Ndërkohë më 9 tetor, Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin e deputetit.
Një ditë pasi dha dorëheqjen nga mandati i deputetit Jurgis Çyrbja është paraqitur në SPAK paraditen e kësaj të premteje, i shoqëruar nga avokatja Brunilda Kullolli për komunikimin e akuzës, dyshohet shpërdorim detyre.
Në momentin që doli nga prokuroria nuk pranoi që të fliste për mediat.
“Drejtohuni prokurorisë për informacion” tha shkurt dhe u largua.
Por sipas informacioneve, SPAK ka marrë të pandehur deputetin e PS-së. SPAK raportohet se i ka komunikuar akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me kohën që mbante detyrën e drejtorit të Hipotekës së Durrësit, ndaj Jurgis Çyrbja është shoqëruar ditën e sotme nga avokatja e tij.
Paraprakisht u raportua se socialisti u pyet për një kallëzim të Edi Palokës në zgjedhjet e vitit 2021, që e akuzonte për shpërdorim detyre në kohën kur drejtonte Hipotekën e Durrësit, pa e marrë ende mandatin e ligjvënësit.
Gjatë kohës që Çyrbja drejtonte Hipotekën e Durrësit, ai është marrë në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, pasi dyshohej se kishte favorizuar Emiljano Shullazin për të përfituar prona në Durrës.
Kjo ishte arsyeja për të cilën Lulzim Basha, tha se deputeti ishte bashkëpunëtor të krimit.
“Edi Rama nuk mund të lajë duart vetëm duke detyruar deputetë e ministra të largohen nga funksionet kur u tunden prangat. Ai duhet të mbajë përgjegjesi pse e ka zhytur vendin në korrupsion dhe ka veshur krimin me pushtet”, tha Basha dje.
Ndërkohë më 9 tetor, Jurgis Çyrbja dorëzoi mandatin.
Çyrbja ishte në mandatin e dytë si deputet.
Ai u zgjodh për herë të parë si ligjvënës në radhët e PS në vitin 2017. Ndërkohë, në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës me 6583 vota. Vendin e tij në Kuvend, pritet ta zërë Erjon Meka, i cili në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 mori 2228 vota.