Skema që u ndoq në Kosovë për të arrestuar “kokat” që abuzuan me fondet e bujqësisë pritet që të aplikohet dhe në Shqipëri. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 janar të vitit 2021, me ndihmën e Zyrës Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF) filloi arrestimet ndaj disa prej zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për mashtrime me subvencione, njësoj si tek AZHBR në Shqipëri. Dyshimet e para ishin se zyrtarët që kishin në menaxhim fondet e BE kanë pranuar ryshfet në forma të ndryshme dhe të njëjtin e kanë ndarë me njëri-tjetrin me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin pasuri. Paratë e paligjshme ata i kishin përfituar duke aplikuar për subvencione, apo duke mundësuar aplikimin dhe në mënyrë të kundërligjshme më pas kanë ndërruar kulturën nga gruri në bujqësi organike me qëllim të përfitimit të subvencioneve. Pas zhvillimit të hetimeve për pak më shumë se një vit, prokurori Rafet Halimi më 22 shkurt 2022 ngriti aktakuzë ndaj 21 personave të cilët u ngarkuan me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” “Marrja e ryshfetit” dhe ndihmë në “Marrje ryshfeti” “Mashtrim në detyrë”, “Dhënia e ryshfetit” “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.about:blank
Frida Krifca dhe zinxhiri drejtues i AZHBR rrezikojnë burgun
Pra aty ku ndërhyjnë ndërkombëtarët për të hetuar fondet e tyre nuk shpëton njeri pa u ndëshkuar. Sinjalet se do të ketë “tërmet” arrestimesh tek AZHBR, ku e rrezikuara kryesore është Frida Krifca i dha vetë Komisioni Evropian, i cili për herë të parë vendosi që për Shqipërinë të ndërpriten financimet nga BE në kuadër të Programit IPARD II për mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Vendimi është marrë “bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II”, bëri të ditur Delegacioni i BE-së në Tiranë, duke saktësuar se kjo është një “masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian”. Gazeta “SOT” raportoi ditën e djeshme se si Frida Krifca çoi fondet e bujqësisë në qoka për deputetë, ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Raporti i KLSH
Vetë Frida Krifca pranoi ditën e djeshme se OLAF ka më shumë se 1 vit që i ka nisur hetimet, pra kjo nënkupton se shkeljet janë të mëdha dhe dosja po “qepet” mirë. Abuzimet e AZHBR i konstatoi në vitin 2019 dhe KLSH. Në raportin e tyre thuhej se në Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor Rural, ish-drejtoresha Frida Krifca, ka bërë abuzime të shumta financiare në buxhetin administrativ e grande bujqësore të fermerëve. Ka mbajtur të fshehtë, zhdukjen e kontratave për investime rikonstruksione zyrash rajonale të AZHBR, me vlera mbi 200 milionë lekë, si dhe zhdukja e kontratës 135 milionë lekë, me objekt “Studimi i mizës së ullirit”; për të cilën është kërkuar ndjekje penale. Në shkelje të ligjit, me urdhër personal si drejtore e AZHBR, Frida Krifca ka përdorur 25% të fondit të grandeve bujqësore e blegtorale, për reklama mashtruese ndaj donatorevë e fermerëve. Shkelje e rëndë është mos-veprimi për 2 miliardë lekë të reja kredi të dhëna e të pashlyera, duke i cilësuar “humbje pa kthim”, kur bizneset janë aktive e me pasuri të shumta; ndërkohë që këto vlera nuk i kanë përdorur për biznese agro-bujqësore. Paçka se ligji e përcakton, që grandet jepen vetëm për fermerët, rezulton se 70% e vlerës është marrë nga biznesmenë ndërtimi e transportesh, madje dhe nga ndërtues kullash. KLSH ka konstatuar, se në gjykatë janë bërë 30 akt-padi për debitorët, mirëpo me urdhër të ish-drejtoreshës Frida Krifca sot Ministre Bujqësie, atyre u është kërkuar vetëm zgjidhja e kontratës dhe jo kthimi i milionave që u janë dhënë, ndërsa më pas AZHBR është tërhequr nga akt-paditë. Në raport, thuhet se në llogarinë e Agjencisë Zhvillimit Bujqësor Rual për vitet 2017-2018, mungojnë 2.1 milionë Euro interesa grandesh, për të cilat nuk ka dokumentacion.
Tmerri që ka shkaktuar OLAF në Evropë
Jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por OLAF është “xhandari” që ka bërë për ujë të ftohtë dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Evropë për abuzimet me fondet e BE. Kjo organizatë ka shpallur qindra hetime dhe ka lëshuar rekomandime për trupat nacionale dhe evropiane, që duhet të kthejnë në arkën e Brukselit me miliona euro. “Rezultate e OLAF-it tregojnë rëndësinë e punës sonë. Ne mbrojmë jo vetëm interesat financiare të BE-së, por edhe të mirën e qytetarëve të Evropës”, është parimi i kësaj strukture. OLAF ka bërë namin me raporte që kanë çuar në arrestime zyrtarësh në Maqedoni, Hungari, Sllovaki dhe Rumuni etj.about:blank
*Ja çfarë është OLAF?about:blank
Zyra Europiane kundër Mashtrimit Ekonomik e themeluar më 1999 si një entitet i pavarur hetimor brenda Komisionit Europian njihet shkurtimisht si OLAF nisur nga emërtimi në frëngjisht (Office de Lutte Anti-Fraude). Që nga themelimi i kësaj zyre mbi 3 mijë e 500 hetime lidhur me krimet ekonomike, mashtrimet, keqpërdorimet e fondeve dhe korrupsionin në Bashkimin Europian janë realizuar. Tre janë fushat kryesore të veprimtarisë së zyrës : 1) Mbrojtje e interesit financiar të BE-së duke hulumtuar veprimtaritë e paligjshme ekonomike 2) Hetim dhe identifikim i rasteve të shpërdorimit të detyrës nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së. 3) Mbështetje institucioneve të BE-së për zbatim sa më të mirë të legjislacionit kundër mashtrimit ekonomik. Për sa i përket strukturës, ka në përbërje ekspertë në dy nivele: a) hetues të brendshëm që ndodhen në çdo institucion të BE-së dhe b) hetues të jashtëm në nivel kombëtar, në ato institucione të çdo shteti anëtar ku mund të rrezikohet buxheti i BE-së. Qëllimi kryesor i zyrës mbetet mirëmenaxhimi i fondeve të BE-së duke parandaluar të gjitha llojet e mashtrimeve ekonomike, zbulimi dhe dënimi i duhur për llojet e ndryshme të krimeve si dhe rikuperimi i humbjeve financiare në buxhetin e BE-së
