E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Ja skema që kanë ndjekur shërbimet e huaja me Ahmetajn që të mos përfundonte si Tahiri, nga kërcënimet me jetë, tek rrahja në ambientet e ajrimit, deri në konfliktet me drejtorin, si iu mbyll “goja” ish-ministrit si dëshmitar kyç i aferave korruptive të qeverisë

Share

Rigels Seliman

Ditët e fundit, ish-ministri socialist Arben Ahmetaj dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Edi Ramës ka dhënë mesazhe të koduara ndaj liderit shqiptar. Mes rreshtave dy ditë më parë ai shigjetoi hapur kryeministrin Rama teksa foli për autorët e vërtetë të Inceneratorëve dhe për dosjen “Buka”: “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!”. Kjo pasi fraza “Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!” është artikuluar nga Rama kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës në këngën “Tirona”, bashkëpunim ky me “West Side Family”. Në fjalët e tij nënkuptohet se shumë shpejt ai pritet të hapë “Kutinë e Pandorës” dhe ndryshe nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Ahmetaj u tregua më inteligjent dhe mori të gjitha dosjet e aferave në qeveri dhe u arratis. Në këtë situatë, në fshehtësi të plotë dhe pa zhurmë, shërbimet sekrete janë futur në lojë duke i marrë Ahmetajt çdo dokumentacion dhe çdo detaj tjetër kundër kryeministrit Edi Rama si i penduar i drejtësisë. Fati i tij do të përfundojë ndryshe nga Tahiri pasi në momentin kur vihesh nën masë sigurie, nuk ke shans të negociosh gjë. Kushdo që ka qenë edhe një ditë të vetme në burg, e di se çfarë është atje brenda. Është diçka tjetër nga kjo bota reale që kemi ne këtu. Kush vendos që të dorëzohet në burg dhe nga burgu të luftojë me pushtetin, e ka të humbur gjithçka. Jo vetëm politikanë, por edhe në nivele të tjera. Këtë e vërteton më së miri rasti i Tahirit.

Ja çfarë ndodhi me Saimir Tahirin

Të gjithë menduan se me arrestimin e Saimir Tahirit do të binte dhe kryeministri Rama, pasi ai njësoj si Ahmetaj ishte një nga më të besuarit e kreut të qeverisë. Por me futjen e tij në burg asgjë nuk ndodhi. Ish-ministrit iu kyç “goja” edhe pse deklaroi një luftë të ashpër përpara se ta çonin pas hekurave. Të “zezat” që kaloi ai në qeli u zbardhën në momentin kur u vendos transferimi i tij nga Burgu i Fierit pas 6 muajve në qeli, në Institucionin e vuajtjes së dënimit në Lushnje. Pas kësaj lëvizje të papritur në atë kohë u tha se Saimir Tahiri u kërcënua me jetë, u rrah brenda ambienteve të ajrimit, si edhe u përplas me drejtorin e këtij burgu. Kërcënimin me jetë e zbuloi vetë Tahiri pak muaj më parë. Ai kërkoi pezullim të dënimit me arsyetimin se është i rrezikuar nga subjektet e krimit. Gjithashtu, avokati i tij u shpreh se vuajtja e menjëhershme e dënimit me burg, mund të sjellë pasoja të rënda për të mbrojturin prej tij, si dhe për familjen e tij. “Kjo për shkak të detyrës që ka mbajtur dhe ai rrezikon dhe mund të shndërrohet në objekt të personazheve të krimit që vuajnë dënimin në IEVP Fier”,  thuhej në kërkesë. Gjithashtu burime në burgun e Fierit, në atë kohë u shprehën se Tahiri është dhunuar në ambientet e ajrimit dhe gjithçka është mbajtur e fshehtë. Një tjetër arsye ishte përplasja e tij me drejtorin e burgut të Fierit Arjan Hasani. Si pasojë e këtij konflikti Tahiri kërkoi edhe transferim nga ky burg, e ta vuante dënimin në një nga burgjet e tjera të sigurisë së zakonshme. U mësua se Tahiri kishte shprehur pakënaqësi për kushtet brenda institucionit të vuajtjes së dënimit për të burgosurit dhe rregullat që duhet të vendosin familjarët e tyre. Një nga konfliktet mes tij, dhe drejtorit është uji i pijshëm, ku sipas rregullave të izoluarit në këtë burg, nuk u lejohet të furnizohen nga familjarët, por ujë të blihet në dyqanin e burgut. Ai jo vetëm që nuk mund të nxirrte të dhëna të forta në dokumentet që mund të dispononte, por as luftën me ujin se fitoi dot brenda burgut. Me Ahmetajn, situata mund të përfundojë ndryshe, pasi ai është larguar me dosje me vete. Ish-zv.kryeministri nuk është i vetmi që e ka përdorur këtë skemë, pasi edhe pushtetarë të lartë në vende të tjera janë larguar me informacione të fuqishme në duar dhe i kanë përdorur për interesat e tyre në bashkëpunim me shërbimet sekrete, apo edhe agjenci të tjera ligjzbatuese. Kjo është dhe arsyeja e mundshme se pse shërbimet e huaja nuk po e ekstradojnë në Shqipëri, pasi SPAK e di shumë mirë që mund të përsëritet i njëjti skenar me Saimir Tahirin.

Te tjera

Lajme te tjera