cilave janë gjashtë çështje të tjetërsimit të pronave në Forcat Detare. Siç e thashë edhe më larte, hetimet kanë qenë komplekse. Kam besim se shume shpejt SPAK do të shpalli personat nën hetim dhe do të dërgojë çështjen në Gjykatë.
Si është situata e ushtrisë shqiptare?
Në dhjetor 2020 Transparency International vlerësoi Ministrinë e Mbrojtjes të Shqipërisë si një nga më të korruptuarat në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Sot situata është edhe më e rënduar. Drejtuesit kryesor të Forcave të Armatosura janë të përfshirë në korrupsionin, si në çështjet e pronave, prokurimeve, si rasti i muzeut sekret 6 milion Euro, prokurimeve me mirëmbajtjen, dhe menaxhimin e personelit. SHBA, nëpërmjet ish Ambasadores Juri Kim, kanë paralajmëruar KM Rama për korrupsion në FA qysh në 9 nëntor 2020 dhe Ministrin Peleshi në 7 janar 2021, vetëm dy ditë mbas marrjes së detyrës. Aleatët tanë janë shume të shqetësuar sot për gjendjen në FA. Sot FA është e kompletuar nën 70%, që nënkupton është jo operacionale sipas standardeve të NATO-s. Nga personelit aktiv sot, rreth 1900 ushtarakë kanë bërë kërkesa për lirim, duke vijuar me procese gjyqësore për lirim, pasi nuk ua miratojnë strukturat eprore. Në vitin 2020, Kompletimi i FA ishte rreth 85% dhe niveli i rekrutimit ishte 70%. Me propozim te Ministrisë së Mbrojtjes, u miratuar ligji që lejon rekrutimin e ushtarëve edhe me arsim 9-vjeçar. Kjo për të rritur rekrutimet. Sot mbas tre vitesh rezulton se rekrutimi në FA është nën 30%. FA ka probleme me mirëmbajtjen e helikopterëve dhe anijeve, sistemit të vëzhgimit detar dhe ajror, si dhe kompletimit me uniforma. Katër helikopterët Cougar të blerë mbi 10 vjet më pare, prej vitesh janë jo operacional, prej kohesh në mirëmbajtje jashtë vendit apo dhe njëri prej tyre është prej katër vitesh në Itali. Anijet e reja të të prodhuara me DAMEN Shipyards në Pashaliman, prej vitit 2014 janë pa mirëmbajtje. Prej tre vjetësh Sistemi i Vëzhgimit Detar është pa mirëmbajtje dhe radari ajror i Mjedës jashtë funksionit. Gatishmëria operacionale në FA është në nivel shume të ulët, për shkak të korrupsionit dhe aleatët tanë dhe NATO janë të shqetësuar. Vetëm për vitin 2023, Ministria e Mbrojtjes ktheu në ministrinë e Financave 48 milion Euro të pashpenzuara, të cilat përbëjnë 50% të fondit të prokurimit. Përveç personelit të kufizuar për procedurat e prokurimit, tashmë për shkak të shume hetimeve nga SPAK, personelit nuk pranon të firmosi duke zvarritur procedurat e prokurimit. Sot ushtarakët duhet të paguajnë për gradimet, misionet, emërimet jashtë vendit, etj. Edhe pse paga u rrit 30%, mungesa e garancisë për një karrierë me meritokraci dhe siguri juridike në profesion, e shoqëruar me një korrupsion të larte janë arsyet e kërkesave masive për largim dhe rekrutimeve shume të ulëta. Dëmi që po i shkakton korrupsioni I drejtuesve të larte ushtarak dhe politik FA, është më i madh se një armiku në fushëbetejë. Është evidente, askush nuk pranon të shërbejë në një FA për ti shërbyer pasurimit të drejtuesve të tyre, ndërsa është betuar për t’i shërbyer Atdheut.
Ja kush është Kapiten i rangut të parë (Ret), Artur Meçollari dhe si denoncoi aferat korruptive në ushtri
Kapiten i rangut të parë (Ret), Artur Meçollari është diplomuar nga Akademia e Detarisë në Vlorë (1989), Kolegji i Shtabit Detar (1998), Kolegji i Shtabit të Përgjithshëm (2001) dhe Kolegji i Luftës (2003) në SHBA, si dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes (2010) në Tiranë. Ai është titulluar oficer në vitin 1989 dhe në 31 vjet shërbim ka shërbyer gjithashtu në detyrat e komandantit të Grupit Luftarak, oficer shtabi në SHP të FA, pedagog në Akademinë e Detarisë dhe Akademinë e Mbrojtjes, shef i Shtabit të Distriktit Detar, komandant i Flotiljes Detare, drejtor i Inspektimit në MM, zëvendëskomandant dhe komandant në detyrë i Forcës Detare, etj. Ai gjithashtu ka shërbyer për një vit në misionin “NATO Resolute Support Mission” në Kabul, Afganistan. Në vitin 2018, kapiten Meçollari ka qenë anëtar i grupit negociator për kufizimin e hapësirave detare me Greqinë. Në orën 17:30, të datës 9 nëntor 2020, makina e blinduar e ish Ambasadores së SHBA Znj. Yuri Kim u ndal përpara Kryeministrisë. Ambasadorja kishte një takim me KM Edi Rama. Objekt i takimit ishte korrupsioni në Forcat e Armatosura të Shqipërisë. Znj. Kim në mbështetje të argumentit të saj i paraqiti KM Rama gjashtë argumenta, ndër të cilat edhe rasti i dhënies me qira të Bazës Detare të Sarandës, ku i rekomandoi heqjen dorë nga kjo iniciativë. Po ashtu Znj. Kim i bëri KM Rama një pyetjet retorike, “se cila mund të jete arsyeja që Komandanti i ri i Forcës Tokësore, vetëm një javë mbas emërimit në detyrë lëvizi nga detyra brenda një dite të vetme 35 oficer të shtabit, ose gati 50% të tij?” Një muaj mbas takimit me Znj. Kim, Transparency International do të listonte Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë si një nga më të korruptuarat në Europën Qendrore dhe Juglindore, duke e detyruar KM Rama të lëvizte në fund të muajit dhjetor Olta Xhaçkën nga drejtimi i Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe pse KM Rama i deklaroi Znj. Kim se nuk kishte informacion nga brenda sistemit për korrupsionin në FA, në prill 2021, gjatë fushatës elektorale, do të promovonte projektin turistik të Bazës Detare të Sarandës. Tre vjet mbas nisjes së hetimeve dhe një vit mbas vendosjes së “sekuestros preventive” mbi Bazën Detare të Sarandës KM Rama dy here i ka i ka bërë presion publikisht SPAK-ut për tejkalim kompetencash dhe ndërhyrje në kompetencat e ekzekutivit lidhur këtë sekuestron
Intervistoi: Rigels Seliman