E premte, 17 Prill, 2026

Ja “bankomatët” që i pastrojnë paratë Sali Berishës, Frrok Cupi nxjerr detajet e forta, pse ish-kryeministri urdhëroi vrasjet e 4 protestuesve në 21 janar, si i vodhi mbi 1.2 miliardë dollarë, pagoi nën dorë La Civitën dhe kush është kompania që ka përdorur për të përfituar shuma marramendëse lekësh

Share

Analisti dhe publicisti i njohur Frrok Çupi ka bërë deklarata të forta mbi çështjet më të nxehta të jetës politike dhe drejtësisë në vend, duke ekspozuar me emra dhe fakte atë që ai e cilëson si rrjetin kriminal dhe familjar të ngritur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në një intervistë ekskluzive për gazetën SOT, Çupi akuzon Berishën për lidhje të drejtpërdrejta dhe familjare me shërbimet sekrete serbe, duke e cilësuar “familjar biologjik” me krerët e UDB-së. Më tej, ai flet për një skemë të gjerë pastrimi parash që, sipas tij, zhvillohet përmes bijve të Berishës, të cilët kanë qarkulluar milionat e përfituara në mënyrë të paligjshme gjatë qeverisjes së babait të tyre.

Një ndër rastet më domethënëse, sipas analistit, është afera “Partizani”, ku vetëm përmes ndërtimit të kullave në truallin e ish-kompleksit sportiv, familja Berisha ka përfituar mbi 5 milionë euro. Ai përmend gjithashtu pagesën e dyshimtë për konsulentin La Civita dhe shumat e mëdha që janë paguar për të lobuar në SHBA për fshirjen e emrit të Berishës nga lista “non grata”. Duke komentuar zhvillimet në Theth, Çupi paralajmëron për një skenar destabilizimi me prapavijë antikombëtare, të mbështetur sipas tij nga agjentë të huaj dhe njerëz të Berishës që tentuan të shpallin një lloj autonomie në veri të vendit, në stilin e “Mitrovicës së Veriut” në Kosovë. Ai kritikon ashpër mungesën e reagimit nga drejtësia dhe kërkon që SPAK të hetojë pa vonesë krimet shtetërore si 21 Janari dhe Gërdeci.

-Zoti Çupi, kryeministri Rama këto ditë është përfshirë në një iniciativë të gjerë politike me tre drejtime: -Rinovimin e stafit të bashkive në vend duke kërkuar dorëheqje masive; -Kthimin te publiku të ambienteve publike në Tiranë e në gjithë qytetet e vendit; -Vënien në vend të ligjshmërisë në fshatin Theth të Shkodrës ku ishte pushtuar deri edhe toka e Kishës. Si e komentoni këtë iniciativë të kryeministrit?

Po, kjo iniciativë është jo vetëm e gjerë, por edhe e para e këtyre vlerave gjatë gjithë historisë së shtetit shqiptar. Pse ju them se kjo është vlera qeverisëse më e lartë në historinë e shtetit shqiptar? Sepse sa herë ka rënë shteti ynë, ka rënë në njërën prej këtyre ‘gropave’.  Që të tre spektret e iniciativës së kryeministrit kanë një të përbashkët. E përbashkëta qëndron në tre shtylla:

E para, Republika,

E dyta, individi

E treta, ligjshmëria.

Në Theth kishin nxitur rebelimin ndaj territorit të shtetit shqiptar. Thethi është një fshat në cepin ekstrem të hartës së Republikës. Këtë që benën aty mund ta bënin edhe në Bulqizë, bie fjala, por u zgjodh Thethi si më i afërt me modele të ndarjes së territoreve të Shqipërisë. U zgjodh si një ‘ Mitrovicë e Veriut’, në Kosovë. Në atë zonë, përmes territorit fluid, po vihet në pikëpyetje integriteti i shtetit të Kosovës. Disa persona në Theth kërkuan që territori i Veriut të qëndrojë larg Autoriteti i shtetit shqiptar, thuajse si në Mitrovicë.  Arsye e dytë, se zonën e Tropojës, Thethit, Nikaj Merturit, etj., Sali Berishën e gënjen mendja se i manipulon sikur “qeveria e Tiranës po punon kundër Veriut”. Kjo është tradhti kombëtare, por SPAK  ende nuk po vepron. Në Theth u konstatuan jo vetëm të dërguarit e Berishës që vinin nga Tirana, por edhe ndikimet e shërbimeve sekrete të shtetit fqinj në Veri, Serbi.  Berisha është familjar me UDB-në; them familjar edhe biologjik.

