E hënë, 20 Janar, 2025

Ja kush është “kumbari” i parë i projektit për kthimin e Jugosllavisë së Re, si e nisi Sali Berisha lojën e “Ballkanit të Hapur” nga Mali i Zi pak javë para largimit nga pushteti

Share

Prej kohësh gazeta “Sot” po i nxjerr shijen e hidhur çorbës me termin Ballkani i Hapur. I trumbetuar nga dyshja Vuçiç-Rama, dhe i mbështetur me iso nga ish-kryeministri i Maqedonisë, Zaev, Ballkani i Hapur ka qenë një shpikje e paaprovuar nga kancelaritë amerikane dhe evropiane. Nëse deri dje, kjo iniciativë është parë si një dëshirë për ti bërë karshillëk BE, për vonesat e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë, vizita e Lavrov, i çori maskën kësaj afere të ndyrë antiamerikane. Duhej deklarata e Lavrov që të zbërthente lojën misterioze që po luhej në kurriz të shqiptarëve, duke zbërthyer se pas gjithë kësaj coftire që quhej Ballkan i Hapur fshiheshin interesat ruse dhe serbe. Por ky skandal i ka rrënjët shumë më herët dhe gazeta po risjell në vëmendje marrëveshjet e errëta që janë përgatitur vite më parë, ku Ballkani i Hapur thjesht ka ndërruar emër, por qëllimet i ka të njëjta. Planet që nisi Sali Berisha në vitin 2013 u rijetëzuan dhe u sollën për herë të parë për publikun në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku dyshja Rama-Vuçiç prezantuan projektin si një nismë për të bashkuar rajonin. Gjithçka e njëjtë me nismën e quajtur “Unioni Ballkaniko-perëndimor”, ndryshe Jugosllavia e Re, ku si projekt ishte një lojë e Beogradit dhe e Rusisë si sfidë ndaj NATO dhe Bashkimit Evropian. Projekti shumë qartë shfaqet si minues për të ardhmen e Shqipërisë, pasi nostalgjikët e Millosheviçit dhe Jugosllavisë, vazhdojnë të tentojnë të tërheqin në vallen e tyre edhe Kosovën e cila tani është shfaqur totalisht kundër me manovrat e dyshes Rama-Vuçiç për të ngjallur kohën e Millosheviçit.

Si e nisi Sali Berisha lojën e “Ballkanit të Hapur”?

Pak javë para largimit nga pushteti në vitin 2013, Sali Berisha nisi i pari lojën, duke u futur në projektin më anti-shqiptar. Pra ai ishte nismëtari i skandalit dhe tradhtisë më të rëndë kombëtare, skandal i cili për nga përmasat e tejkalon shitjen e Shën-Naumit nga Zogu, shitjen e Shkodrës nga Esat Pashë Toptani dhe shitjen e detit Greqisë. Bëhet fjalë për ringjalljen e Jugosllavisë famëkeqe dhe kalimin e Shqipërisë si pjesë e saj. Në një takim sekret në Malin e Zi, të mbajtur në 16 korrik të 2013 në Përzhno, kryeministri i asaj kohe Sali Berisha ka pranuar hyrjen e Shqipërisë në Federatën e Jugosllavisë se re. Ideja ogurzezë u gatua në Beograd, por u hodh për diskutim nga ministri i Jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili propozoi në atë kohë formimin dhe ngritjen e një “Unioni Ballkaniko-perëndimor”, i ngjashëm me Federatën Jugosllave në vitin 1991. Pjesë e Federatës në atë kohë, siç është Ballkani i Hapur tani, ishte pjesë Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kosova dhe Serbia. Kjo e fundit, është koka e federatës së re, siç ishte edhe e federatës së vjetër, e cila u shkatërrua nga luftëra të përgjakshme. Serbia kërkon të ketë një rol kyç në këtë federatë, siç edhe e ka pasur më parë. Ndërkaq, Sali Berisha, në mënyrë të fshehtë dhe pa asnjë shpjegim mbi përmbajtjen dhe parashikimet e nismës, dërgoi një përfaqësues të Ministrisë së Jashtme në takimin e Malit të Zi, duke shprehur pëlqimin zyrtar për ta bërë Shqipërinë pjesë të Federatës së re Jugosllave. Pra, Berisha ka pasur një strategji të qartë për ta kthyer Shqipërinë në Republikë të gjashtë të Jugosllavisë. Berisha kishte planifikuar që të firmoste kalimin e Shqipërisë nën ombrellën e Jugosllavisë së re, duke shfrytëzuar punimet e Asamblesë së OKB në Nju Jork që në vitin 2013. Gjithçka do të kryhej në fshehtësi ashtu siç edhe u veprua ne marrëveshjen e detit. Por, për fatin e mirë, projekti i Berishës u rrëzua në zgjedhjet e 23 Qershorit, nga 1 milionë shuplaka të qytetarëve shqiptarë. Por si projekt nuk u zhduk, pasi atë e vazhdon sot kryeministri Edi Rama.

