Në një periudhë të trazuar për politikën shqiptare, emri i Sali Berishës është kthyer sërish në qendër të debatit. Lirimi i tij nga masa e sigurisë “arrest shtëpie” dhe rrethana të reja që lidhen me të, kanë ndezur alarmin për pasojat që mund të shkaktohen në çdo cep të skenës politike. Teoricieni dhe konspiracionisti i njohur, Alfred Cako, gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zbërthen për publikun pesë skenarët që mund të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve. Nga zgjedhja e një udhëheqësi të ri për Partinë Demokratike, te shkrirja e lidhjeve të errëta mes figurave kryesore të politikës, ky është një moment vendimtar që do të lëre gjurmë të thella në të ardhmen, sipas zotit Cako. Po ashtu, Z. Cako si njohës i thellë i zhvillimeve të brendshme dhe të jashtme, zbulon se çfarë do të ndodhë me trashëgimtarin e Edi Ramës dhe si do të ndikojnë këto zhvillime në marrëdhëniet mes opozitës dhe Prokurorisë Speciale (SPAK-ut). Gjithashtu ai gjatë intervistës me kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigles Seliman, zbulon se kush do të dalë fitues nga një betejë që premton të ndryshojë gjithçka. Ndërkohë konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako ndalet edhe tek presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ka shpallur një luftë të re kundër Departamentit Amerikan të Shtetit “Deep State”-it, duke shtrirë ndikimin e tij jo vetëm në SHBA, por edhe në Shqipëri. Si pjesë e një plani global për të goditur strukturat antipopullore, Shqipëria mund të jetë një fushë e nxehtë ku Trump do të përballë aleatët e George Soros, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimet politike të vendit, thekson zoti Cako.
-Zoti Cako, si e vlerësoni vendimin e Gjykatës së Posaçme GJKKO) për lirimin e Sali Berishës? A mendoni se ky është një vendim që pasqyron drejtësinë në vend… A ka ndikuar fakti se administrata Trump…
Mund të ketë një ose disa skenarë për lirimin e tij:
Mund të jetë rastësi e pakontrolluar nga Vëllai i Madh mbi Gjyqësorin e Speciales në këtë rast;
Së dyti, mund të ketë pazar për çështje të ndryshme, si për qëndrimin e ardhshëm të PD në lidhje me axhendat e ardhshme në vend dhe rajon nga kontrollorët e mëdhenj;
Së treti, mund të ketë pazar mbi kalimin e PD në dorën e një personi të caktuar, si Gaz Bardhi;
Mund të jetë edhe ndikimi i ardhjes së administratës së re dhe ndonjë mesazh i dërguar në kanale të fshehta mbi Ramën, gjyqësorin dhe SPAK-un;
Dhe kryesorja, Vëllai i Madh mund t’ia ketë hapur portën përkohësisht për të shpëtuar trashëgimtarin e Ramës, Veliajn, nga dhëmbët e SPAK, pasi kishte një asimetri të frikshme në qethjen hierarkike të dy krahëve nga prokuroria speciale e SPAK në luftën gjoja kundër korrupsionit, por që në fakt në nivelet e larta orientohet për të dobësuar ose eliminuar aristokracinë tonë politike të krijuar këto 70-80 vjet, sipas parimit “Një armik i vdekur është një armik i mirë!”.
-Pavarësisht lirimit të tij, Sali Berisha është nën hetim për masakrën e “21 Janarit” dhe dosjet “Partizani” e “Gërdeci”. Si e shihni mundësinë që ai të mbahet përgjegjës për këto ngjarje?
Këto çështje do të qëndrojnë mbi Saliun si shpata e Damokleut nëse nuk përmbush kushtet e kontraktuara të lirimit, për të mos kapërcyer vijat e kuqe që ia ka përcaktuar Vëllai i Madh.
-Ka zëra se presidenti Trump dhe administrata e tij do të godasë klanin Soros në SHBA dhe kudo nëpër botë. Mendoni se të rrezikuar janë edhe njerëzit e Soros në Shqipëri?
Në deklaratën e tij live pas fitores, Presidenti Trump deklaroi se do të fshijë Deep State nga pozicionet e tij të fuqisë në administratën e Ëashingtonit dhe Agjencitë e Zbatimit të Ligjit. Nga 12 pikat e planit të tij, pika 8 ishte se do të luftonte Deep State jo vetëm në SHBA, por edhe zgjatimin e tij në botë me qeveritë antipopullore. Sipas këtij kuptimi, në varësi dhe të zotërimit të situatës në Shtëpinë e Bardhë dhe rrezikut të zgjerimit të luftërave, ka gjasa të ndërhyjë me influencën e tij edhe në Shqipëri. Kjo është arsyeja se përse mazhoranca e sotme është instruktuar t’i zhvillojë zgjedhjet sa më shpejt, në mënyrë që ajo të mos jetë e konsoliduar dhe angazhuar mbi ngjarjet politike në Shqipëri.
Intervistoi: Rigels Seliman
