E martë, 10 Nëntor, 2026

Institucionet shqiptare shkaktojnë 138 miliardë lekë dëm në buxhetin e shtetit për vitin 2022, vetëm 14 zyrtarë të kallëzuar në prokurori, KLSH nxjerr shifrat e frikshme

Share

Institucionet e shtetit shqiptar vazhdojnë pa asnjë shqetësim të abuzojnë në mënyrë skandaloze me paratë e shtetit, duke rënduar akoma më shumë bilancin negativ të dëmeve ekonomike. Prej kohësh, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar raporte të frikshme për shifrat e frikshme të shpërdorimit të parave publike nga organet e pushtetit qendror dhe lokal. Së fundmi, kreu i KLSH, Arben Shehu pranoi në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, në kuadër të raportit vjetor të vitit 2022, se 138 miliardë lekë (afro 14 milionë euro) është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit shqiptar nga keqmenaxhimi i fondeve publike dhe shkeljeve ligjore prej administratës qendrore dhe lokale. Sektorët më difektozë rezultuan tatimet dhe doganat me 107.5 miliardë lekë. Pavarësisht statistikave shqetësuese të zhdukjes së parave publike nga institucionet e shtetit shqiptar, deri tani janë kallëzuar në prokuroritë e rretheve 16 zyrtarë, kurse 7 raste shkeljesh kanë kaluar në dorën e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Edhe në lidhje me tenderat/koncesionet u gjetën problematika.about:blank

177 auditime në 2022, 5420 shkelje, 5420 rekomandime dhe mbi 5 mijë ankesa

Për periudhën janar-dhjetor 2022, KLSH kreu 177 auditime në 205 subjekte i klasifikoi shkeljet sipas dëm ekonomik, parregullsi/paligjshmëri me efekte negative financiare në financat publike. Lidhur me shkeljet e kryera nga institucionet, u konstatuan 5420 shkelje dhe mbi 5 mijë ankesa. Për rekomandimet e dërguara nga institucioni që drejton, Arben Shehu  sqaroi se për vitin 2022 janë adresuar 5420 rekomandime, nga të cilat: 52 propozime për përmirësime ligjore; 3283 masa organizative; 1047 masa disiplinore dhe administrative, 352 masa për shpërblim dëmi dhe 686 masa për efekte negative në buxhet.

Shifrat alarmante të dëmit ekonomik, paligjshmërive dhe shkeljeve të disiplinës buxhetore

Në tërësi, nga auditimi i KLSH-së u konstatua se dëmi ekonomik në buxhetin e shtetit prej afro 138 miliardë lekë kategorizohej përkatësisht: 1.5 miliardë lekë dëm për parregullsi dhe shkelje financiare; 10.5 miliardë lekë dëm ekonomik për mangësi në zbatimin e legjislacionit tatimor për qeverisjen lokale; 18.3 miliardë lekë dëm në keqadministrim dhe mangësi në monitorim të qerasë 1 euro të tokave bujqësore dhe 107.5 miliardë lekë dëm për mangësi në aktivitetin kontrollues me ndikim në të ardhurat tatimore e doganore. Për sa i përket aspekteve të tjera, efekt negativ 88.5 miliardë lekë rezultuan për paligjshmëri ligjore me ndikim në performancë dhe 12.7 miliardë për shkeljet e disiplinës buxhetore në realizimin e investimeve.

Koncesionet, 150 mijë euro risk i shtuar, KLSH kërkon rishikim të kuadrit ligjor

KLSH ka gjetur gjithashtu shkelje në zbatimin e kontratave koncesionare/PPP, nga të cilat rezulton se janë kryer pagesa për vitet e kaluara në vlerën prej 15 292,593 mijë lekë (15.292.493 lekë, ose afro 150 mijë euro). Ata konsiderohen se përbëjnë risk të shtuar për krijimin e detyrimeve të prapambetura. Lidhur me abuzimet me kontratat koncesionare, kryetari i KLSH pranoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat se janë zbuluar raste të përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik, shkelje të disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura, parregullsi dhe shkelje në administrimin e të ardhurave tatimore si dhe në keqadministrimin e pronës publike dhe mjedisit. Në këtë kuadër ai sugjeroi se është e nevojshme të rishikohet kuadri ligjor si dhe orientimi i ndërhyrjes së qeverisë në, raportin kosto-përfitim për çdo projekt me financim të buxhetit të shtetit.

Te tjera

Lajme te tjera