Takimi i fshehtë

Pas përpilimit të dokumentit nga ana e Malit të Zi, në vitin 2013 u mbajt një takim në Mal të Zi, në nivel të drejtorëve politikë të 6 shteteve, ku pjesëmarrëse ka qenë edhe Kroacia. Kosovën e ka përfaqësuar Sami Ukelli, drejtor gjeneral në Ministri të Jashtme dhe Sylë Ukshini, drejtor për Ballkan në po këtë ministri. Në transkriptin e këtij takimi, në atë kohë u tha se në parim pjesëmarrësit në takim kanë konfirmuar gatishmërinë për, siç thuhet, bashkëpunimin në formatin e dhënë të bashkëpunimit rajonal, objektivi kryesor i të cilit është integrimi më i shpejtë i tyre në Bashkimin Evropian. Në takim pjesëmarrës ishin edhe shefat e delegacioneve të BE-së në atë periudhë në Mal të Zi, ambasadori Mitika Drobnic dhe sekretari i përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Goran Svilanovic. Transkripti citon ambasadorin Drobnic, i cili konfirmon qëndrimin e komisionarit për Zgjerim të BE-së, Stefan Fule, se kjo iniciativë e Mali të Zi po ndodh në momentin e duhur dhe se trajton në mënyrë të barabartë çështje të rëndësishme të procesit të integrimit në interes të vendeve pjesëmarrëse. Pra, si mbështetës i fortë i kësaj nisme, në takimin sekret të vitit 2013 në nivel të lartë zyrtarësh ndërkombëtarë u përmend Stefan Fule. Kujtojmë se ky personazh është kritikuar nga ish kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha si i njëanshëm në trajtimin e kontradiktave midis qeverisë së tij dhe opozitës së drejtuar nga Edi Rama duke mbajtur anën e Edi Ramës, por edhe në aferat e CEZ-DIA. Fule i ka hedhur poshtë këto akuza pa dhënë sqarime të mëtejshme.

Çfarë u deklarua zyrtarisht në takimin e parë  në Mal të Zi?

Diskutimi i parë për idenë e ministrit të Jashtëm malazez, Igor Lukshiç, i cili ishte i pari që propozi formimin dhe ngritjen e një “Unioni Ballkanikoperëndimor”, është bërë në samitin e SEECP në Ohër, në qershor 2013. Ndërkaq, një mbledhje e posaçme për këtë nismë është organizuar nga Ministria e Jashtme e Malit të Zi në 16 korrik të 2013 në Përzhno, ku kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Ministrive të Jashtme të Serbisë, të Malit të Zi, të Maqedonisë, të Bosnjë-Hercegovinës, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në nivel drejtorësh politikë. Sipas komunikatës zyrtare, të botuar për këtë takim nga MPJ e Malit të Zi në faqen e saj zyrtare në atë kohë, përfaqësuesit e gjashtë shteteve pjesëmarrëse kanë shprehur pëlqimin e shteteve përkatëse për krijimin e këtij “Unioni Ballkanikoperëndimor”.

Ringjallja e Jugosllavisë

Pra, si përfundim shohim që ka patur një përpjekje permanente nga ana e qarqeve serbe për të ringjallur Federatën Jugosllave. Që nga shkatërrimi i Federatës Jugosllave në vitin 1991, ka pasur disa nisma për të rikthyer Jugosllavinë. Entiteti i ri “Ballkan Perëndimor” u krijua në vitin 2000, me samitin BE-Ballkani Perëndimor të Zagrebit, kur BE, për lehtësi organizimi të procesit të integrimit europian të vendeve ballkanike, i përkufizoi shtetet e ish-Jugosllavisë, ku futi edhe Shqipërinë, si shtete të Procesit të Stabilizim-Asocimit apo të Ballkanit Perëndimor. Ishin të gjitha shtetet e ish- Jugosllavisë, pa Slloveninë, vendin e së cilës ia atashuan Shqipërisë. Pasi Kroacia u bë anëtare e BE, mbeten dy vende bosh nga Federata e dikurshme, dhe projektuesit e nismës nxituan për të zëvendësuar Slloveninë dhe Kroacinë me dy shtete shqiptare.

Te tjera

Lajme te tjera