Nga Rigels Seliman
Edi Rama e ka pasur të lehtë pushtetin si kryeministër gjatë këtyre 11 viteve dhe e gjitha kjo meritë i takon opozitës. Jo vetëm që nuk kanë luajtur rolin e duhur si opozitë, por madje janë përpjekur me “mish e shpirt” që rruga e Edi Ramës të ishte e shtruar me petale. Kanë përdorur gjithë armët e tyre për ta fuqizuar kryeministrin duke funksionuar si një grup ku padyshim qëllimi dhe interesi i përbashkët i pazareve ka qenë dhe është futja e duarve në tendera, koncesione, madje dhe përfitime si investitorë strategjikë me firmën e Edi Ramës. I çuditshëm është fakti si opozita nuk luan asnjë kartë tjetër, veç atyre ku ekziston përfitimi dypalësh. Fuqia e opozitës për denoncimet e biznesmenëve dhe bashkëpunëtorëve të Edi Ramës të lidhur ngushtë me krimin do të kishte sjellë besueshmërinë e qytetarëve. Por, kjo nuk ndodhi! Është pikërisht kjo opozitë që akuzon shpesh herë Ramën se iu shërben oligarkëve, por asnjëherë nuk përmendin emra oligarkësh.
Është kjo opozitë, e cila flet për korrupsion, por ka mbrojtur pushtetarët e lartë të korruptuar. Arsyet janë fare të thjeshta. Ata financohen nga këto biznese që marrin miliona euro nga tenderët e qeverisë. Opozita miraton në heshtje koncesionet, abuzimet, ligjet antikombëtare dhe qeverisjen antidemokratike ku oligarkët si ura ndërmjetëse vijnë vetëm për të firmosur dekrete, ligje dhe koncencione në interes të pasurimit të tyre. Pse duhet të dilte kundër opozita kur ata po ktheheshin në politikanë “të paprekshëm”? Por fundi i kësaj klike të korruptuar, po i vjen fundi. Këta lakmitarë dhe të babëzitur s’po dinë ku të futin kokën, pasi frika ka pushtuar politikën shqiptare dhe kjo kambanë alarmi ka ardhur nga SPAK. Atë çfarë nuk e bëri opozita, Edi Rama dhe qeveria e tij po e gjejnë dyfish nga amerikanët. Beteja ka kaluar në raundin final, pasi prokurorët specialë me “bekimin”,mbrojtjen dhe financimin e amerikanëve po “këputin” një nga një gjithë bashkëpunëtorët e korruptuar të kryeministrit. Sikur të mos mjaftonte me kaq, dridhjet po i shtohen edhe më shumë Edi Ramës pasi emri i tij vazhdon të lakohet në hetimet e amerikanëve dhe dosja “McGonigal” po hetohet prej dy vitesh në SPAK.
Të gjithë emrat që opozita nuk ka guxuar as t’i përmendë, SPAK iu ka prishur “karrierën”e ndërtuar ndër vite. Tashmë është e qartë se përpjekja e Ramës për të “ricikluar” dhe njëherë Sali Berishën duke bërë marrëveshje dhe pazare me grupin e tij ilegal, pa parti, vulë dhe logo është që sërish të mbajnë monopolin e sistemit politik që i ka fillesat që nga viti 2008, por që këtë herë nuk është vetëm për karrige, pasi planet e tyre ogurzeza janë për të goditur, SPAK-un, që ata të marrin kontrollin e sistemit të drejtësisë që vetë ata dhe bashkëpunëtorët e tyre të zhytur në afera t’ia hedhin paq si dikur. Në vend që përballja e Ramës të ishte me opozitën, ose kjo e fundit të denonconte aferat e kësaj qeverie, sinkronizimi i tyre është për të goditur opozitën e vërtetë, SPAK. Por një gjë është e sigurt, SPAK nuk preket dhe këtë e konfirmoi vetë SHBA. Është kjo opozitë e re e krijuar nga amerikanët që po bën që “anija” e Edi Ramës të futë ujë me shpejtësi të madhe dhe nuk dihet nëse ai do ta ankorojë të sigurt në port në vitin 2025, apo do të mbytet rrugës. Gjithë situata me ish kryeministrin Berisha, e gjithë “bosët” e arrestuar nga SPAK ka futur në “paranoja” të thella Ramën, ku si ka ngelur mundësi zgjedhjesh veçse lutjet për një fund sa më pak tragjik.