Fëmijët e tij janë nip e mbesë e krerëve të lartë të shërbimeve sekrete serbe. Në ndihmë të Thethit erdhën edhe disa ‘ mirditorë nga Mamurasi’ që sillnin modelin se si ishte krijuar krahina autonome e Mirditës në vitet 20 të shekullit të kaluar. Ajo krijesë nervoze e kapedanëve të Mirditës u krijua për të bashkëpunuar me Serbinë përballë integritetit të shtetit shqiptar. E treta, me Thethin po matnin pulsin e shtetit ligjor: A është vallë shteti dhe qeveria e dalë nga zgjedhjet e 11 Majit aq i aftë sa të mbrojë ligjshmërinë në territor, edhe në një fshat që tashmë është kthyer në pasqyrë turistike për botën. Kjo ishte arsyeja pse u guit Thethi.  Përfundimisht u duhej vënë në pikëpyetje kontrolli i shtetit mbi territorin e Republikës. Kërkuan eliminimin e ligjeve Kushtetuese dhe instalimin e ligjeve të Sheriatit ose kanuneve të Mesjetës. Katolikët e Thethit kërkuan gjak, si në veprime edhe në folklorin që krijuan. ‘ Duam gjak- thërriste një nga të parët e rrumpallës. Duam të vrasim Benet Becin dhe Edi Ramën”. Thashë ‘katolikët’, sepse mburren si katolikë e kërkojnë luftë, ndërkohë që Papa Leo XIV po bënte thirrje për paqe në botë.

Përfundimisht u yshtën që të shpërbëjnë territorin e Republikës, që mbrohet me ligj. I yshtën o Saliu, o agjenci të huaja që nuk e duan vendin tonë, o mafia që përgjonte nëpër lisa në Theth Por ngjarjet edhe sollën një ‘vlerë’. Vlera është se në legjislacionin e Shqipërisë u konstatua mungesa ose dobësia e ligjeve kundër tradhtisë kombëtare ose kundër integritetit territorial të vendit. Asnjëri deri në këtë orë nuk ndodhet prapa hekurave. Çdo dëm kundër interesave të vendit duhet dënuar me ligj. Rinovimi i pushtetit lokal në vend dhe kthimi i ambienteve publike te publiku, kanë një lidhje me shtetin si edhe ‘Thethi’. Kryeministri Edi Rama mbajti anën e qytetarëve të tij dhe po u kthen pasurinë territoriale. Ai mban anën e publikut që kërkon një administratë të shkathët, profesionale dhe të ndershme në shtet. Ja ku është e tëra.

 -Zoti Cupi, ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet nën akuzë për aferën “Partizani”. A mendoni se është i përfshirë realisht në këtë çështje apo është një proces i motivuar politikisht?

A është i përfshirë realisht? Shaka nuk mund të jetë, sepse po të jetë shaka kjo, atëherë i bie që të jetë një shaka vetë ligji; i bie të jetë shaka populli që ia di dhe ia ka vuajtur krimet e Berishës; i bie që të jetë shaka Uashingtoni dhe Londra që e shpallën ‘ larg prej nesh, larg si zgjebja’ e krimit.  Po të mos jetë Berisha një i korruptuar, siç tha Amerika ‘i qenësishëm’, atëherë nuk do të jenë as 17 kullat te klubi ‘Partizani”, i bie që Berisha me të bijtë të mos kenë fituar vetëm këtu 5 milionë euro. I bie që të mos ishte këtu këshilltari La Civita që mori një pagesë të lartë, mbase edhe nën dorë. I bie që të mos ishte paguar 6 milionë dollarë për non gratën në Amerikë.

Sikur të mos ishte Berisha në aferën Partizani, i bie që të mos kenë qenë firmat financiare piramidale nën kryesimin e Berishës, ku u vodhën nga populli mbi 1.2 miliardë dollarë. I bie që nuk ishte thyer embargo e naftës me Milloshevicin, ku kompania e Berishës Shqiponja fitoi para të panumëruara. Ato para dhe piramidat dhe vjedhjet e tjera berishiane po lahen nëpër duart e bijve të Berishës. Vetë Berisha u tremb në 21 janar 2011 se ‘po i marrin pushtetin’, dmth po i zbulonin çfarë kishte futur në dorë nga pasuria publike, dhe vrau njerëz, katër demonstrues në bulevard. Atëherë i bie që asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Ndoshta Saliu mund të ma marrë këtë frazë dhe do të thërrasë në konferencën e tij: “ Jo asnjë nga këto nuk janë të vërteta”!  Hahahahahah

-A duhet drejtësia të hapë edhe dosje të tjera që lidhen me periudhën e qeverisjes së Berishës, si 21 Janari dhe Gërdeci? A po shmangen këto çështje me qëllim?

Drejtësia duhet urgjent të vendosë kush do ta paguajë gjakun e 21 Janarit 2011 dhe jetën e 26 njerëzve në Gërdec, 2008. Duhen paguar se s’ bën. Të dyja janë krime antinjerëzore shtetërore. Pa u larë ky ferr, shteti dhe kombi shqiptar nuk mund të jenë ballëhapur para Zotit dhe para vetes. Çfarë do të bëjë Drejtësia? Po flasim për këtë Drejtësi që kemi në institucione. Se sa për Drejtësinë e vërtetë të jetës, këta do ta paguajnë gjakun që kanë derdhur. Ndërsa kjo Drejtësi zyrtare është nën dyshime të mëdha. Disa prej tyre janë pjesë e mëkatit, disa janë të frikësuar, disa janë të paguar me siguri, disa mund të jenë edhe katilë që nuk iu rreth zemra pse janë vrarë këta njerëz. Po flas si pesimist. Por edhe mund të ndodhë që dikush prej tyre të bëhet Njeri; sepse sa për jurist as që ka nevojë.

