E enjte, 6 Gusht, 2026

Ja si po shkatërrohen ekuilibrat në mazhorancë, rikthimi i Taulant Ballës përmbys grupimin Gjiknuri-Balluku në Partinë Socialiste

Share

Nga Rigels Seliman

Ekuilibrat në mazhorancë po shkatërrohen. Kryeministri Edi Rama riktheu së fundmi në skenë sërish Taulant Ballën, pasi e hoqi nga posti si sekretar i Përgjithshëm i PS. Afrimiteti i tij me kryebashkiakun Erion Veliaj i kushtoi shtrenjtë, kështu që Rama e ktheu në “kokë turku”. Nga ana tjetër Gjiknuri dhe Balluku u forcuan në parti duke u bërë figurat kryesore të mazhorancës që lëviznin të gjitha fijet e pushtetit. Kujtojmë se që në momentin kur drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit u vendos Damian Gjiknuri, largoi në formë hakmarrje të gjithë “besnikët” e Taulant Ballës nga postet kyçe dhe drejtoritë. Ndërkohë që Belinda Balluku ka marrë nën zotërim të gjitha ndërmarrjet aksionere me anë të njerëzve të saj, siç është rasti i sektorit të energjisë, rrugët, doganat, ujësjellsat etj duke u bërë një fuqi brenda mazhorancës si një baraspeshë përballë Erion Veliajt, i cili kohët e fundit ka qenë personazh i padëshiruar për kryeministrin Rama. Rikthimi i Ballës në një post kaq kyç, deri në kamikazllëk, duket qartë se po lëviz ekuilibrat e mazhorancës ku padyshim më të prekurit do të jenë dyshja Balluku-Gjiknuri. Dështimi me sukses i vizitës së ish-ambasadorit të SHBA, Bill Clinton ishte një mësim për Edi Ramën se më shumë peshë specifike në organizatën Soros ka Veliaj se sa kryeministri shqiptar. Për këtë arsye, Rama kërkon ridimensionimin e Veliajt pasi ky i fundit është një figurë e besuar e amerikanëve. Në shtator të 2022 ai pati vizita shumë të suksesshme në SHBA ku takoi zyrtarë të niveleve më të larta, ndryshe nga kryeministri Rama, i cili nuk takoi as portierin e postës së administratës Biden. Edhe tek opozita janë të bindur se Veliaj është shumë i fuqishëm në PS. Kjo është arsyeja që çdo ditë ngre furtuna sulmesh ndaj tij, që kuptohet janë sa si kryebashkiak kundërshtar politik, aq edhe ndaj një lideri të ardhshëm të PS-së. Ka një strategji në opozitë dhe mediat kundër qeverisë që Erion Veliaj të goditet sa më shumë. Madje dukshëm disa sulmojnë me lehtësinë më të madhe Veliajn dhe çuditërisht nuk sulmojnë fare kryeministrin Edi Rama. Dhe kjo nuk bëhet pa qëllim. Pra rikthimi i Taulant Ballës është një përmbysje surprizë ku zhvillimet e reja të shtatorit do të përcaktojnë pozicionin e mazhorancës dhe kryeministrit Rama, por një gjë është e sigurt, brenda Partisë Socialiste situata nuk është e qetë.

Te tjera

Lajme te tjera