Kreu i ri i Byrosë Kombëtare të Hetimit është zgjedhur Joni Keta. Vendimi është marrë nga KLP me 11 vota pro, ndërsa Keta do të drejtojë për 5 vite atë që njihet si “FBI” shqiptare.
Keta mbante postin e zv.drejtorit të Byrosë dhe u propozua si drejtues, pas një procesi që zgjati disa javë ku fillimisht morën pjesë 13 kandidatë dhe më pas në fazën finale mbetën 7 kandidatë.
Në këtë fazë në garë mbetën kandidatët: Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta.
Mbledhja e KLP-së është monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane dhe ata të BE-së, që konsiderohen si partnerët kryesorë të SPAK dhe BKH-së.
Joni Keta, nga momenti i përfundimit të mandatit të Aida Hajnajt si drejtuese e BKH-së (31 gusht) u komandua si drejtues i strukturës.
Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) Joni Keta garoi për t’u përfshirë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