-Ish-presidenti Ilir Meta ndodhet në paraburgim dhe po përballet me akuza për afera si CEZ-DIA dhe lobimi në SHBA. Ai pretendon se është tradhtuar nga njerëzit e tij në LSI dhe se nuk ka hedhur asnjë firmë që ta implikojë. A është viktimë e sistemit, apo i përgjegjshëm për ato akuza?

Po është tradhtuar nga të afërt, madje edhe nga gruaja. Kështu ka thënë. Të vjen keq kur shikon këto karaktere, që paskan qenë ‘lakuriq’ mbi kokat tona; por ne i paskemi parë të veshur me kostume. Më keq më vjen pse Meta dhe Metat na tradhtuan ne të gjithëve. Na tradhtuan dhe na ndotën. Sa herë hedh shikimin drejt tyre, edhe në qeli, na kthehet një pështymë e na bie surratit. Po pse ore, ku ishim ne kur u bë Meta president e kryeministër? Ku ishim kur Berisha dhëndër në UDB dhe mik për kokë me Bulatovic, Miloshevic e Bin Laden, ne e votonim si president. Mua më vjen keq vetëm për tradhtinë ndaj atdheut dhe ndaj individit.

-Si e vlerësoni punën e SPAK deri tani? A ka mbajtur balancën dhe besimin publik në përballje me të mëdhenjtë e politikës dhe krimit?

SPAK është i vetmi institucion i Drejtësisë ku duhet të shpresojmë. Edhe kur na e thyen shpresën, ne duhet të besojmë te SPAK. Sepse pa SPAK, ujku pret të na kafshojë. SPAK është instrumenti më i dobishëm, edhe kur bie në gropa. Por ka dhënë plot rezultate. Nuk mund të besosh me të njëjtin nivel ndaj Gjykatës së SPAK. Ajo duket se ndodhet nën influencat anti-Drejtësi.  Brenda godinës së SPAK duket se po zhvillohet një ‘ luftë civile’, mes SPAK që kërkon ligj e drejtësi dhe GJKKO që pret Sali e Argitë. Drejtësinë e ka ende në dorë Berisha, sa kohë që ky ka në dorë miliona nga paratë e popullit. Sot mbi 70 magjistratë ndodhen nën urdhra mbrojtjeje nga shteti. E shikoni që dikush i lufton?

-A ka ardhur më në fund momenti që pandëshkueshmëria në Shqipëri të marrë fund, apo jemi ende në një fazë eksperimentale të drejtësisë së re?

Pandëshkueshmëria nuk është pranuar që nga kodet e Hamurabit, që 2 mijë vjet para Krishtit. Kombi ynë është një komb i ndritur para sensit të të Drejtës. Kurrë nuk e ka lejuar që të mos ndëshkohet mëkati dhe krimi. Vetëm Berisha e ndoti nderin e të drejtës në këtë vend. Askush më parë e më pas.

-Si e shikoni faktin që Partia Socialiste arriti të fitojë për të katërtën herë radhazi qeverisjen? Çfarë fshihet pas kësaj fitoreje të pazakontë në tranzicionin shqiptar?

Fiton përsëri Partia Socialiste, pa dyshim. E di pse? Sepse fiton njeriu duke gjykuar me veten e tij. Njeriu do që të jetojë mirë, paqësisht dhe pa pisllëk. Partia Socialiste ka lidhje me njeriun, me popullin, i shërben. Çfarë thamë, Edi Rama a po u shërben njerëzve edhe kur këtyre u marrin copën e dheut para shtëpisë apo në rrugë.  Të tjerët që dalin në fushata dalin për të kthyer tmerrin që e kanë shkaktuar edhe më parë. Po ku ka popull që të vetëvritet me dëshirë e me votë? Jo, kjo s’ mund të ndodhë

-Edi Rama ka premtuar se gjatë këtij mandati Shqipëria do të jetë zyrtarisht pjesë e Bashkimit Evropian. Sa realist dhe i besueshëm është ky premtim në kushtet aktuale?

Kjo është interesante. Edi Rama nuk tha se po e pranon Shqipërinë në BE. Këtë s’e bën Rama, e bëjnë të tjerë në Europë. Por Rama po e përgatit Shqipërinë, po e shëndetëson, po e zbukuron, po e qytetëron si një anëtare në BE. Ky është, natyrisht, pranim në BE. Edhe këto që po bën me Thethin dhe bashkitë, edhe kjo është punë për ta bërë gati Shqipërinë për në Europë. Sikurse edhe vetë dembelët e bashkive dhe kanunistët e Thethit po bënin të tyren: Ta largonin Shqipërinë nga vlerat e BE.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera