Juristja e njohur, Brizida Gjikondi ka komentuar situatën politike në vend. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “SOT”, juristja Brizida Gjikondi shpalos një panoramë të errët të politikës dhe drejtësisë shqiptare, ku politikëbërësit dhe drejtuesit e institucioneve gjyqësore dyshohet se veprojnë përmes “pazareve të pista”, duke minuar proceset e hetimit dhe luftën ndaj korrupsionit. Ajo e konsideron vendimin e Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për lirimin e Sali Berishës një “pazar” të rrezikshëm mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, një vendim që, sipas saj, dëshmon se interesi i kombit dhe integriteti i drejtësisë janë nënshtruar përfitimeve të ngushta politike. Më tej, Gjikondi akuzon ashpër gjyqtaren e Posaçme, Flojera Davidhi, për “damkosjen” e emrit të saj, duke vulosur një vendim, referuar lirimit të Berishës, që i shërben interesave të partive, por jo atdheut. Ndërkohë në intervistën e saj me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, zonja Gjikondi bën thirrje për një mbështetje të patundur ndaj institucioneve të drejtësisë si Prokuroria e Posaçme (SPAK) dhe Gjykata Kushtetuese, të cilat, sipas saj, janë shënjestra të politikanëve të pandershëm që kërkojnë t’i përdorin ato për mbrojtjen e interesave personale.
-Zonja Gjikondi, si e shikoni vendimin e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për lirimin nga “arresti shtëpiak” të Sali Berishës? A mendoni se ky vendim reflekton realitetin e hetimeve ndaj tij?
Jo, nuk reflekton realitetin e hetimeve ndaj tij. Jo vetëm kaq, por sjellja e tij, konsumimi i veprave penale, shpifja dhe fyerjet publike në vazhdim që ai ka bërë dhe bën ndaj SPAK, gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë proceduar ndaj tij, u fshi me një të rënë të lapsit nga gjyqtarja Davidhi. Lirimin e Berishës e shikoj si një pazar PS-PD. Gjyqtarja Davidhi damkosi emrin e saj profesionalisht, duke vërtetuar që me interesat dhe vlerat e Kombit dhe me dinjitetin e profesionit ka pak lidhje.
-Pas këtij vendimi, ka pasur një rritje të entuziazmit tek Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. A mendoni se kjo është një shenjë e fitores për Berishën, apo një hap i mëtejshëm në një proces të gjatë të hetimeve?
Është një entuziazëm fals për të injektuar artificialisht optimizëm, për t’u faktorizuar pasi Berisha është inspirues i devizës, “sa më i madh halli aq më i madh faktorizimi”.
-Si e shihni mundësinë që SPAK të vazhdojë hetimet për çështjet e njohura si “Gërdeci” dhe “21 janari”, ku Sali Berisha akuzohet se është i përfshirë?
Besoj tek paanshmëria dhe serioziteti i SPAK. Axhenda e SPAK, për fat, nuk është në harmoni me axhendën e infektuar të politikës shqiptare.
-Ish-presidenti Ilir Meta vijon sulmet ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe ndërkohë mbështetësit e tij kanë protestuar para godinës së SPAK. A mendoni se këto kërcënime dhe veprime kanë një ndikim real në funksionimin e SPAK? Cilat mund të jenë synimet e Ilir Metës me këto reagime?
Zero ndikim. As nuk vlen të harxhohet asnjë germë për atë personazh. E vetmja gjë që duhet bërë është t’u shpalosen shqiptarëve pronat që ka ajo familje jashtë dhe brenda Shqipërisë. T’i konfiskohen seriozisht dhe t’i kthehen Shqipërisë.
-A është Shqipëria gati të ketë një drejtësi të pavarur dhe të fuqishme që të mund të mbajë llogari politikanët në pushtet?
Po, është gati, sidomos do të veçoja dy institucione, SPAK dhe Gjykatën Kushtetuese. Drejtësia shqiptare do të ndryshojë për mirë historinë e Shqipërisë.
-Në opinionin tuaj, çfarë hapash duhet të ndërmerren për të siguruar që drejtësia të funksionojë në mënyrë të paanshme dhe pa presion nga politika?
Përkrahja pa kushte ndaj saj, në çdo formë demokratike të mundshme, në mënyrë që politika shqiptare, tejet dinake dhe plot intriga, mos ja dalë ta vë sërish nën çizmen e saj anti-shqiptare. SPAK dhe Gjykata Kushtetuese janë dy institucione që çakejtë e regjur të politikës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, po i vijnë rrotull për t’i shqyer dhe për t’i heshtur. Por unë përherë jam optimiste. Shqipëria ditët e saj më të zymta i ka lënë pas. Ditët kur politika dhe krimi i kishin vënë shqelmin në zverk këtij vendi tashmë janë shkallmuar dhe dekonspiruar, falë SPAK dhe hetimeve të tij.
-Zonja Gjikondi, si e lexoni vendimin ku gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjedhur nga PS votuan pro lirimit të dhëndrit të Berishës?
Pikërisht ky vendim flet për ujdinë e radhës të anti-vlerave kombëtare të politikës së sëmurë shqiptare. Ajo që i bashkon është më e madhe se ajo që i ndan. Ata nuk i bashkon interesat e shqiptarëve, por tërësisht interesat e tyre materiale dhe vdektarë. E ripërsëris, Gjykata Kushtetuese dhe SPAK janë në shënjestër, ose në syrin e ciklopit; dinakëria e PS dhe PD, me marrëveshje, komisione dhe intriga, duhen parë me vëmendje dhe kujdes nga të gjithë faktorët që Shqipërinë dhe të ardhmen e saj e kanë pjesë të shpirtit.
Intervistoi: Rigels Seliman
