Rigels Seliman
Bardhyl Reso, i cili ka qenë ndër 13 anëtarët e parë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike dhe deputet i Kuvendit të parë Demokratik pluralist postkomunist komentoi situatën politike në vend, ndërsa ka shpërthyer në sulme e akuzua të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha të shpallur “non-grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe. Ky i fundit akuzohet për korrupsion pasiv dhe si pasojë i është ndaluar të udhëtojë jashtë vendit pas një vendimi të Prokurorisë së Posaçme të Shqipërisë (SPAK) të shtunën që lamë pas. SPAK-u njoftoi se ia ka caktuar Berishës masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Berisha dyshohet si pjesë e një hetimi për dyshimet për korrupsion gjatë privatizimit të kompleksit sportiv “Partizani”. Për të njëjtën çështje të shtunën u arrestua dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në bashkëpunim” si dhe “pastrim parash”. Sali Berisha, që aktualisht drejton grupin “Rithemelimi” brenda Partisë Demokratike, i cilësoi akuzat ndaj tij si “të pabaza dhe të motivuara politikisht”. Por sa i takon kësaj ngjarje të rëndësishme dhe jovetëm, ka folur edhe zoti Reso, teksa gjatë një interviste në “Dritare Tv, të cilën gazeta “SOT” po e pasqyron më poshtë të plotë ka zbardhur prapaskenat e forta nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku jeton prej vitesh. Ai ka treguar se kush është politikani që i ka shpëtuar nga burgu Berishën dhe Metën, ndërsa u shpreh se, pas goditjes së SPAK-ut ndaj “non-gratës” dhe familjes së tij, nuk fshihet Edi Rama siç thotë ish-kryeministri, por SHBA-të. Sipas tij, SPAK-u është zëri i Amerikës.
-Zoti, Reso do doja një koment për lajmin me të bujshëm të ditëve të fundit, goditjen e SPAK-ut ndaj Sali Berishës dhe dhëndrit të tij?
Ishte një ngjarje e veçantë. Kemi diskutuar për rolin Berishës në dëm të vendit. Ishin fillimisht gabime të vogla dhe më pas erdhën duke u bërë më të mëdha. Ne kemi diskutuar shumë gjëra që me ardhjen e tij në qeverinë e dytë se çfarë është bërë në dëm të interesave kombëtare, ca është bërë me korrupsionin madhor. Vrasjet që u bënë kundër protestuesve kur ata po largoheshin nga protesta dhe ngjarja e Gërdecit, ishin të rënda, por dihet se drejtësia jonë ka qenë e kapur nga pushteti politik. Ishte pushteti politik ai që jepte vendimet e gjykatave. Kur Parlamenti votoi unanimisht reformën në drejtësi me 140 vota, me siguri Sali Berisha duhet ta ketë menduar çfarë vinte pas, por nuk ka pasur rrugë tjetër ndaj ka votuar. Reforma në drejtësi u bë nën presionin e SHBA-së. Unë mendoj që së shpejti me vendimin që ka marrë SPAK-u, javën e ardhshme do t’i hiqet imuniteti në Parlament dhe më pas ai do të jetë thjesht një numër. Ai duhet patjetër ti hiqet imuniteti në Parlament dhe do jetë një person që unë i këshillojë që të mos dal më.
-Dihej që do ndodhte, por ja që nuk ka ndodhur që nga koha e Fatos Nanos, Berisha e kërkoj mbrojtjen dhe të tijët nuk ja dhanë sepse janë distancuar prej tij?
Për mua ka qenë anormale për ato veprime që kanë bërë demokratët që kanë drejtuar PD. Me përjashtim të Bashës që e përjashtoj nga grupi Berishën pas shpalljes non grata nga SHBA. PD sot është një situatë që nuk di se ca drejtimi do të marr, është një forcë politike që nuk është e gatshme jo për 2025, por as për më vonë për t’u bërë një forcë politike.
-Berisha tha se do provojë deri në fund që të provojë se nuk jam i korruptuar?
Atë askush nuk e ka mbështetur, as në media që ai pak kohë më parë ishte kryefjalë, tani e panë që ai u çvlerësua dhe e hodhën poshtë. Nuk e mbështetën. Sali Berisha nuk ka dëgjuar asnjë asnjëherë, ai ka bërë se ca ka dashur vetë. Edhe kur filloi lëvizja që erdhën njerëzit që donin të merrnin pronat e pronarëve ai i ka mbështetur ata. Ai ka bërë shumë lëshime të gjitha në shkelje të legjislacionit që ka qenë atëherë dhe që është tani. SPAK do ti duhet disa vite të merret me atë se sa ka përkrahur Berisha, sepse janë pafund, sot ke shefa policie janë me vila dhe me biznese, ata janë biznese që janë filluar nga zero. Vetëm armatimi që ka pasur Shqipëria me ato të ardhura mund të ringrinte ato degë të ekonomisë që ishin më keq, të gjitha janë vjedhur. Të gjithë ministrat e mbrojtjes, të cilët që kanë qenë në qeverisjen e parë dhe të dytë të Berishës duhet që të futen të gjithë në burg. Sepse edhe tani nuk po akuzohen problemet me pronat e ushtrisë. Çdo pajisje edhe e vjetër të jetë, ka një vlerë, sepse armatimin që kishim ne na i kanë kërkuar si armatim ne vende ku pasur luftë që mund të përdorej sepse mund të shitej edhe si armë jo vetëm si skrap.
-Berisha ka thënë se e gjitha kjo është bërë nga Rama dhe se nuk është dhënë asnjë provë se në procedurat e privatizimit të kompleksit Partizani është shkelur ndonjë ligj?
Berisha se pranon fajësinë dhe jo vetëm për këtë, por për asgjë ai nuk ka pranuar fajësinë. Ai është i detyruar që ti bëjë këto për të thënë se është i pastër. Njerëzit e kanë pritur jo vetëm për atë, por edhe për të gjithë ata që janë marr me afera. Si mund të ndërtosh një vilë luksoze në Lalzëz, si Berisha dhe Meta, sepse me atë rrogë që kanë ata nuk bëhet ajo. Tek Saliu duhet që të fillonte në fakt sepse ai është i pari për mua që e futi idenë e vjedhjes dhe la njerëzit të vjedhin. Që të vjedhin fëmijët e tij, ministrat e tij dhe shërbëtorët e tij. Ka nga ana ministra që për një tender apo një tjetër i kanë shkuar paratë cash, kurse Saliut i kanë shkuar në mënyra të tjera. Kjo ishte goditja e parë direkte dhe mendoj se kjo duhet të vazhdojë në të gjitha krahët e politikës shqiptare. Duhet që t’i merret pasuria dhe kalimi i saj në favor të njerëzve në nevojë sepse është e kot që t’i mbash në burg, sepse Saliu po i afrohet të 80-tave. Ata po i zhveshe nga pasuria je i zhveshur nga çdo gjë, sepse po nuk pati para ai nuk paguan njerëz që ti shkojnë nga pas. Është më kuptimplotë kur ai ta shkoj që është zhveshur nga pasuria se si do të sillet në shoqëri këtej e tutje. Nëse neni thoshte 14 vite mund të bëjë dy vite sa ti ulësh personalitetin fare.
-Problemi i tyre është se si kanë të gjitha të deklaruara se një pjesë i kanë edhe jashtë, apo jo?
Ka mënyra që gjenden, sepse bankat sot janë të kontrolluara, çdo veprim bankar dhe transaksion është aty. Isha duke folur me një mikun tim për politikanët e korruptuar dhe më tha pse i kritikon tha, a more ti ndonjë post dhe s’të pamë ne duke vjedhur, thjesht tha je i paprovuar. Shiko mentaliteti i njerëzve, sepse është kjo që njeriu po mori një post do të jetë i korruptuar, njerëzit për këto që dëgjonin pse nuk bënin protesta. Këtu protestat shpesh herë i organizojnë partitë politike, sepse kur i organizojnë partitë politike pala tjetër gjen shkas për të thënë duan të vijnë në pushtet, kanë këtë qëllim. Këtu janë rritur çmimet dhe nuk ka asnjë protestë.
-Ju mendoni se është Rama pas kësaj goditje të SPAK, apo SHBA?
Nëse Sali Berisha apo Ilir Meta kanë qëndruar deri më tani, kanë qëndruar prej Ramës. Amerika e pa që në këtë vend kaq të vogël, ka një korrupsion galopant. Amerika e di se në qoftë se në një vend ka korrupsion të kësaj përmase, aty e marrin në dorë pushtetin kriminelët, shtetin e drejtojnë bandat kriminale. Sali Berisha justifikohet kur thotë që këto po i bën Rama sepse kujton se mund të gjejë njerëz që t’i bindë që është Rama ai që po e sulmon. Ramën nuk e zë gjumi për vete. Deri sa janë ministrat hajdutë dhe ish-zv/kryeministri është në kërkim normalisht, ai thotë që janë përgjegjësi individuale, sepse i ka emëruar ai, sepse ai duhet që të ketë përgjegjësi njësoj ai ata, të paktën përgjegjësi morale. Në afera të mëdha, si ndërtimi i inceneratorëve unë e kam quajtur gabimin, Rama duhet që të pyeste edhe në vende të tjera pse nuk bëjnë inceneratorë, atëherë unë e quaj njësoj fajtor edhe më të tjerët. Edhe Rama duhet që të tregojë përgjegjësinë që ka për ministrat e tij që janë të korruptuar, sepse kanë dal fakte, është një gjë shumë e rëndë për një vend si ne të varfër, me pensione qesharake.
-Nuk rrezikojmë ne një ‘97 në përmasa të tjera?
Absolutisht që jo, ka një lloj indiferentizmi, ata as duan t’ia dinë se po futet në burg Berisha dhe dhëndri i tij. Nëse Amerikanët kanë bërë gjënë më të mirë në Shqipëri është ndihma për të luftuar korrupsionin dhe është ndihma më e madhe. Ky suport që kanë bërë ata për drejtësinë shqiptare e vlerësoj shumë të madhe sepse rezultatet e saj do të vijnë më vonë, sepse do të ulet shkalla e korrupsionit. Duhet që të kuptojnë se nuk mund të bëhet më korrupsion, të kuptojnë se nuk mund të vësh dorën në pronën publike. Pse në Amerikë ka ardhur duke u ulur korrupsioni sepse kanë pasur një drejtësi të pakorruptuar, edhe në Amerikë ka gjyqtarë të korruptuar, por mund të jenë shumë pak, kurse këtu janë shumica. Kam dëgjuar për sistemin e drejtësisë në kohën e Zogut, ka qenë një drejtësi shembullore, nuk arrij ta kuptojë se çfarë është bërë me këtë vend që kemi ardhur këtu ku jemi sot. Dokumentacioni që ka pasur Shqipëria në kohën e Zogut ka qenë një dokumentacion perfekt, erdhi ky e shkatërroi të gjithi, i grisën. Fajet e këtyre nuk peshohen, absurditete, vetëm në Shqipëri ndodhin këto. Prandaj kanë ndodhur të gjitha këto, ky është fillimi, por ky fillim duhet të vazhdohet edhe më shpejt. Por, jam i gëzuar që arritëm që fajtorët e parë dhe të vërtetë të shkojnë atje ku ata e meritojnë.